Këshilli i Sigurimit i Maqedonisë së Veriut diskutoi për mbrojtjen e mjedisit

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbajtur takimin e dytë të Këshillit të Sigurisë, ku është diskutuar për situatën aktuale të sigurisë dhe për çështjen e ajrit të ndotur, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media pas takimit, presidenti Pendarovski tha se në kuadër të takimit të dytë janë mbajtur dy mbledhje. Ai sqaroi se nga përbërja e rregullt e Këshillit të Sigurimit ka munguar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të obligimeve në Kuvend, si dhe këshilltari i sigurisë i presidentit, Trajan Gocevski, i cili ka munguar për arsye shëndetësore.

Në mënyrë shtesë, në takimin e parë kanë marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, drejtori i Agjencisë për Kundërzbulim, drejtori i Agjencisë Operative-Teknike, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Foto nga mbledhja
Foto nga mbledhja

Pendaroski tha se po ashtu është diskutuar për gjendjen e ushtarëve të Maqedonisë së Veriut në misionet ndërkombëtare, me çka është konstatuar se ajo është e rregullt. Gjithashtu, ai tha se është diskutuar për ekipimin e Agjencisë Operative-Teknike, ku është konstatuar se punët zhvillohen në dinamikën e duhur.

Në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor që ishte si pikë rendi në mbledhjen e parë, Pendarovski tha se kjo çështje për herë të parë diskutohet në Këshillin e Sigurisë, duke shtuar se kjo çështje ka filluar të trajtohet si komponentë e kërcënimeve të sigurisë.

“Më lejoni paraprakisht të them disa fjalë, si erdhëm deri te adresimi i kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit. Më parë, dokumentin që unë e miratoj, e firmos, Strategjia e Mbrojtjes, e cila kishte filluar të punohet paraprakisht dhe për shkak se nuk përmbante asnjë masë në rast të sigurisë ekologjike, respektivisht pasigurisë në vendin tonë, u kthye në përpunim për të përfshirë pjesë të nevojshme nëse dëshirojmë të kemi një pamje të rrumbullakësuar të sigurisë dhe nëse duam të trajtojmë të gjithë përbërësit e saj të rëndësishëm”, tha Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut gjithashtu tha se është angazhuar për rritjen e buxhetit shtetëror për mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar se në vitet në vijim ai duhet t’i përafrohet mesatares së vendeva anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Pendarovski tha se parashikohet që kapitulli për mbrojtjen e mjedisit në kuadër të bisedimeve për anëtarësim në BE të jetë njëri ndër kapitujt me kosto më të lartë. Sipas përllogaritjeve të bëra nga eksperienca e Malit të Zi, Pendarovski tha se gjatë takimit është thënë se ky kapitull i Maqedonisë së Veriut gjatë një dekade do t’i kushtonte 5 miliardë euro.

Në mbledhjet e dytë, ku u diskutua për mbrojtjen e mjedisit dhe ajrin e ndotur, morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit, si dhe përfaqësues të institucioneve kompetente, edhe atë ministri dhe zv/ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Hapësinor.

Pendarovski tha se ideja e tij ka qenë që organizatat joqeveritare të ballafaqojnë argumentet me përfaqësuesit e institucioneve.

“Mendoj se ideja kryesore që kemi pasur me thirrjen e mbledhjes ishte për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit, sepse deri më tani asnjëherë në historinë e vendit tonë në një nivel kaq të lartë dhe përfaqësues politik, nuk kemi diskutuar për këtë problem që po bëhet më akut jo vetëm në vendin tonë dhe rajonin tonë, por kudo në botë. Këshilli i Sigurimit është një organ këshilldhënës për Presidentin dhe jo një organ vendimmarrës. Ne nuk kemi ardhur këtu për të marrë vendime për zgjidhjen e këtyre problemeve”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu tha se çështja e ndotjes së ajrit dhe mbrojtjes së mjedisit nuk mund të zgjidhet nga një mandat i cilitdo funksionari.

Edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit thanë se në takim është diskutuar për të gjitha problemet ekologjike. Ata u pajtuan se kjo çështje nuk mund të zgjidhet për një kohë të shkurtër, por kërkuan angazhim më të madh nga institucionet shtetërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button