Jovo Vangellovski i ka lejuar Apelit të vendosë për paraburgimin e gruas së gjykatësit të apelit

Po kalon viti i tretë nga qeverisja LSDM dhe BDI, por ka kaluar po aq kohë që partia në pushtet BDI dhe ajo në opozitë VMRO DPMNE, në një koalicion joformal kanë vazhduar të sundojnë në gjyqësor. Rasti i fundit i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor është shembull për atë se si funksionon koalicioni joformal Mickovski-Ahmeti, shkruan Portalb.mk.

Kandidati i BDI-së, Selim Ademi, u votua në Komisionin e zgjedhjeve dhe emërimeve nga deputetët e BDI-së, LSDM-së por edhe të VMRO-DPMNE-së. Propozimi i Pavlina Crvenkovska nga LSDM për t’u bërë anëtare e Këshillit gjyqësor hasi në kundërshtim te VMRO-DPMNE, përkatësisht votave të deputetëve të opozitës ajo nuk e kaloi filtrin e komisionit.

Për t’u bërë koalicioni VMRO-BDI edhe më i dukshëm kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e stafit në gjyqësor, ose në raste të caktuara, Ilija Dimovski, kryetari i komisionit, me të shpejtë e anuloi konkursin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor pasi Crvenkovska nuk u votua. Përndryshe, konkursi u shpall për dy vende në Këshillin gjyqësor, njëra për kandidat me kombësi maqedonase dhe tjetri kandidat me kombësi shqiptare. Por, BDI e cila është gjithmonë më gjindshme ka bërë marrëveshje vetëm për të preferuarin e saj përmes mbështetjes nga opozita.

Vendi për propozimin e LSDM-së mbeti bosh deri në konkursin tjetër. Nëse LSDM-ja nuk vepron shpejt, pasi Dimovski me anulimin e konkursit të vjetër nuk shpall të ri, atëherë e rrezikon atë vend në Këshillin Gjyqësor në të ardhmen dhe partnerët e koalicionit për gjyqësorin ta gëlltitin lehtësisht.

Para largimit, i konfirmoi marrëdhëniet me VMRO-DPMNE-në

Por shembulli me kandidatët për Këshillin Gjyqësor është pasojë e gjithçka që ka ndodhur në gjyqësor vitet e fundit, veçanërisht pasi PSP filloi me proceset gjyqësore kundër zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, por jo edhe të BDI-së. Kjo dëshmon për rolin e dyfishtë të partisë së Ahmetit. Ai i vardiset dhe e shantazhon LSDM-në që zyrtarët e tyre të mbeten të pandëshkuar, e në prapaskenë flirton me VMRO DPMNE-në.

Me një fjalë – loja është shumë më e madhe se përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Le të kujtojmë se pikërisht Këshilli gjyqësor mezi arriti në shtator të largojë Jovo Vangellovski nga Gjykata Supreme dhe nga pozita e Kryetarit të Gjykatës Supreme. Por ai u largua nga detyra në mënyrë skandaloze. Burime nga Gjykata Supreme raportojnë se ai personalisht, siç parashikohet nga rregullat ligjore, mori një vendim duke lejuar këshillin e Apelit të Shkupit të vendoste për paraburgimin e gruas së gjykatësit në të njëjtën gjykatë. Ky është një rast që nuk mbahet mend nga praktika gjyqësore.

Këshilli Gjyqësor
Këshilli Gjyqësor

Përkatësisht, për dosjen “Shkallët Spanjolle” u arrestuan disa persona, duke përfshirë edhe Emilija Radojkova, avokate e shtetit, e zgjedhur në vitin 2011, por edhe Dimitar Dimovski, anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dejan Mitrevski, kryetar i komitetit komunal të Aerodromit të së njëjtës parti, Mile Janakievski dhe disa të tjerë. Kur paraburgimi i Radojkovës mbaroi në Shkup, gjykatësit në atë gjykatë i kërkuan Gjykatës Supreme që ta përjashtonte atë nga çështja sepse burri i saj, Gjoko Radojkov, është gjykatës në atë gjykatë.

Por megjithëse rregullat në raste të tilla kërkojnë delegimin e juridiksionit në një gjykatë tjetër të apelit, në befasi të publikut, por jo edhe për VMRO-në, Vangellovski merr vendim skandaloz – lejon që gjyqtarët e apelit të vendosin për ndalimin e Radojkovës dhe, me sa duket, për shkak të kolegjialitetit ajo përfundon pa paraburgim. Jashtë janë zyrtarët tjerë të përmendur të VMRO DPMNE-së.

