DRUVARI

Druvari ecën duke e ngrehur kalin e ngarkuar me dru shtegut malit pranë shpellës së arushës e cila sapo ka ngrënë me dhjeta kilogramë qershiza, mjaltë mali e ndonjë dre të moçëm dhe kotet. Fryn një erë fare e lehtë vjeshte. Potkonjtë e kalit që shkelin nëpër gurë bëjnë zhurmë dhe hedhin shkëndija e këndellin Druvarin. Por ia prishin rehatinë edhe arushës, e ajo ulërin. Kali hingëllin dhe ngutet i frikësuar. Zogjtë e malit trazohen. Druvari e lëshon kalin dhe e bën gati grykëgjatën. Arusha nuk dëgjohet më.
Pastaj bie qetësia. Druvari vazhdon rrugën, e shpejton hapin ta arrijë kalin. Dikur kali turfullon ngapak (nuk hingëllin të mos e dëgjojnë bishat). “Ati im”! i thotë Druvari i gëzuar kalit dhe e lëmon. E përqafon. Për besnikërinë që ka  si skllav i tij. Por, harron shpejt Druvari! Pas një kohe, kur  dritat e rralla të fshatit duken nga larg, Druvari  ia hedh kapistrën rreth qafe kalit të gjorë, i del prapa dhe i bie me thupër:  Yjaaa! Ngutu, cofëtinë, kur do të arrijmë në shtëpi?!

Vazhdojnë rrugën Druvari e kali, padroni dhe skllavi. Po lodhja i ka kufijtë e vet. Nuk e lejon ajo dëshirën e Druvarit të realizohet aq lehtë. E bën të veten. Megjithatë ata nuk ndalen.

Koha rrëshqet si ujët e lumit malor që rrjedh atje poshtë në humnerë, i përgjumur. Edhe Druvari e kali shkojnë me atë tempo. Ngadalë trokëllimat e kalit i gëlltit gumëzhima e lumit malor të cilit i afrohen kur fillojnë të dëgjohen të lehura të rralla të qenve të fshatit.

Ja, më në fund,  edhe hyrja e fshatit. Ajo kalon  nën gështenjat e mëdha, kurorat e të cilave e dëndësojnë errësirën. Po kali e di rrugën e vet. Ndërkaq Druvari tash ka dalë te koka e kalit dhe e mban për kapistre. Tash të dytë e ndjejnë dorën e sigurisë që ua shtrin fshati.

Fshati ende është i qetë nën mbulesën e pafundme qiellore me yje.  Të gjithë flenë. Edhe gjelat s’i ka prekur  aurora që ta lajmërojnë ardhjen e ndritshme të saj në formë të ballit të nuses që shfaqet mbi kurrizin e malit, në lindje. Druvari me kalin e tij i shpejtojnë hapat.

Dhe, ja ku janë – para dritares së të dashurës së Druvarit.

Ngrihet perdja e imagjinatës së Druvarit të ri. I nxitur nga një  xixë e brendshme që e çon erosi përmes shigjetave të tij vockla, mundohet ta marrë me mend të dashurën e tij, të cilën kurrsesi nuk pajtohen t’ia japin shtatë vëllezërit e saj. Ai s’e ka pasur ende pranë atë hyri. S’ia ka prekur as atë dorë të bukur që tash e imagjinon si të tillë, por mjafton që të dytë disa herë kanë shkëmbyer buzëqeshje dhe shikime të ngrohta. Derisa të tjerët flenë, ajo, E Bukura e tij e Dheut sigurisht e pret, e zgjuar. E kujton në ato çaste atë, Druvarin. Sigurisht gjithë natën i ka pritur trokëllimat e kalit e të dalë te dritarja t’i dëgjojë sa bukur kumbojnë ato në agim, herët, kur  pushtetin absolut e ka qetësia e natës. Hulumton Druvari nëpër imagjinatën e tij edhe kah këmisha e natës pak e shpërthekuar Druvari dhe në ato çaste te ai arrijnë disa rreze të padukshme, po të ngrohta të cilat ia shpeshtojnë ritmin e zemrës. Ky shqetësim e turbullon, por njëherësh e bën ta harrojë kalin dhe i vjen të këndojë. Ia jep me zë jo fort të lartë:

Moj e mira n’ato male

Rritju bacës dalkadale

Këto xixa e këto rreze që e mbërthejnë Druvarin kanë një magji të pashpjegueshme dhe çuditërisht e përçojnë atë çastin e zjarrtë të dashurisë nga njëri te tjetri, nga Druvari te E Bukura e tij e Dheut.  Ja mrekullia: ajo del te dritarja. Dhe, aurora i hedh dy rreze drite të cilat  e lidhin Druvarin dhe të Bukurën e Dheut.   Del për sheshi  ëndrra e dy të rinjve në skenën e botës reale.Vlojnë psherëtimat në të dy anët. Pastaj  gjelat ia japin këngës. Pastaj zgjohen shtatë vëllezërit. Pastaj e Bukura e Dheut tërhiqet nga dritarja duke i lënë në ajër ato fjalët magjike  të dua! Kurse kali, kali e pret të zotin. Pastaj Druvari e vazhdon rrugën duke e vazhduar këngën:

… nuk je lirë po je dukat

Po t’shoh andërr natë për natë.

Dhe Druvari mezi pret ditën tjetër të shkojë për dru, kurse kali ëndërron që ditën tjetër ta ketë pushim.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button