Rruga e plastikave, aty ku punohet si në Kinë!

Një Kinë e vogël në mes të Shkupit. Kështu ndryshe mund të quhet bulevardi “Jugosllavi”, i njohur mes qytetarëve të Shkupit si Rruga e plastikave. I pagëzuar kështu jo vetëm për shkak të vërshimit të mallit të lirë dhe të ndryshëm që vjen nga lindja e largët, por edhe sistemit të punës që i ngjason këtij shteti.

“E dimë kur fillojmë me punë, por nuk e dimë kur mbarojmë”. Kështu fillojnë rrëfimin për Portalb  punëtorët në këtë bulevard, të cilët me qëllim të mos rrezikojnë kafshatën e bukës që marrin aty, preferojnë të mbesin anonim.

Të lënë pas dore nga autoritetet përkatëse, punëtorët shpjegojnë se e kanë patjetër të punojnë në këto kushte, pasi mungesa e arsimimit dhe kualifikimeve tjera bën që të mos jenë konkurrent në tregun e punës. Për këtë shkak janë të detyruar të punojnë dhe të heshtin!

“Kam tre vite që punoj këtu. Akoma nuk jam i paraqitur zyrtarisht si punëtor, do të thotë punoj ilegalisht. Rrogat shpesh na vonohen, për orar pune ose pushim as që bëhet fjalë” – thotë një i punësuar 24 vjeçar në njërin nga shitoret në këtë bulevard.

“Mos e dhashtë Zoti të lëndohesh, sepse jemi të eksponuar në punë të rëndë, ndërsa rrallë kush është i siguruar në Fondin Shëndetësor. Ndodh që të punojmë 12 orë në ditë, dhe ditën e nesërme përsëri dhe përsëri. Disa nga kompanitë pushojnë ditën e diell, e disa edhe atë e punojnë deri në drekë. Rrogat mund të jenë mesatarisht të mira për standardin tonë, por assesi adekuate për punën që bëhet” – thotë një tjetër punëtor.

Sipas ligjit, dënimet për punëtorë ilegal janë nga 6000 deri në 7000 euro për kompaninë, dhe prej 2000 deri 3000 euro nëse punëdhënësi nuk ruan një kopje nga kontrata për punë. Megjithatë, punëtorët shpjegojnë që rrallë herë ndodh që këtë kompleks dyqanesh ta vizitojë Inspektorati shtetëror i Punës.

Sipas të dhënave nga ky inspektorat, në tërë territorin e Maqedonisë vitin e kaluar janë bërë 24.513 kontrolle mbikëqyrëse në fushën e marrëdhënieve të punës, pas çka është ngritur procedurë për 1.257 kërkesa të punëtorëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërsa janë zbuluar 993 punëtorë të pa paraqitur dhe janë dorëzuar 609 kërkesa për ngritje të procedurës kundërvajtëse kundër punëdhënësve./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button