Instituti Albanologjik rikujton se ruan librin e 1598-s për Skënderbeun

Nisma e profesorit të shkencave politike në Université Paris-Est Créteil të Francës, Nezir Kraki, për blerjen e një ekzemplari të një libri frëngjisht për Skënderbeun, ka sjellë reagimet e para të studiuesve. Kjo vepër, për të cilin ka nisur grumbullimi i mjeteve për blerjen e tij, veçse gjendet në fondin e bibliotekës me 40 mijë vëllime të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Të hënën profesori Kraki kishte afishuar në profilin e tij në Facebook njoftimin për gjetjen e ekzemplarit të një libri mbi Skënderbeun të fisnikut francez, Jacques de Lavardin, i cili në vitin 1576 kishte botuar të parin libër në Francë për heroin kombëtar të shqiptarëve. I cilësuar kryesisht si përkthim nga libri i Marin Barletit e vetëm me ndonjë shtojcë nga autorë të tjerë, “Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderberg, roy d’Albanie” kishte zgjuar interesim në Francë saqë ishte ribotuar disa herë radhazi, më 1593, 1597, 1598, 1604 dhe 1621. E pikërisht një ekzemplar të ribotimit të fundit, afër 400 vjet të vjetër, Kraki e kishte hasur në një librari të Spanjës. Deri të mërkurën në mbrëmje në këtë fond janë grumbulluar 4900 dollarë (4407 euro) nga 5 mijë sa kërkohen për blerjen e librit, ku përfshihet kostoja e tij, çmimi për dërgimin me postë nga Spanja dhe taksa që Facebook ndal për fonde që realizohen përmes kësaj platforme. Sipas nismëtarit të donacionit, libri i Lavardinit do t’i dhurohet Muzeut Kombëtar të Kosovës, transmeton Koha.net.

Por sekretari shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Lulëzim Lajçi, ka rikujtuar se biblioteka e këtij Instituti ka një ekzemplar 23 vjet më të vjetër sesa ai që është zbuluar nga Kraki.

“Me këtë rast, në asnjë mënyrë, nuk dua të nënvlerësoj vlerën e botimit të ‘Historisë së Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë’ të vitit 1621, të autorit Zhak dë Lavarden, që në të vërtetë është edhe ribotimi i gjashtë dhe i fundit, por, përmes këtij shkrimi desha ta informoj opinionin e gjerë se në Institutin Albanologjik gjendet një botim në origjinal edhe më i hershëm se ai i vitit 1621, pra i vitit 1598”, ka thënë Lajçi përmes një shkrimi të afishuar në llogarinë e tij në Facebook.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button