ZOGU FENIKS

Jemi tre shokë që shkojmë në klasën e parë të normales. Shkojmë, po pyet njëherë si shkojmë. Zgjohemi në orën pesë të mëngjesit. Me gjelat. Bëhemi gati me ngut, mos të vonohemi sepse autrobusin e kemi në orën gjashtë e gjysëm. Do të thoni ju paski kohë e kohë. Them se jo, sepse deri te stacioni i autobusit na duhen nja njëzet e sa minuta duke e thërritur njëri-tjetrin, të bëhemi bashkë, ngase vetë në ditë të dimrit, në terr, nuk është lehtë të dalësh nga fshati. Plot qenë ka këtu e besa ndonjëherë rrugëve të fshatit kalon ndonjë lukuni ujqish.

Pak kohë na duhet për t’u veshur, pak për higjienën personale, pak deri sa me çanta në dorë nisemi së bashku, koha nuk na pret. Sa e kalojmë shtëpinë e fundit të fshatit, dritat e autobusit i cili vjen e që duken nga rruga atje nga rrafshnalta e largët na e tërheqin vërejtjen: ngutuni. E shpejtojmë hapin. Përfundi këpucëve tona të vjetra  kërcet bora e ngrirë – krrup, krrup, krrup! Pastaj ulërijnë ujqit diku përmbi fshat.

Ndjehemi mirë se nga kjo ulërimë na ndan fshati me dyqind shtëpi. Autobusi që vjen me shpejtësi, atmosfera magjike e mëngjesit dimëror ku drita mundohet ta ngrejë një fener mbi rrugën tonë dhe ku bora na e jep kuptimin e pafundësisë e bëjnë një pikturë në memorien time. Ndalet koha pak sa për ta bërë këtë pikturë. Shpejt pastaj dalim te vendi ku ndalej autobusi, te Laku, siç i thoshim. Dritat e autobusit herë humbin, herë duken. “Po afrohet, po afrohet”, thonë përnjëherë njerëzit tjerë që presin autobusin duke bërë muhabet e duke i fërkuar duart pres së ftohtit.

Derisa fjalët shqipe shpërndahen në ajër si nota të zogjve të malit, ne i përplasim këmbët e mardhura. T’i ngrohim kështu. Dhe, kuptohet dikush e thotë ndonjë shaka. Ta kemi më të lehtë pritjen me këto këpucë që na janë ngrirë.

Më në fund autobusi vjen. Njerëzit shtyhen të gjejnë ndonjë skutë brenda në autobusin e stërngarkuar. “Gati”, thotë konduktori. Shoferi i mbyll dyert e niset. Ngushtë është sa të duash, po njerëzit janë rehat, ngase janë brenda sigurisë, ngase ndodh që autobusi të prishet e mos të vijë fare. Atëherë? Si ia bëjmë ne atëherë. Mbetemi pa shkuar në shkollë e askush nuk na i arsyeton mungesat.

Arrijmë në shkollë. Jemi vonë. Trokasim të ndrojtur në derë të klasës. Kërkojmë falje, se autobusi na ka vonuar. “Autobusi juaj, problemi juaj”, na thonë. Na lejojnë të ulemi me një gjysmë zëri. Pastaj, në klasën e ngrohtë fillojnë të na  shkrihen këpucët e ngrira dhe na lirohen muskujt e mardhur. Pastaj njërin nga ne e merr gjumi. Profesori i biologjisë e përsërit qortimin e tij: “S’është e thënë, të gjithë ta bëjnë shkollën. Neve na duhen edhe bujq, na duhen fshatarë”!, thotë. Më mirë do të më kishte ardhur të ma jepte ndonjë shpullë se sa të më godasë me këto fjalë të rënda.

Ç’dreq këto fjalë edhe pas aq shumë vitesh vazhdimisht m’i sjell në vesh jehona, këto fjalë kërcënimi?! Të thuash se vijnë nga nostalgjia për ato kohë fëmijërore, s’ma merr mendja. Jo, ato s’janë ndonjë mall për të kaluarën, po janë një kanosjar i padukshëm me shkop në dorë që duke të goditur ta tërheq vërejtjen se për fshatarin rruga jetësore nuk do të jetë e lehtë. Veçmas nëse përcaktohesh për rrugën e drejtë. Këto fjalë janë edhe nisma e mundimeve të nxënësve të dikurshëm fshatarë drejt të panjohurës, një nismë e stërpikur me pika të hidhëta të melankolisë që gjatë tërë jetës do të ngrihet si digë e hekurt në luftën tonë për të dalë në dritë dhe në ëndrrën për ta dhënë kontributin e gjakuar për përparimin e popullit tonë të munduar.

Megjithatë këto biga s’na ndalën.

Ky brez i të rinjve të dikurshëm ishte si Anteu, i lidhur për këtë dhé dhe ishte i gatshëm të bëjë gjithçka për vatrën styrgjyshore. Jo si tash që thonë: s’ke zgjidhje, s’ke pse lufton këtu.

Ne e kërkonim zgjidhjen dhe e gjenim duke ngritur oxhaqe të reje. Sepse e dinim: këtu ku flitet hjuha shqipe lindet e digjet e përsëri lindet përjetësisht zogu feniks. Jo atje ku flitet gjuha e panjohur. Atje ku flitet gjuha e panjohur atje  është oqeani i harresës ku përfondon përgjithmonë ky zog.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button