Përndryshe, dosja “Shkallët spanjolle” akuzon se janë lidhur kontrata për tjetërsim të tokës në pronësi të shtetit, përkatësisht katër lokacione për ndërtimin e komplekseve të hoteleve, si dhe të famshmet “Shkallë spanjolle”. Investitorët, edhe pse kanë pasur miratim, kurrë nuk kanë filluar me aktivitetet ndërtimore.

Përndryshe, Radojkovës, përveç burrit të saj, të cilit i dështoi plani të bëhet president i Gjykatës Themelore Shkup 2, vajza e saj është e punësuar në gjykatën e apelit Shkup si bashkëpunëtore profesionale, gjë që e bën çështjen dyfish kontroverse. Radojkova lidhet me Ilija Dimovski përmes zgjedhjes së saj në Komisionin e zgjedhjeve dhe emërimeve si anëtare e komisionit të shkallës së dytë në procedurat administrative.

Jovo Vangellovski
Jovo Vangellovski

A është Vangellovski arsyeja e parë?

Le të kthehemi te Jovo Vangellovski. Këshilli gjyqësor vërtetoi se ai kishte rast me sjellje të pandërgjegjshme, e ka ndërprerë paraburgimin për Sead Koçan, së bashku me dy gjyqtarë të tjerë, përkatësisht ka vepruar në bazë të një kërkese për mbrojtje të ligjshmërisë nga Prokurori Aco Kolevski nga Këshilli i prokurorisë publike, megjithëse nuk ka ekzistuar dispozitë ligjore që Prokuroria publike mund të ndërhyjnë në vendimet e PSP-së. Përveç Vangellovskit, në procedurë ankimimi janë e gjyqtarët e Supremes Risto Katavenovski dhe Rahilka Stojkovska, të cilët pësuan të njëjtin vendim me Koçanin.

Përndryshe, Këshilli i prokurorëve publikë, i cili ka të njëjtin rol si Këshilli gjyqësor, për të zgjedhur dhe shkarkuar, mbizotërohet nga anëtarët e mbështetur nga VMRO, dhe aktualisht ka vetëm një anëtar shqiptar. Vangellovski i zemëruar për skualifikimin dhe përfundimin e turpshëm të karrierës gjyqësore, nuk e lë çështjen të mbyllur, pret se gjyqtarët suprem do ta mbështesin dhe do ta shpëtojnë.

Procedura e ankimimit pas vendimit të Këshillit gjyqësor tani është në Gjykatën Supreme, ku do të vendos një komision i gjykatësve i përforcuar me katër gjyqtarë të apelit, megjithëse shumicën do ta kenë gjykatësit Suprem, por kur?
Burimet nga Gjykata Supreme komentojnë se po bëhen përpjekje për mbajtjen e seancës, por është e vështirë. Kishte presione të mëdha politike mbi gjyqtarët mbi vendimin përfundimtar për Vangellovskin.

Ky është një nga rastet për pazarllëk mes VMRO dhe BDI. Si? – VMRO-DPMNE do të bëjë çmos për të mbrojtur Vangellovskin, i cili është në kumbar me ish-kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovski, por edhe për shkak se, siç u dëgjua në incizimet e përgjuara, Jovo ishte grushti për goditje i partisë në gjyqësor. Vetëm në incizimet për të cilat pretendon se është i incizuar Orce Kamçev flet për atë se si Vangellovski e kishte liruar nga paraburgimi.

Tani sigurisht që edhe për të edhe për VMRO-në është më e rëndësishme të shpëtojnë gjyqtarin i cili ka ekzekutuar urdhrat e partisë, e kjo është e mundur vetëm me votat e gjyqtarëve shqiptarë që do të përfundonin si anëtarë të komisionit, e mbi të cilët BDI ka kontroll, sepse edhe ata ata kanë përparuar me ndihmën e partisë, që do të thotë se ata i dëgjojnë direktivat nga kreu i partisë. Prandaj, lidhja e VMRO-së dhe BDI-së në gjyqësor nuk guxon të ndërpritet.

