Buxheti 2020, filloi diskutimi në parlament, opozita e quajti populist, mazhoranca e sheh si zhvillimor

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot në seancë plenare nisi diskutimi për propozimin-ligjin e plotësuar për buxhetin për vitin 2020. Ai i përmban 12 amendamentet e pranuara gjatë diskutimit në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ndërkaq në fokus janë investimet në kapitalin njerëzor, njofton Portalb.mk.

Për shumicën, buxheti për vitin e ardhshëm është zhvillimor, me mjete të kahëzuara drejt projekteve nga programi dhe interesat e qytetarëve. Për opozitën, ai është social, populist dhe parazgjedhor.

Ministrja e Financave, Nina Angellovska tha se në fokus të buxhetit për vitin e ardhshëm është kapitali njerëzor, përkatësisht sistemi më i mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetje e fuqishme për rritje të sektorit real.

“Buxheti 2020 mban moton ‘Investojmë në kapitalin njerëzor’ sepse kapitali njerëzor është më i rëndësishmi për zhvillimin ekonomik të një vendi. Vetëm më të lumtur dhe më të motivuar në vendet e tyre të punës mund ta japin maksimumin e tyre, ndërkaq edhe të mbeten ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, sepse shtëpia është shtëpi. Buxheti është kahëzuar drejt tre shtyllave themelore për zhvillimin e tij, do të investojmë në shëndetësi më të mirë, arsim më të mirë, kujdes social më të mirë, dhe në përgjithësi kushte më të mira për jetë të qytetarëve tanë”, theksoi ministrja.

Në debat, Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE e vlerësoi si social, populist, parazgjedjor dhe i cili nuk është buxhet i kahëzaur drejt kapitalit njerëzor.

Bashkëpartiaku i saj dhe koordinues i grupit të deputetëve, Nikolla Micevski theksoi se sot para tyre ka buxhet populist, joreal i bazuar, siç tha, në vetëm një bazë, e ajo është se kemi zgjedhje më 12 prill dhe duhet “qytetarët t’i joshim me gjëra të tjera përveç realitetit në Republikën e Maqedonisë, nga ajo që qytetarët çdo ditë e jetojnë” dhe kjo qeveri, që të dalë nga tërë kjo situatë gjeti një modus, sllogan “Investojmë në kapital njerëzor”.

Për Kostadin Kostadinov nga LSDM, buxheti nuk është populist, por planifikim normal i mjeteve financiare dhe vënie e mjeteve në atë që është nga programi dhe interes i qytetarëve.

Debati rreth buxhetit në pajtim me Rregulloren e Kuvendit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë pune.

Të ardhurat në Propozim-buxhetin për vitin 2020 janë projektuar në 222 miliardë e 300 milionë denarë (3 miliardë e 615 milionë euro), që paraqet rritje prej 5,6 për qind krahasuar me këtë vit. Tek shpenzimet në buxhet është planifikuar rritje prej pesë për qind në krahasim me vitin e kaluar me çka shpenzimet e përgjithshme paraqesin 239 miliardë e 700 milionë denarë, përkatësisht tre miliardë e 898 milionë euro.

Deficiti buxhetor për vitin 2020 është parashikuar në nivel prej 2,3 për qind të BPV-së, që është më i ulët se niveli në vitin 2019 kur paraqiste 2,5 për qind, në pajtim me Strategjinë fiskale 2020-2022, si dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button