Protestat në Indi, qindra të arrestuar në vend

Policia në Indi arrestoi qindra vetë që sfiduan ndalimin e protestave kundër ligjit të ri për shtetësi.

Ndalesa u vendos në disa pjesë të kryeqytetit Nju Delhi dhe në rajonet Utar Pradesh dhe Karnatakai, transmeton REL.

Ajo u ndërmor pas disa ditësh protesta, që në disa raste u shndërruan në dhunë midis protestuesve dhe policisë.

Ligji i ri u ofron nënshtetësi imigrantëve të paligjshëm jomyslimanë nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani.

Qeveria federale, e udhëhequr nga partia nacionaliste hinduse Bharatiya Janata, thotë se ligji do t’i mbrojë njerëzit nga persekutimi, por, sipas kritikëve, ai është pjesë e “agjendës nacionaliste hinduse” për të margjinalizuar mbi 200 milionë myslimanë të Indisë.

Zyrtarët thanë se kanë vendosur t’i ndalojnë protestat për të shmangur dhunën.

Por, protestuesit u tubuan në disa vende duke u organizuar përmes mediave sociale.

Pse ligji është përçarës?

Ligji lejon që jomyslimanët nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani, të cilët kanë hyrë në Indi në mënyrë të paligjshme, të bëhen shtetas.

Sipas qeverisë, ligji synon t’i strehojë ata që kanë ikur nga persekutimi fetar.

Kritikët thonë se ligji është pjesë e agjendës së qeverisë për të margjinalizuar myslimanët dhe se shkel parimet laike, të përcaktuara me kushtetutë.

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara tha se ligji i ri është thelbësisht diskriminues në natyrë.

Qeveria mohon çdo paragjykim fetar dhe thotë se myslimanët nuk janë të përfshirë në ligjin e ri, sepse nuk janë pakicë fetare dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen e Indisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button