Guterres i kërkoi Këshillit të Sigurimit vazhdimin e operacioneve humanitare në Siri

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i kërkoi Këshillit të Sigurimit të autorizojë dërgimin e ndihmave humanitare përgjatë linjave kufitare dhe zonave të konfliktit në Siri.

Në një raport dërguar vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, Guterres tha se çdo muaj mbi 1 milionë njerëz pranojnë ndihma në rajonet ndërkufitare, transmeton REL.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë ndonjë mënyrë tjetër për të arritur të njerëzit në nevojë”, tha ai.

Që nga viti 2014, Këshilli i Sigurimit ka dërguar ndihmë përmes vendkalimeve kufitare të Sirisë me Turqinë, Irakun dhe Jordaninë.

Diplomatët thanë se, Gjermania, Belgjika dhe Kuvajti kanë përgatitur një projekt-rezolutë e cila parasheh zgjatjen e operacioneve të ndihmës edhe për një vit.

Sipas tyre Rusia dhe Kina – vende këto aleate të presidentit sirian, Bashar Asad – nuk u angazhuan në mënyrë konstruktive për projekt-rezolutën.

Në vend të kësaj, Rusia, e mbështetur nga Kina, qarkulloi të hënën një projekt-rezolutë që parasheh mbylljen e pikave të kalimit ndërkufitar në Irak dhe Jordani, duke lënë të hapura vetëm ato në Turqi.

Vitin e kaluar, Rusia dhe Kina abstenuan në miratimin e dokumentit që autorizonte operacionet e ndihmës.

Mandati për rezolutën aktuale përfundon më 10 janar dhe diplomatët thanë se ata presin negociata të vështira.

Guterres tha se viti 2019 shënoi “një përkeqësim të mëtejshëm të një situate tashmë jashtëzakonisht të vështirë humanitare për njerëzit në të gjithë Sirinë, ku mbi 11 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë”.

Konflikti në Siri ka nisur si pasojë e disa protestave kundër qeverisë në mars të vitit 2011 dhe që nga ajo kohë janë vrarë më shumë se 400.000 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button