Ngjela: Kurti mund ta rrëzojë Ramën me një rezolutë në parlament

Avokati Spartak Ngjela u shpreh se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të rrëzohet me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, pas nismës për Mini-Schengenin Ballkanik, transmeton Koha.net.

Në një bisedë për televizionin shqiptar A2, Ngjela theksoi se kjo nismë është një gabim politik i kryeministrit të Shqipërisë, pasi përçan shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.

“Schengeni Ballkanik është gabim politik i Ramës”

“Luan për Shqipërinë apo kundër saj, kjo nuk është arsye e momentit, por është një arsye që i përket historisë. Serbia armatoset rëndë, Kosova ka kaluar në armatë me orientim amerikan dhe me ndihmë amerikane ushtarake. Këtij i kërkojnë të ndërtojë ushtrinë, ky as çan kokën fare dhe bën edhe këtë. Ky është një kryeministër pa asnjë vlerë politike dhe kjo është më e pakta e akuzës ndaj tij, i paaftë! Marrëveshja nuk është aq e lehtë sa ta bëjë kryeministri, por e bën Parlamenti. Mua nuk ma ha mendja se Parlamenti është çmendur të ribëjë përsëri gabimin e vitit 1939 që i dha kurorën Viktor Emanulit. Është e njëjta gjë. Zakonisht, parlamentet anti-kombëtare ndodhin një herë në shekull. Çfarë e detyron Ramën të merret me këto? Nuk ka të sigurt pushtetin”, thotë avokati Ngjela.

Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela, thotë se Prishtina politike e ka në dorë Ramën, ndërsa thekson se po ta rrëzonte Kosova Ramën, “do na shpëtonte edhe ne”.

“Tani, Prishtina politike e ka në dorë Ramën. Na shpëton edhe ne. Unë e quaj paaftësi. Ne e konsiderojmë paaftësi maksimale. Në një kohë që ata armatosen, në një kohë që Kosova nuk njihet nga Serbia, ai thotë hajde të bëjmë Mini-Schengenin. Mosnjohja e një shteti nga një shtet tjetër do të thotë gjendje luftë dhe Kosova dhe Serbia janë në gjendje lufte. Nëse Rama nuk e di këtë, atëherë nuk ka vlerë si kryeministër. A e di Rama se gjithçka këtu luhet kundër botës shqiptare në Ballkanin perëndimor? Nëse nuk e di, duhet ta mësojë, por fakti që nuk e di është i paaftë. Sapo të vendoset parlamenti i ri në Kosovë, një rezolutë e Parlamentit të Prishtinës kundër Ramës, rrëzon Ramën në Tiranë. Një rezolutë e tillë me dëmin e madh që i krijoi Kosovës, këtë e rrëzon. Kosova është pjesë e Shqipërisë, minimumi 2000 vjet pjesë e Arbërisë. Shqiptarët e fituan me sakrifica dhe i kanë bërë këto ndaj serbëve. Kur Serbia është pushtuese e popujve shqiptarë, çështja është që ky po i del në ndihmë. Ky quhet gabim politik. Shqipëria ka të ardhura për frymë barabartë me Serbinë, por Shqipëria nuk ka prodhim. Shqiptarët kanë eksportuar punë. Ne na mban emigracioni. Paratë e emigracionit do të vijnë të shpërdorohen me prodhimin serb. Ata eksportojnë mall. Ai vjen të pushton tregun. Ky kryeministër nuk e kupton këtë dhe duhet të flaket. Si do iki? Me një rezolutë të parlamentit të Prishtinës. Albin Kurti është risi në politikën shqiptare dhe ka trembur shumë Beogradin. Kjo është arsyeja politike që Rama mund t’i trembet Kurtit, pasi ka disnivel me Kurtin”, potencoi avokati Ngjela.

“Për Mini Shengenin, Rama nuk e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve”

“Rama nuk ka mbështetjen nga ndërkombëtarët. Nga Uashingtoni nuk mund të ketë mbështetje pasi është shkatërrim politik për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Politika amerikane e ka shpresën në Ballkanin Perëndimor te bota shqiptare. Është forca e saj që ka krijuar një shtet që është Kosova dhe është forca e saj që po krijon në një shtet të ri me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi ai.

“Opozita në Shqipëri s’e rrëzon dot Ramën”

“Opozita aktuale në vend nuk e rrëzon Ramën, nuk ka forcën e analizës politike të nivelit të lartë. Nuk e ka aftësinë e optikës së re. Por ky gaboi rëndë. Këtu nuk dëmtohet Shqipëria, më shumë se sa izolohet Kosova”, potencoi në fund, ish-ministri i Drejtësisë, tani avokat, Spartak Ngjela.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button