Gruevski: Ligji i branitellave patjetër të kalojë

15 mijë amendamentet e BDI-së nuk do të pengojnë miratimin e ligjit të branitellave të propozuar nga VMRO DPMNE.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha sot se, megjithë pengesat procedurale në Kuvend, do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij, që ligji i branitellave të kalojë, pasi ky ligj është i miri dhe nuk është kundër askujt.

“Ne mendojmë se ai ligj është i miri sepse ai ndihmon një kategorie njerëzish të cilët i vendosën jetët e tyre në mbrojtje të mëmëdheut kur ajo u sulmua dhe u rrezikua. Këta njerëz edhe tani e kanë një ligj, do të thotë ligji ekzistonte, kështu që të gjithë ata që thonë që është kundër kushtetutës, ose është kundër ndokujt, nuk kanë argumente pasi ai ekziston prej vitesh, ndërsa ne tani po bëjmë thjesht përmirësimin në atë ligj, rritje të përfitimeve për branitellat, kështu që në këtë aspekt nuk ka ndryshim të qëndrimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ai ligj të kalojë’, tha kryeministri  Nikolla Gruevski.

Gruevski nuk e mohoi se kundërshtimet e partnerit të koalicionit BDI-së për këtë ligj kanë ndikim negativ në raportet mes dy partive, pjesëmarrëse në ekzekutiv.

“Çdo kundërshtim në një koalicion, çdo mendim ndryshe në një farë mënyrë ka ndikim negativ, por jeta është e tillë, ne nuk mund të pajtohemi për gjithçka! Përderisa një subjekt politik në këtë moment sipas meje, pa arsye vlerëson se diçka është kundër ndokujt, që në fakt gabohet, ne nuk mund ta sqarojmë atë në asnjë mënyrë tjetër nga ajo që sqarojmë aktualisht. Bëhet fjalë për ligj që duhet të japë mbështetje më të madhe për forcat mbrojtëse të shtetit, të cilët e mbrojtën shtetin në një periudhë kritike dhe ai ligj nuk është kundër askujt, ai ligj askujt nuk i merr ndonjë të drejte apo diçka tjetër, ai ligj vetëm jep të drejta më të mëdha nga ato që kanë branitellat e periudhës së vitit 2001”, tha kryeministër Nikolla Gruevski. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button