Hetimet për dosjen “tërmeti” në Durrës, dyshimet: 4 “përgjegjës” fshihen në Itali, 3 në Tiranë

Prokuroria dhe Policia e Durrësit kanë mundur të identifikojnë vendndodhjen e 7 personave që gjatë së shtunës u shpallën në kërkim, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për jetët e humbura në disa prej godinave të shkatërruara nga tërmeti i 26-nëntorit në Durrës, njofton RTSH.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë të ditur, se 4 prej “përgjegjësve” dyshohet se janë larguar në Itali,fill pas lëkundjeve të forta të tërmetit, ndërsa 3 të tjerë dyshohet se po fshihen në Tiranë.

Sipas grupit hetimor, autoritetet shqiptare kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e homologëve Italinë, për të bërë të mundur lokalizimin e personave që dyshohet se janë në shtetin fqinj, e më pas ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.

Lidhur me 3 përgjegjësit që dyshohet se janë në Tiranë, gjatë së shtunës, por edhe të dielës, janë realizuar kërkime në disa zona të kryeqytetit.

Personat e shpallur në kërkim janë: Arben Qato pronar i Vila Palma, Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë, Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit,  Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit, Artur Cela, ish-drejtori i INUV, Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, Artur Terziu, pronari i ‘Bar Barons’ dhe dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë.

Por, ashtu siç pritet, hetime pritet të ketë dhe për viktimat e Thumanës ku po hetohet për disa persona si përgjegjës, mes tyre edhe funksionarë publikë.

Tërmeti në Thumanë, Durrës
Tërmeti në Thumanë

Organi i akuzës në qytetin bregdetar, firmosi mbrëmjen e së premtes 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë.

Grupi hetimor dyshon,  se dëmtimet, shembjet e godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

Gjatë së shtunës u vunë në pranga 9 persona ndërsa 9 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Ndaj tyre rëndon edhe akuza e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button