Gjuha – fizionomi tingullore e racës

Popujt e mëdhenj kanë ushtruar përherë dhunë ndaj më të vegjëlve. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe, mjerisht, kështu do të jetë dhe nesër. Përgjatë historisë ka ndryshuar vetëm intensiteti i dhunës, që është varur nga përpjekja e të voglit për të ruajtur të pacënuar hijenash pragun e shtëpisë dhe kush jam-in.

Ndër betejat më të hershme hegjemoniste janë ato të nënshtrimit shpirtëror të një populli, race, etnie…, që nënkupton heqjen dorë të viktimës nga gjuha, besimi dhe zakonet e të parëve.

Natyrisht, gjenocidet që kanë synuar zhbërjen e një shpirti kolektiv nuk i kanë munguar as siujdhesës ballkanike, veçmas tmerret që kanë synuar mposhtjen/ndalimin e përdorimit të gjuhës së tjetrit, me çka, me automatizëm, bëhet zap çdo frymim kulture e qytetërimi i të mundurit. Jo rastësisht, armë kryesore për krijimin, mbijetesën dhe mbrojtjen e Atdheut rilindësit tanë zgjodhën Gjuhën shqipe. 

Pikërisht për një betejë të këtillë dua të shkruaj sot, për t’ia kujtuar vetes dhe të tjerëve se si mbrohet Gjuha e nënës, jo nga kurkushët e sotëm, të cilët i lejojmë përunjshëm ta nëpërkëmbin e ta shndërrojnë atë në përqindje, po nga hegjemonizmi i fuqive evropiane të fillimshekullit të XX. Fjalën e kam për polemikën e madhe evropiane, në të cilën vend qendror zuri sprova e Faik Konicës “Mbi gjuhët natyrore dhe gjuhët e sendërgjuara”, që   mbrojti gjuhët e natyrshme nga zëvendësimi me ndonjërën prej gjuhëve artificiale, si esperantoja, volapyku apo gjuha blu.

Në kohën kur e shkroi sprovën e tij në gjuhën frënge, me pseudonimin Pyrrhus Bardyli,  Konica ishte 27 vjeçar. Ai e kuptoi ndër të parët se imponimi i gjuhëve artificiale rrezikonte para së gjithash gjuhët e etnive të vogla si puna e Shqipes, konsolidimit të së cilës ia kushtoi gjithë jetën. Por, duke qenë i vetmi zë intelektuali/krijuesi nga Ballkani që u kyç në këtë polemikë gjuhëtarësh eminentë, gjeniu ynë mbrojti dhe ekzistencën e gjuhëve të tjera të rrezikuara nga hegjemonizmi i sofistikuar.

Në sprovën e tij të famshme, të zbuluar pas shumë dekadash nga konicologu i shquar Luan Starova dhe të përkthyer në shqip nga profesori i Sorbonës Remzi Përnaska, Enciklopedia levizëse shqiptare shtroi argumente të pakundërshtueshme në favor të gjuhëve të natyrshme, disa prej të cilave po i sjellim në këtë shkrim.

Që në fillim të sprovës, Konica sqaron se gjuhët artificiale nuk mund të zëvendësojnë gjuhët e natyrshme, sepse janë shpikje kabinetike me qëllime ekspansioniste. Ai ia sqaron publikut se Esperantoja u fabrikua nga Dr, Zamenhovi nga Varshava, kurse Gjuha blu/ gjuha bolak u shpik nga Leon Bolak-u. Këtë të fundit Konica e ironizon për numrin e madh të fjalëve të ndërtuara me parashtesa, si: lov = dashuri, alov = mungesë dashurie, olov = pak dashuri, ulov = dashuri e dykahshme, elov = dashuri e dendur, ilov = dashuri e furishme… Meqë fjalët e kësaj gjuhe ishin të patheksuara, Konica shkruan: Bolaku ka harruar se është e pamundur të mos theksohet njëra nga rrokjet më fort se të tjerat – materialisht e pamundur, sepse kemi të bëjmë me aksiomat e para gjuhësore…

Për Konicën:

