Opozita shqiptare në Çair e pakënaqur me Buxhetin e votuar nga BDI-LSDM-VMRO

Në seancën e 33-të të Këshillit të Komunës së Çairit, të fundit për këtë vit u miratua Buxheti për vitin 2020-të, transmeton Portalb.mk.

Partitë opozitare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar në lidhje me Buxhetin për vitin e ardhshëm, duke e llogaritur një buxhet për nevojat e kryetarit dhe larg nevojave të qytetarit.

“Planifikimi i Buxhetit bëhet në koordinim me përfaqësuesit – këshilltarët e Këshillit të Komunës në pajtim të kërkesave të banorëve përmes mbledhjeve të ndryshme të organizuara nga komuna. Këtë strategji nuk e praktikon Komuna e Çairit dhe nga kjo ne këshilltarët e Lëvizjes Besa nuk e mbështetim këtë Planifikim të Buxhetit për vitin 2020“, thekson këshilltarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Besa, Xhemile Memeti.

ASH-ja thekson se Buxheti për vitin 2020-të, i përkrahur nga koalicioni BDI-VMRO-LSDM parashikon dyfishim të shpenzimeve për kryetarin e Komunës.

“Anëtarët e BDI-së, VMRO-së dhe LSDM-së votuan pro buxhetit vjetor të Komunës së Çairit.
Këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët në Çair reaguan ndaj këtij vendimi për shkak se nuk ka mundësi që një buxhet të aprovohet pa analiza se ku duhet të shkojnë këto para. Sot komuna e Çairit punoi kundër qytetarëve të vet, pa u dhënë asnjë mundësi që ata vetë të shprehen se ku, si dhe në cilat projekte të shpërndahen këto para. Me sjelljen e këtij vendimi, buxheti i Komunës së Çairit i mundëson kryetarit të komunës nga 5.000 mijë euro shpenzime të lejuara deri më tani, rritje në 10.000 euro. Kjo do të thotë se buxheti shkurton nga kërkesat reale të qytetarëve, për t’i mundësuar luks më të madh kryetarit të komunës”, deklarojnë nga ASH-ja.

Ata deklarojnë se bashkëpunimi VMRO-BDI ka filluar të thellohet edhe në qeverisjen lokale, sikurse në nivel qendror.

“Përmbajtja e detajuar e tij (Buxhetit) do të shpallet në web faqen zyrtare të Komunës së Çairit – cair.gov.mk, menjëherë pas publikimit të vendimit për miratimin e tij në Fletën Zyrtare të Komunës së Çairit”, deklarojnë nga Komuna e Çairit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button