Kosova refuzoi edhe takimin e radhës për ‘Shengenin’ Ballkanik në Durrës

Më 21 dhjetor në Durrës pritet të takimi i udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, një takim që është vazhdimësi e takimeve të dy muajve të kaluar për krijimin e një “Shengeni” ballkanik, një nismë e përbashkët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se Kosova nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”, shkroi në rrjetet sociale presidenti Thaçi.

Serbia, shkroi ai, “ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti Thaçi theksoi se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar.

Udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ranë dakord më 10 tetor që brenda vitit 2021 “të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit”.

Ata ishin marrë vesh që në takimet e radhës të ftohen edhe vendet tjera të rajonit dhe që dallimet që ekzistojnë për çështje të tjera, siç është dhe rasti mes Serbisë e Kosovës, nuk duhet të bëhen pengesë për të ecur përpara së bashku me këtë projekt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button