Khan: Miliona myslimanë mund të largohen nga India

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se miliona myslimanë mund të largohen nga India, për shkak të shtet-rrethimit në territorin e diskutueshëm të Kashmirit dhe ligjit të ri të shtetësisë së Indisë.

Ai paralajmëroi rrezikun e një krize të re refugjatësh.

“Ne jemi të shqetësuar se ajo mund të çojë në një konflikt midis dy vendeve që posedojnë armë bërthamore”, tha Khan gjatë një adresimi në Forumin Botëror për Refugjatët në Gjenevë, transmeton REL.

“Vendi ynë nuk do të jetë në gjendje të strehojë më shumë refugjatë”, shtoi ai.

Më 5 gusht, India e revokoi autonominë e pjesës së administruar prej saj në Kashmir.

Në një fjalim, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se masa do të lejojë që Nju Delhi të heqë qafe rajonin e “terrorizmit dhe separatizmit”.

India administron Luginën e Kashmirit e cila është në masë të madhe e populluar, ndërkaq Pakistani kontrollon rajonin në perëndim, të cilin Nju Delhi e quan si Kashmiri i pushtuar nga Pakistani.

India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin.

Ndërkaq, ligji i ri për shtetësi i Indisë, të cilit iu referua kryeministri pakistanez, ka shkaktuar pakënaqësi edhe brenda Indisë. Vendi është përfshirë nga protestat e dhunshme në të cilat kanë vdekur së paku gjashtë persona.

Ligji lejon që jomyslimanët nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani, të cilët kanë hyrë në Indi në mënyrë të paligjshme, të bëhen shtetas.

Kritikët thonë se ligji është pjesë e agjendës së qeverisë për të margjinalizuar myslimanët dhe se shkel parimet laike, të përcaktuara me kushtetutë.

Qeveria mohon çdo paragjykim fetar dhe thotë se myslimanët nuk janë të përfshirë në ligjin e ri, sepse nuk janë pakicë fetare dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen e Indisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button