  • Një gjuhë, e shqyrtuar në marrëdhëniet e saj me tërësinë e njerëzve që e flasin, mund të përkufizohet si fizionomi tingullore e racës. Sepse, ashtu si tipi fizik mesatar i një populli, pamja karakteristike e fytyrave, gjestet e zakonshme, qëndrimet, lëvizjet…, janë shprehje e dukshme e racës, po ashtu, edhe fjalët janë përfaqësuese të gjenisë kombëtare, si për nga tingëllimi i tyre i izoluar me vetë vlerat e tyre, ashtu edhe për nga natyra e kombinimeve që janë paracaktuar të formojnë…
  • Gjuhët janë në lidhje të ngushta dhe të drejtëpërdrejta me mendjen dhe me pamjen e racës.
  • Gjuha është tregues i sigurt gjendjes së qytetërimit të një populli. Për shembull, pasthirrmat kanë prirje të zhduken sa më shumë përgjithësohen te një popull mirësjellja, takti, si edhe ajo maturi e diktuar nga marrëveshja e një shoqërie të stërholluar. Pasthirrmat, që vetëm ato përbënin fjalorin e njeriut të egër primitiv, që janë shumë të shpeshta te popullsitë e Afrikës së sotme e që çmohen ende në letërsitë e racave plot afsh dhe zemërhapura të Jugut, nuk janë veçse një kujtim pakëz qesharak te shkrimtarët e hajthëm të shumicës së vendeve të Veriut…
  • Gjuha përfaqëson me një besnikëri të përkryer metodën mendore të një populli, mënyrën e zakonshme të drejtimit të ideve: frëngjishtja analitike, e qartë dhe e përkorë; anglishtja e prerë dhe e thatë; italishtja me ndërtimin e squllët, me tipare të flashkëta: ja, sa për shembull, tri gjuhë të shenjuara qartë nga karakteri i tri racave përkatëse.
  • Grekët e sotëm emërtojnë me të njëjtën fjalë batakçinjtë dhe heronjtë. S’ju mbetet veçse të lexoni një nga poezitë e shumta popullore greke të botuara në Francë, në gjysmën e parë të shekullit XIX, për ta vënë re këtë gjë. Kjo veçanti e dukshme shpjegohet lehtë: te grekët masa e vlerësimit nuk është fare moraliteti, por zgjuarësia, shkathtësia dhe finesa; kështu, për ata, qeratai dhe heroi janë të barasvlershëm dhe disi të njëjtë, sepse si te njëri ashtu edhe te tjetri, grekët nuk vlerësojnë veçse shkathtësinë për të mënjanuar ose për të kapërcyer pengesat.
  • Gabelët nuk kanë fjalë të ndryshme për nesër dhe për dje, collico do të thotë njërën dhe tjetrën pa dallim. Të lënë pas dore nga e kaluara, ata s’e vrasin mendjen për të ardhmen, jetojnë me sot e me nesër dhe vetëm e tashmja u intereson. Po kështu sorlo do të thotë njëherazi mbrëmje dhe mëngjes. Edhe më mirë, merripen do të thotë edhe jetë edhe vdekje…
  • Nëse do të mund t’i shihnim gjuhët në tërë historinë e tyre, në historinë e të gjitha fjalëve të tyre dhe të gjitha rregullave të tyre, do të shihnim në të njëjtën kohë që asgjë në to nuk është e rastësishme dhe që në to gjithçka është në lidhje të ngushtë me karakterin e racave përkatëse. Për një të zi, të gjithë të bardhët i ngjajnë njëri-tjetrit; po kështu, ne jemi mësuar t’i vështrojmë të gjitha gjuhët nga njëfarë aspekti, dhe ky aspekt është, domosdoshmërisht, gjithmonë i njëjtë. Ne pandehim se sendet e jashtme janë në mendjen e çdo populli në lidhje të pandryshueshme, dhe se fjalët që përfaqësojnë këtë lidhje në një gjuhë të dhënë janë të barasvlershme me fjalët përkatëse në një gjuhë tjetër. Të vështruara kështu, si regjistra formulash të ngulëta dhe të përbashkëta për të gjithë njerëzit, të mos të na duket hiq e çuditshme që gjuhët të dalin të ngjashme për mendjen njerëzore, asnjanëse, të barabarta midis vedi, madje edhe të njëjta; në këtë vështrim, një gjuhë është për tjetrën çka do të ishte një tabelë e shtypur mbi letër të bardhë për një tabelë tjetër mbi letër blu, të gjelbër ose të kuqe…
  • Ka popuj për të cilët fjala udhëtim është një këmbanë feste, ka të tjerë për të cilët ajo tingëllon si një këmbanë vdekje. Në disa vende njerëzit janë mësuar kaq shumë me faktin që të mos shohin të kthehen ata që nisen, saqë një udhëtim përfaqëson një fakt po aq të fundmë sa edhe vdekja…
  • Çdo ndryshim gjuhe është rezultat i një ndryshimi fizik që ka ndryshuar ndërtimin ose gjendjen fiziologjike të races. Kështu, një shpërngulje larg një populli të tërë duhet të ndikojë domosdoshmërisht mbi fonetikën dhe për pasojë edhe mbi krejt gjuhën. Është e sigurt, për shembull, se gjuhës së hebrejve, pas eksodit të tyre nga Egjipti dhe vuajtjeve nëpër hapësirat ranore, i është dashur të pësojë një ndryshim, me gjasë është bërë më grykore si pasojë e etjes dhe e afsheve të shkretëtirës. Te një popull ngulës, një ndryshim i vrazhdët i klimës mund të përcaktojë një ndryshim në gjuhë…
  • Grekët e Çezarisë , në Azinë e vogël, kanë ruajtur një traditë të çuditshme: ata mëtojnë që një princ turk që sundonte në atë kohë, me qëllim që të ç’rrënjoste përdorimin e greqishtes në këtë provincë, ua preu gjuhën të gjithë banorëve. Dhe me të vërtetë, brezi pasues, i edukuar në mjedisin e një populli memecësh, nuk mësoi të flasë veçse turqisht. Ajo që bie në sy në traditën e grekëve të Çezarisë, është turqishtja që ata flasin ende edhe sot, thuhet se është pakëz e ndryshme nga ajo e vetë turqëve dhe jo pa disa helenizma të anasjella, anasjellje kjo krejt e vetvetishme, dhe për më tepër kuptimplote…

Për këto dhe njëmijë arsye të tjera, sipas Konicës: një gjuhë e sendërgjuar (artificiale) nuk do të ketë kurrën e kurrës fuqinë e nevojshme për ta fshirë gjuhën atavike, prej së cilës rrjedh një vijim shqetësimesh të mendjes.

Përveç tjerash, një gjuheje të tillë laboratorike: do t’i mungojë domosdoshmërisht ritmi – prodhimi i racës, i traditës dhe i zakonit. E, pra: ç’është një gjuhë pa mundësi ritmi?

Nëse popujve u imponohet një gjuhë gjithënjerëzore: nuk do të ketë më letërsi, sepse kush thotë letërsi, thotë koleksion individuelitetesh të veçanta…

Kaq për sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button