Optimizmi i presidentit përballë konzervativizmit të rinisë

Fjalimi i djeshëm i presidentit Pendarovski në Kuvend ishte vërtet mbresëlënës. Rrallë herë kemi pasur rastin të dëgjojmë fjalim të tillë gjithpërfshirës ku secili e gjen vendin e vet, ku secili ndihet i inkuadruar. Roli i presidenit është të jetë institucioni unifikues, ai që i bashkon të gjithë dhe i bën të mendojnë përtej dallimeve të ndryshme që krijojnë ndasi. Për një kohë të gjatë prej një dekade të plotë kemi pasur president të vendit i cili krijonte qëllimshëm ndasi dhe asnjëherë nuk arriti të përhapte perceptim të inkluzivitetit. Për një kohë të gjatë në këtë vend ky insitucion i rëndësishëm shtetëror ka qenë thellësisht i lidhur me një parti të caktuar politike ose me një qendër të caktuar të fuqisë. Për herë të parë dëgjuam fjalim që qartazi i etabloi sukseset dhe qartësisht konstatoi rrikthimin e fuqishëm në rrugën e integrimit në NATO dhe UE, daljen nga izolimi i gjatë dhe rimëkëmbjen e institucioneve të vendit. Por poashtu, dëgjuam kritika të ashpra lidhur me faktin që drejtësia megjithatë nuk arriti të vendoset, që të akuzuarit nuk bartën përgjegjësi dhe që kreu i institucionit që u krijua për të ndjekur kriminalitetin përfundoi vetë si e akuzuar për kriminalitet.

Presidenti adresoi të gjitha çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet shteti dhe qytetarët në këtë periudhë duke përfshirë këtu edhe çështjet që lidhen me ruajtjen e ambientit. Mënyra e argumentimit ishte tërësisht e bazuar në mendim racional, aq larg prej asaj që ishim mësuar të dëgjojmë më herët, kur Ivanov mbillte frikë të përgjithshme dhe pasiguri gjatë trajtimit të temave etnike të cilat lidheshin në mënyrë të pashmangshme me çështje jetike shtetërore si: dhënien e mandatit për krijimin e qeverisë së re (kur Ivanov përhapi frikë se po qe se do të merte mandatin për të krijuar qeverinë Zaev do e pranonte tërësisht atë që atëherë njihej si “Platforma shqiptare” dhe si pasojë shteti do të shpërbëhej) ose gjatë mosnënshkrimit të dekretit për shpalljen publike të Ligjit të Gjuhëve (kur Ivanov përkrahu bindjen e disa “intelektualeve” se ky ligj do të çonte drejt federalizimit dhe ndarjes së shtetit). Në gjithë këto vite përplot zhvillime jonormale politike dhe diskurse të bazuara në emocione dhe frikë, është vërtet mbresëlënëse të dëgjohet fjalim racional i cili bazohet në arsye dhe inkluzivitet. Është shumë e rëndësishme të vërehet trajtimi që presidenti Pendarovski i bën mendimit të Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin e Gjuhëve. Ai thekson pikërisht esencën e këtij mendimi: 1)Ky mendim nuk përcakton që ligji është kundërkushtetues, 2)Ky mendim shumë qartë thekson që është zhvillim pozitiv fakti që Maqedonia e Veriut parasheh standarde më të larta se vetë standardet evropiane lidhur me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve dhe shprehimisht thotë që kjo është diçka për tu përshendetur, dhe 3)Ky mendim vlerëson se fakti që institucionet gjyqësore nuk janë në këtë moment të gatshme për të zbatuar tërërisht Ligjin e ri të gjuhëve duhet të shërbejë si mundësi që ligji të korigjohet në mënyrë që i njejti të hyjë në përdorim dhe jo të mbetet vetëm i shkruar në letër dhe më keq akoma, të shërbejë si pengesë për vendosjen e drejtësisë. Presidenti edhe një herë e theksoi qëndrimin e tij të kahmotshëm se përcaktimi i të drejtave të avansuara për qytetarët anjëherë nuk ka qenë shkas që një shtet të shpërbëhet. Poashtu që në kohën kur ky ligj është sjellur, disa prej nesh kanë theksuar që pjesa e tij që lidhet për gjykatat për momentin është e pazbatueshme. Është koha që këto çështje të ndjeshme të trajtohen racionalisht nga të gjithë politikbërësit dhe jo emocionalisht ashtu siç janë trajtuar deri tani.

Dhe kur jemi tek trajtimi racional ose emocional i çështjeve, për mua ishte posaçërisht interesante të shihen rezultatet e një ankete të realizuar nga fondacioni Westminster me të rinjtë e moshës 15 deri 35 vjet në RMV. 84% të të anketuarve kanë shprehur preferencë që shteti të udhëhiqet nga një “dorë e fuqishme”, 90% e të anketuarve asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e ndonje organizate joqeveritare, 59% mendojnë se personat e komunitetit LGBTI nuk duhet të marin pjesë në politikë, 35% mendojnë se burrat janë politikanë më të mirë se gratë dhe 63% mendojnë se të gjitha partitë politike janë të njejta dhe 69% mendojnë se shteti nuk ecën në drejtimin e duhur. Mendoj se fakti që 90% e anëtarëve të anketuar të kësaj grupmoshe nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e një organizate të shoqërisë civile i jep rezultatet tjera pasuese. Nga rezultatet e anketës shihet konzervativizmi që shpesh vërehet tek ajo popullatë që duhet të jetë promotor i ndryshimeve në shoqëri. Një rini ku homofobia është kaq e theksuar, ku gratë shihen si më pak të afta për të bërë shumë punë e mes tjerash edhe për tu marë me politikë, është e qartë që mund të shpresë mendim se shteti duhet të udhëhiqen nga ndonjë “çizme e hekurt” hegjemonike. E gjithë kjo vjen nga izolimi i gjatë i të rinjve dhe edukimi i tyre në kuadrin e atyre vlerave të imponuara të cilat shpesh i shohim të përsëriten si pa të keq në tekstet shkollore ku gratë zakonisht bëjnë kifle dhe hekurosin derisa burrat meren me punë të vërteta.

Ky izolim dhe mungesë e aktivitetit civil tek të rijtë na ka kushtuar dhe do të na kushtojë shumë nëse institucionalisht nuk bëjmë diçka për të ndryshuar këtë kahje. Pasi 70% e të rinjve edhe ashtu janë të bindur se nuk shkojmë në kahjen e duhur, atëherë koha është për të bërë ndryshime rënjësore si në sistemin arsimor ashtu edhe në të gjitha politikat që lidhen me të rinjtë për të rritur përkrahjen për vlerat perëndimore që bazohen në liri, barazi dhe tolerancë. Në të kundërt do të përfundojmë si shtet ku politikanë me mendime përparimtare do të udhëheqin me njerëz të ngatëruar në regres dhe prapambeturi, ose edhe më keq, pikërisht të ngatëruarit në regres dhe prapambeturi do të sundojnë me “çizme të hekurt” mbi përparimtarët. Sepse në fund të ditës, dallimi mes Siljanovskës dhe Pendarovskit në zgjedhjet e fundit presidenciale nuk ishte shumë i madh dhe ashtu si që do të thoshin 63% të të anketuarve të lartëpërmendur, “të gjithë janë njësoj” apo jo?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button