Ndotja e ajrit, nxënësit e shkollave të mesme bëjnë thirrje që nesër të bojkotohet mësimi

Përmes rrjetit social fejsbuk, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme dhe Zëri i Nxënësve të Shkollave të Mesme bëjnë thirrje nesër të bojkotohet procesi arsimor në gjithë shtetin, për shkak ndotjes enorme të ajrit. UNSHM dhe ZNSHM gjithashtu kërkojnë nga të gjithë nxënësit e Maqedonisë së Veriut që t’i bashkëngjiten protestës kundër ndotjes në Shkup që do të mbahet nesër në ora 17:00, transmeton Portalb.mk.

Në periudhën kur ndotja e ajrit është në nivele të larta, organizatat rinore kanë vendosur të ndërmarrin hapa konkret në lidhje me këtë duke bërë thirrje për bojkot të procesit arsimor në të gjitha qytetet dhe të bashkangjiten në protestat kundër ndotjes në Shkup.

Hodai nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme për Portalb.mk potencoi se tani ishte koha kur duhej të ndërmerrnin diçka, për shkak se sipas tij ndotja enorme e vendit po shkakton dëme të ndryshme tek nxënësit e shkollave të mesme, ai njëkohësisht bëri thirrje deri te të gjithë nxënësit t’i bashkëngjiten protestës kundër ndotjes në Shkup.

“Unioni sot vendosi që të bojkotojmë procesin arsimor ditën e nesërme për shkak ndotjes enorme që e kemi pasur në vend. Arsyeja e bojkotimit është sepse shumica e nxënësve kanë shumë probleme nga kjo ndotje enorme. Ne kërkojmë që nga Qeveria dhe Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinorë të merren masa për uljen e ndotjes. Bojkoti do të realizohet vetëm ditën e nesërme dhe të gjithë nxënësit do ti bashkohen protestës kundër ndotjes në Shkup. Më pas ne do të monitorojmë dhe do të vendosim në qoftë se bojkoti do të vazhdoje për ditët në vazhdim” theksoi Hodai.

Gjithashtu është paralajmëruar që procesi arsimor për ditën e nesërme të bojkotohet edhe nga disa shkolla të mesme të qytetit të Shkupit dhe jo vetëm, informojnë përmes rrjetit social nga organizata joqeveritare “Zëri i Nxënësve të Shkollave të Mesme”. Ata potencojnë se do të ju bashkëngjiten protestave të organizuara nga “Fronti i Gjelbërt” kundër ndotjes së ajrit.

“Nxënës, prindër, mësimdhënës, çdo vit e çdo ditë situata bëhet më keq. Ne, nxënësit e shkollave të mesme jemi jashtëzakonisht të revoltuar nga mosmarrja e hapave në lidhje me këtë, mospasja e idesë se si të zgjidhet ky problem kaq i madh.  Për këtë arsye të premten, 20,12,2019 ne, nxënësit e shkollave të mesme nuk do të ndjekim procesin arsimor në të gjitha shkollat e mesme. Qëllimi i kësaj është që të gjithë faktorët të fokusohen në këtë problem, dhe pas bojkotit do të bashkëngjitemi frontit të gjelbërt dhe kërkesave të tyre” deklaruan në thirrjen për bojkot “Zëri i Nxënësve”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button