Shqipëri, prej sot gati të nisë punën Prokuroria Speciale

Në Shqipëri, dita e sotme shënon ngritjen e Prokurorisë speciale, SPAK. Të tetë anëtarët e parë të saj u betuan gjatë ditës përpara presidentit Ilir Meta. Ndërsa pasdite, pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të vendosë dhe për drejtuesin e ardhshëm të kësaj strukture, e cila së bashku me Gjykatën speciale do të ketë si objekt të punës së saj, korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar. Emërimet e anëtarëve të Gjykatës speciale u përmbyllën dje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, me 5 anëtarë në Apel, dhe 13 gjyqtarë të përkohshëm në shkallën e parë.

Përzgjedhja e anëtarëve të SPAK-ut, është bërë pasi kandidatët kanë kaluar procesin e rivlerësimit. Ata gjithashtu kanë rënë dakort që llogaritë e tyre bankare dhe komunikimet e tyre elektronike dhe telefonike, t’i nënshtrohen kontrolleve periodike, pa qenë nevoja që të jepet më parë autorizim, siç ndodh në rastet normale. Të njejtës procedurë do të duhet t’i nënshtrohen dhe familjarët e afërt, fëmijët dhe bashkëshorti ose bashkëshortja, apo të tjerë që jetojnë me ta për një periudhë të caktuar kohe. Këto rregulla janë të vlefshme dhe për anëtarët e Gjykatës speciale. Me ngritjen e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë kombëtare të hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane, transmeton VOA.

Duke përshëndetur themelimin e SPAK-ut, ambasada amerikane në Tiranë theksoi se “nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm”. Në deklaratën e saj ambasda amerikane rikonfirmon mbështetjen ndaj strukturës së re të hetimi. “Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK-ut dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”.

Edhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë Luigi Soreca, mirëpriti betimin e 8 anëtarëve të SPAK-ut. “Ata janë tani gati të nisin nga puna”, shkruajti në një postim në Twitter ambasadori Soreca duke folur për “një tjetër gurë të rëndësishëm kilometrik në zbatimin e reformës në Drejtësi. Lufta ndaj korrupsionit, dhe krimit të organizuar është përparësia kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Partia Demokratike përshëndeti gjithashtu themelimin e SPAK-ut. “Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur. PD, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën”, nënvizohet në deklaratën e forcës kryesore të opozitës. “Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar. Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë”, thekson deklarata e PD, ndërsa falenderon SHBA-të për mbështetjen e dhënë në ngritjen e kësaj strukture.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button