MBI ABSURDIN E DESPOTIZMIT (I)

Ose autoritarizmi, monokracia, tirania, pushteti absolut apo i pakufizuar dhe i përjetshëm vrasin, si të tjerët ashtu dhe bartësin e tij. Kjo është porosia e këtij shkrimi lidhur me Albert Camus (Kamy), filozof, romancier, dramaturg, eseit, fitues i Çmimit Nobel. Një mendimtar me të cilin sërish u takuam në saje të Kaligulës që këtyre ditëve e rastisëm mbi tavolinën e prurjeve të reja në bibliotekën universitare pas një seance ushtrimesh me studentët e metodologjisë. I lindur më 1913 në Algjeri, i njohur me mënyrën e veçantë të shkrimit mbi ekzistencën njerëzore, me qëndrimin e tij se njeriu modern është një monstrum, me idetë prej eksistencialisti dhe absurdisti.  Ka jetuar si bonjak dhe në varfëri; ka studiuar filozofi, ndërkohë i angazhuar në lëvizjen e rezistencës dhe në Partinë Komuniste. Ka ushtruar për futboll, ka punuar si shitës i pjesëve të këmbimit të automobilave, si mëues privat dhe si meteorolog. Ka diplomuar me temën mbi neoplatonizmin dhe metafizikën kristiane. Është marrë thellësisht me Malraux, Nietzsche, Pascal, Kierkegaard dhe Epiktetin. Ka qenë pjesë  e Lëvizjes së Rezistencës gjatë LDB-së, kurse më 1945 ka ushtruar detyrën e kryeredaktorit të gazetës Le Combat, që më pas, më 1947 t’i përkushtohet vetëm letërsisë. Me Sartre-in ka ikur në SHBA, ku si majtist ashpër ka kundërshtuar komunistët, dhe pas botimit të esesë “Njeriu rebel” ndahet nga ky mik i tij. Sipas  Camus njerëzit mundohen t’i japin kuptim jetës, e cila në fakt s’e ofron atë, qëndrim ky të cilin përmes teorisë së absurdit e ka shpjeguar në “Miti mbi Sizifin” (1942). Gjithnjë ka mbartur në vete origjinën algjeriane dhe kompleksin e trajtimit të këtij vendi nga Franca. Ka mbrojtur të drejtat e njeriut; më 1953 ka ngritur zërin kundër dhunës sovjetike. Ka reaguar ashpër kundër qytetit, që sipas tij ka ndikim tepër negativ në qytetërimin bashkëkohor. Dëshironte që të shihej si njeri, jo si anëtar i një ideologjie më të madhe, sepse njeriu është më i rëndësishëm se institucioni. Ndër veprat e tjera të tij janë “I huaji” (1942), “Murtaja” (1947) etj.

Vepra metë cilën jemi shoqëruar këtyre ditëve, Kaligula (1938), paraqet një përshkrim të çmendurisë njerëzore të mishëruar në figurën e një perandori romak. Meditimet e tij lidhur me misterin eternal e shtyjnë ta konsiderojë pozicionin e vet si fuqi e pakufizuar. Ai është monark i botës, i rrëzuar nga pikëllimi, synon ta kontrollojë universin dhe t’i bëjë të pamundurat realitet. Mundohet ta zotërojë hënën, ta bashkojë qiellin me detin, dhe t’i zbulojë sekretet e vdekjes. Meqë jeta është çmenduri, do të qeverisë me çmenduri. Është një sadist i marrë: urdhëron ekzekutime dhe tortura pa arsye, për të kundërshtuar logjikën dhe sensin. Kulmi vjen kur ai mbyt dashnoren e tij pa arsye dhe vetë ekzekutohet nga  senatorët e çmendur si ai, kur kupton se nuk mund ta kontrollojë fatin ose natyrën e njeriut.

Kaligula përfaqëson fuqitë autoritare të kohës, fashizmin, nazizmin, komunizmin. Mussolini krenohej me ndërtimin e një Rome të Re, Hitleri garantonte perandorinë ariane, kurse Stalini lançonte utopinë komuniste. Është kritikuar nga autorë të ndryshëm nën pretekstin se këto figura nuk mund të jenë arsye për ta kuptuar jetën si të pakuptimtë.  (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button