Shkup, u prezantua raporti i UNDP-së për zhvillimin njerëzor

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, bashkë me përfaqësuesen e përhershme të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (UNDP), Narine Sahakyan, kanë prezantuar Raportin e Zhvillimit Njerëzor 2019 – Pabarazitë në zhvillimin njerëzor në shekullin 21, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prezantim të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, diplomatë si dhe përfaqësues të sektorit civil.

Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut gjendet në kategorinë e vendeve me zhvillim të lartë njerëzor dhe se ka arritur përparime të caktuara, sidomos në përfaqësimin gjinor, ku Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 36-të.

Megjithatë, ai theksoi se shumica e shteteve evropiane gjenden në një kategori më lartë se Maqedonia e Veriut, si vende me zhvillim shumë të lartë njerëzor, duke përmendur edhe largimin e të rinjve nga shteti.

“Përderisa ende bisedojmë për nivelin e rrogës minimale, tatimin progresiv, ndihmat sociale dhe masat e tjera të nevojshme për zvogëlimin e pabarazisë ekonomike, po shfaqet një gjeneratë e re e pabarazive e cila nuk mund të tejkalohet vetëm me politikat tradicionale ekonomike. Kuadrot e reja të kualifikuara nuk po largohen vetëm për shkak të nivelit të rrogave, por edhe shkaku i cilësisë së jetës dhe dinjitetit njerëzor”, tha Pendarovski.

Duke folur për raportin vjetor, përfaqësuesja e UNDP-së, Narine Sahakyan, tha se ai paraqet një pako me më shumë politika dhe zgjidhje që mund të ndihmojnë në uljen e pabarazisë.

“Në UNDP ne jemi të përkushtuar të shtyjmë kufijtë e zhvillimit njerëzor pa lënë askënd mënjanë, të nxisim veprimet lokale për ndryshime globale dhe shtyjmë kufijtë në mënyrën se si mendojmë, investojmë dhe si të arrijmë të kemi përparimin drejt arritjes së qëllimeve të zhvillimit global. Asnjëherë nuk është vonë për të vepruar, por duhet të fillojmë të veprojmë tani”, tha Sahakyan.

Prezantime mbajtën edhe Ben Slay nga Zyra e UNDP-së për Evropë dhe Azi si dhe Marjan Petreski nga instituti “Finance Think”, të cilët folën mbi të dhënat statistikore që i përmban raporti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button