VMRO-istë të mëdhenj janë në duart e BDI-së

Ndërsa atje, në Supreme, është rasti edhe me dënimin me burg për Gordana Jankullovskën. Ajo u dënua me katër vjet pasi Apeli ia uli dënimin e parë prej gjashtë vitesh, për blerjen e Mercedesit luksoz në MPB, për të cilin Nikolla Gruevski u dënua me dy vjet, e për ai aktgjykim ishte arsyeja që ai u arratis në Budapest.

Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska
Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska

Aktgjykimi i apelit është i formës së prerë dhe Jankullovska u desh të shkonte në burg, por jashtë praktikës së zakonshme, ashtu si në rastin e Vllado Buçkovskit për pjesët e tankeve të ARM-së, Supremja lejoi që ajo të mos e vuante dënimin derisa gjyqtarët suprem të vendosnin për çështjen, përkatësisht aktgjykimet e gjykatave të ulta. Ka kaluar një gjysmë viti, por Supreme nuk ka ende vendim për Jankullovskën.

Nëse ndiqet çështja e Buçkovskit, nuk do të ishte për tu habitur nëse do të përsëritej. Buçkovski nuk shkoi  dy vjet në burg, dhe derisa gjykatësit suprem taktizuan me mençuri me vendimin, u bë tepër vonë për një gjykim të ri për pjesët e tankeve, siç edhe vendosi në fund Gjykata Supreme. E njëjta taktikë po aplikohet tani edhe për Jankullovskën, por përsëri të rëndësishëm për VMRO-në janë gjykatësit e BDI-së. Nga njëra anë, sa më gjatë të jetë e mundur të mos ketë vendim për ish-ministrin e policisë, që në fund edhe nëse vendoset diçka, të vendoset me marrëveshje mes partive. Ky është një rast tjetër në të cilin varësia e Mickovskit dhe Ahmetit është shumë e qartë.

Nga kjo distancë lind pyetja nëse përfundimi i seancës parlamentare nga Talat Xhaferi, në të cilën në rend site ishte revokimi i imunitetit të deputetit Trajko Veljanovski, është pjesë e lojës së VMRO DPMNE dhe BDI. Së pari, është joserioze një pikë aq serioze të fillojë në orën 21:30 e pastaj të pritet që do të votohet deri në mesnatë. Më në fund, pak para mesnatës, kur seanca u shndërrua në kaos me bërtitje dhe tension, Xhaferi u largua nga salla i pari, duke ndërprerë seancën.

Kanë kaluar 10 muaj nga atëherë, Veljanovski ka imunitet, ndërsa procesi gjyqësor në të cilin ai akuzohet për organizimin e ndërhyrjes të dhunshme në parlament më 27 prill 2017, me disa anëtarë të tjerë të partisë, assesi nuk po fillon. Mburojën mbrojtëse të VMRO-së ose Veljanovskit praktikisht e mbanin deputetët e BDI-së, përkatësisht Talati. Përndryshe, prirja e Xhaferit ndaj Dimovskit ilustrohet edhe me shembullin e letrave që kryetari i kuvendit ia dërgon vazhdimisht gjykatësit Shabani për të justifikuar mungesën e deputetit në gjykatë nën pretekstin se deputeti ka obligime zyrtare në parlament. Dhe kështu deri në pafundësi.

Sidoqoftë, këto dy parti nuk mund të ndahen aq lehtë nga lidhja gjyqësor-dashuri. Pavarësisht se sa dëshirojnë që në publik të japin përshtypjen se nuk durohen mes veti dhe se nuk rregullojnë asgjë, përkatësisht se kjo është rastësisht dhe sipas ligjit, interesi dhe mbijetesa e tyre e tejkalon aktrimin e keq. Dhe po, që për VMRO dhe BDI është me rëndësi vendi i lirë në Këshillin Gjyqësor, i cili pritej se do t’i përkiste Pavlina Crvenkovskës, kuadër nga gjyqësori, me më shumë se dy dekada përvojë dhe se do të bëjnë çmos për ta lënë atë sa më gjatë që të jetë e mundur me qëllimin përfundimtar për të rekrutuar kuadrin e tyre.

Për këtë flet fakti që në seancën e njëjtë të Komisionit për zgjedhje dhe emërime kaluan propozimet e BDI-së dhe LSDM-së për anëtarë të Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencisë për qasje të lirë te informatat me karakter publik dhe kudo që Mickovski dhe Ahmeti nuk kanë aq interes sa ai në gjyqësor – një rrugë shpëtimi për kriminelët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button