Pas thirrjeve të Zaevit, Këshilli Gjyqësor u zgjua nga “gjumi”: Kush i ka vjetërsuar lëndët?

Pas thirrjes së kryeministrit Zaev, Këshilli Gjyqësor është zgjuar nga “gjumi”. Këshilli Gjyqësor me shkresë deri te kryetarët e gjykatave kërkon që në afat prej një jave t’i dorëzojnë të dhënat për numrin e lëndëve të vjetra që nuk janë zgjidhur dhe lëndëve të vjetërsuara, njofton Portalb.mk.

Në kumtesën e nënshkruar nga kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev, thuhet se në interes të kthimit të besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, në pajtim me dispozitat e nenit 36 nga Ligji i Këshillit Gjyqësor, Këshilli Gjyqësor kërkon njoftim nga kryetarët e gjykatave:

  • Numrin e lëndëve të pazgjidhura ndër vite, llojet dhe gjykatësit
  • Lëndët e vjetra penale me arsyetimin për vjetërsim
  • Çfarë masa janë ndërmarrë nga kryetarët e gjykatave për zgjidhjen e lëndëve të vjetra, në pajtim me programin dhe planin aksionar për zbatimin e programit.

Të dhënat e njëjta, kryetarët e gjykatave duhet t’i dorëzojnë deri më 27 dhjetor.

Këshilli Gjyqësor i RMV-së
Këshilli Gjyqësor i RMV-së

Iniciativa e Këshillit Gjyqësor, vjen pas thirrjes së kryeministrit Zoran Zaev më 18 dhjetor, që ta vlerësojë përgjegjësinë e gjykatësve për vjetërsimin e disa lëndëve.

“Hajde na tregoni se kush ndikon ndaj gjykatësve, pse disa dhjetëra lëndë janë ruajtur të mbaruara dhe kanë mbetur në sirtarët e ish kryetarit të Gjykatës Supreme”, theksoi Zaev në publikim.

Më 15 dhjetor, kryeministri gjithashtu tha se na duhet gjyqësor që merr vendime, e jo gjyqësor që vjetërson lëndë.

Më 1 dhjetor, Zaev paralajmëroi masa kundër gjyqësorit, duke thënë që koha është të përballen me qytetarët, të pastrohen të pandershmit.

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni)

Pas apelit të Zaevit, gjithashtu edhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do ta kontrollojmë pronën e gjykatësve dhe të prokurorëve në vitin 2020.

“Sipas analizave të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK), jurisprudenca vlerësohet si shtyllë me rrezik të lartë të ndikimeve korruptive dhe ndikimeve tjera, ndaj së këtejmi bartësit e funksioneve të kësaj shtylle, përkatësisht gjykatësit dhe prokurorët publik do të jenë pjesë e Planit vjetor për ndjekje të gjendjes pronësore dhe konfliktit të interesave për vitin 2020”, kanë njoftuar nga Komisioni

Stevo Pendarovski
Stevo Pendarovski

Kritika të ashpra për gjendjen e gjyqësorit ka dhënë edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në Kuvend, i cili porositi pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit të vitit 2020 që të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve.

“Për shumë raste gjyqësore deri më tani nuk pamë përfundim, ndërkaq disa u vjetërsuan. Maja e gjendjeve të këqija në sistemin gjyqësor është afera “Reket”, ndërkaq kreatori i regjimit iku nga drejtësia. Asnjë politikan i lartë ose biznesmen nuk mbaroi prapa grilave, ndërkaq duhej disa. Për atë pushtetit të ri do t’i porositja që duhet të bëjë pastrim të gjykatësve dhe prokurorëve, por edhe të neve politikanëve”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se prej kur jemi shtet, vetëm personat e varfër përfundojnë në burg, madje për vepra shumë të vogla.

“Edhe për secilin i cili nuk ka arsyetim logjik se si me rrogë shtetërore është bërë milioner, duhet menjëherë jo të vlejë dorëheqja, por procedura penale”, tha Pendarovski

Portalb.mk vazhdimisht ka shkruar për nevojën e vetingut, apo kontrollit të gjykatësve të cilët nuk japin llogari edhe nëse marrin vendime skandaloze.

VETINGU është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Lexo gjithçka për reformat në gjyqësor, përfshirë edhe “vetingun”: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button