fbpx

24 orët e ankthit në selitë e PD, PS dhe LSI

Kur të gjithë kanë kthyer sytë dhe veshët nga rezultatet e votimeve, ne jemi kujdesur për të vëzhguar atë që po ndodh selitë e tre kandidatëve më të fortë në këtë betejë. Në tre selitë kryesore ka shumë zhurmë gazetarësh, politikanësh që hynin e dalin dhe brohorimat e militantëve. Një zhurmë që më së shumti tregon tension e liderëve të saj për një rezultat që ka “mbërthyer” pas televizioneve një Shqipëri të tërë. Kalojmë shkarazi tek “shtëpia” e demokratëve  e cila është e veshur tërësisht blu. Ndalojmë aty dhe shikojmë pjesë të një skene të improvizuar dhe kioskave të vogla përball portës hyrëse që tregojnë festimet e bëra një natë më parë, pas mbylljes së kutive të votimit. Nuk shohim simpatizantë para selisë, as veprime zhurmuese por thjesht një heshtje që dukej sikur gjithçka ish zhvendosur përtej kësaj ndërtese. Largohemi duke lënë pas këtë pamje dhe pyesim për vendndodhjen e kreut demokrat. Na thonë që nuk ishte në zyrë por pritej që të vinte në orët e mbrëmjes. Largohemi me idenë se kreu demokrat Sali Berisha mund të ketë qenë në zyrën e tij në kryeministri duke pritur rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkohë kryeministri Berisha dje si rrallë herë nuk ka dhënë asnjë deklaratë për shtyp.

Selia e PS
Pak metra më tutje gjendet selia e rozë, e përfaqësuar nga rivali kryesor i Berishës në këtë garë. Ndryshe nga kundërshtari i tij politik, Edi Rama ka qëndruar në zyrën e tij në pritje te rezultateve të cilat ndryshonin brenda sekondave. Ne qëndrojmë përpara selisë rozë dhe shohim një pamje krejt të ndryshme. Godina është e rrethuar nga flamuj të PS-së dhe mes tyre numri 29 dominonte gjithë fasadën kryesore të selisë. Godina e socialistëve dukej më e gjallë, lëvizjet ishim më të shumta. Ndryshe nga Berisha, Rama ka mbajtur një konferencë për shtyp dhe dukej mjaft i lumtur në mimikën e tij. Siç duket po shikon që ëndrra e tij kryeministrore është më afër se kurrë.

Selia e LSI
Largohemi dhe nga selia e PS-së për tu zhvendosur tek forca e tretë, ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përveç lëvizjeve që karakterizojnë çdo ditë rrugicën përballë kësaj godine në zonën e ish Bllokut, pjesa tjetër dukej pak ndryshe. Mundëm të shikojmë vetëm lëvizje të gëzuara të përfaqësuesve të kësaj force, ndërsa na thonë që kreu i LSI ka që në mëngjes që gjendet në zyrën e tij dhe nuk ka lëvizur prej andej.

Dy net më parë
Dy netë më parë, pas mbylljes së procesit zgjedhor, tre liderët e tre partive kryesore, garuese ne zgjedhje, ishin ngujuar për të pritur rezultatet në zyrat përkatëse të selive të tyre. Ata me t’u mbyllur votimet shpallën menjëherë rezultatet fituese.

Kryeministri Berisha në natën e 28 qershorit
Kryeministri Berisha i ka ndjekur më 23 qershor zgjedhjet në Tiranë. Fillimisht ai ka qenë në kryeministri, më pas ka votuar. Pas votimi, kryeministri e ka kaluar kohën në shtëpi duke ndjekur zgjedhjet në televizion dhe duke folur çdo dhjetë minuta me bashkëpunëtorët e tij për ecurinë e zgjedhjeve e duke dhënë indikacione. Më pas ai i ka ndjekur zgjedhjet nga selia e Partisë Demokratike, dhe në zyrën e tij shikohej të hynin shpesh herë bashkëpunëtorë të tij.

Rama-Meta në 23 qershor
Dyshja drejtuese e opozitës ka pasur dje një ditë shumë të ngarkuar. Pas ngjarjes që rëndë që ndodhi në Laç, ata u nisën menjëherë drejt këtij qyteti për të ndjekur gjendjen nga afër dhe për të qetësuar simpatizantët e tyre. Pasi dhanë nga një deklaratë për mediat, Rama dhe Meta janë kthyer në Tiranë ku edhe kanë votuar. Më pas ata i kanë ndjekur zgjedhjet në selitë e tyre përkatëse, duke folur çdo minutë me bashkëpunëtorët. Ndërkohë që Rama dhe Meta kanë shkëmbyer sms me njëri-tjetrin pothuajse çdo 20 minuta për të bashkërenduar veprimet.

Lajme të ngjashme

Back to top button