Komisioni i përbashkët maqedonaso-bullgar për çështjet historike mund të shuhet

Komisioni i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe bullgarisë për çështjet historike mund të mos punojë përsëri, paralajmëroi bashkudhëheqësi i palës bullgarëse, dr. Angell Dimitrov, transmeton “Mediapool.bg”, njofton Portalb.mk.

“Nga pala maqedonase e komisionit është ndaluar me argumentin se duhet që të harmonizohen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill. Ata refuzojnë që përsëri të takohemi dhe të bisedojmë. Mbetet çështja e madhe nëse në maj do të rifillojë puna e komisionit ose fare nuk do të fillojë”, thotë Dimitrov.

Anëtarët bullgar në Komisionin e përbashkët thonë se maqedonasit refuzojnë takime në kohën kur komisioni nuk arriti të harmonizojë qëndrim për Mesjetën dhe për Goce Dellçevin. Përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut në komision kanë filluar që ta kontestojnë edhe kompromisin e arritur për car Samoilin si sundues bullgar. Përpara komisionit si periudhë për zgjidhjen e çështjeve theksohet edhe Lufta e Dytë Botërore, që vlerësohet si temë më kontestuese, shkruan portali.

“Deri më tani kolegët kanë thënë se punojnë pa trysni politike dhe tani u dëshmua se puna e komisionit është problem i brendshëm politik për fqinjin tonë të ri. Për momentin jam pesimist se do të ketë ndryshim të punës së komisionit”, tha Dimitrov për Televizionin Nacional Bullgar.

“Mediapool.bg”, duke e transmetuar deklaratën e Dimitrovit, gjithashtu ka konstatuar se qeveria bullgare deri më tani nuk ka arritur ta shfrytëzojë situatën në Maqedoninë e Veriut që t’i arrijë rezultatet e dëshiruara në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Në vend të asaj, përfaqësuesit e qeverisë me komentet e tyre bëjnë luftë mediatike në Shkup të cilat me sukses po shfrytëzohen nga kundërshtarët e afrimit dhe tejkalimit të kontesteve mes dy vendeve. Komisioni ishte krijuar në pajtim me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017-të dhe zhvillimi i punës së saj është kontrolluar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, e cila preferon të mbajë ton diplomatik. Në llogari të kësaj, zv/kryeministri dhe lideri i VMRO-së, Kasmir Karakaçanov vazhdoi me komentet provokuese, të cilat shumë u përshtaten forcave antibullgare në Shkup”, shkruam “Mediapool.bg”.

Ndryshe, stuhi e re është ndezur në relacionin Shkup-Sofje, pasi Akademia bullgare e shkencave (BAN) mori qëndrim që gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se ajo është “normë e shkruar rajonale e gjuhës bullgare”. Veprimi i BAN-it është përgjigje e hapit të Asamblesë së ASHAM-it, e cila më 3 dhjetor miratoi Kartë për gjuhën maqedonase, në të cilën i ka shënuar faktet e pranuara shkencërisht për gjuhën maqedonase.

Historiani Dragi Gjorgiev, kryetar i ekipit të ekspertëve të Maqedonisë në Komisionin e përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, thotë se nuk është i befasuar nga qëndrimi i këtillë i BAN-it.

Sipas tij, atmosfera e këtillë ka mbizotëruar edhe në takimet e Komisionit.

“Kolegët bullgar gjatë bisedave kanë shmangur t’i përdorin nocionet “gjuhë maqedonase”, “kombi maqedonas”, “kulturë maqedonase” në kuptim historik. Deri para pak kohe, në procesverbalet për punën e Komisionit janë përdorur nocionet “pala maqedonase” dhe “pala bullgare”, por edhe nga dy takimet e fundit në përdorim ka qenë shprehje tjetër: “historianët nga Republika e Maqedonisë së Veriut”. Shmangien e mbiemrit “maqedonas-e” e kanë sqaruar me dispozita nga Marrëveshja e Prespës, ku ajo nuk përdoret për institucione dhe trupa të formuar nga shteti, ndërsa në atë korpus po bëka pjesë edhe Komisioni si trup i formuar nga Qeveria”, thotë Gjeorgiev.

Sipas tij, nuk mund të flitet për ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore nëse e mohojnë historinë e Maqedonisë nga gjysma e dytë e shekullit 19 deri në vitin 1944 dhe nëse mbizotëron qëndrimi se në vitin 1944 me dekret jemi bërë maqedonas në Jugosllavinë federative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button