Senati dhe procesi i hetimit për shkarkimin e Presidentit Trump

Qysh në javën e ardhshme, Donald Trump mund të bëhet presidenti i tretë amerikan ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për shkarkimin e tij. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, voton për ngritjen e akuzave për abuzim pushteti ndaj Presidentit Trump, çështja kalon në Senatin e kontrolluar nga republikanët për një gjykim në fillim të vitit të ardhshëm. Senati është një mjedis politik shumë më i favorshëm për presidentin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Uashington, Jim Malone sjell më shumë hollësi mbi procesin e gjykimit në Senat.

Në Senat, një thirrje nga kapelani Barry Black.

“O Zot, drejtoji senatorët tanë në shtigjet e duhura, pranë ujërave të qeta, shëro shpirtrat e tyre.”

Senati ka kaluar nëpër këtë rrugë në të kaluarën, transmeton Zëri i Amerikës.

Në vitin 1999, Presidenti Bill Clinton u lirua nga akuzat se gënjeu dhe pengoi drejtësinë në lidhje me aferën e tij me praktikanten Monica Lewinsky.

Në vitin 1868, Presidenti Andrew Johnson i mbijetoi me një votë një gjyqi në Senat pasi ndaj tij u ngritën akuza për shkelje të akteve të Kongresit që mbrojnë zyrtarët e lartë të qeverisë nga shkarkimi.

Në rastin e Presidentit Trump, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e kanë akuzuar atë për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit në hetimin për dyshimet se Presidenti i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival politik, demokratin Joe Biden.

Ligjvënësi Jerry Nadler është kryetar i Komisionit Juridik të Dhomës të Përfaqësuesve.

“Presidenti ynë ka nivelin më të lartë të besimit publik. Kur ai e tradhton atë besim dhe e vë veten përpara vendit, ai rrezikon Kushtetutën, demokracinë dhe sigurinë tonë kombëtare.”

Presidenti Trump ka mohuar akuzat dhe po llogarit ndihmën e republikanëve të Senatit për ta liruar atë nga akuzat.

“Demokratët e majtë radikal dhe klasa e dështuar politike e Uashingtonit po përpiqen të fshijnë votat tuaja, të anulojnë zgjedhjet dhe të rrëzojnë demokracinë tonë. Kjo nuk do të ndodhë, mos u shqetësoni. Nuk do të humb asnjë sy gjumë për këtë.”

Republikanët e Kongresit i kanë qëndruar besnik Presidentit Trump, në përjashtim të vetëm disa senatorëve që kanë shprehur kritika ndaj tij deri më tani, thotë Julie Pace.

“Nuk do të thotë që ata do të votojnë për ta dënuar atë, por do të thotë që ne mund të shohim një skenar në të cilin të paktën do të kemi disa anëtarë të partisë së Presidentit Trump që shprehin shqetësim të vërtetë për veprimet e tij me Ukrainën.”

Për të shkarkuar presidentin, nevojiten dy të tretat e Senatit, pra 67 nga 100 senatorët do të duhej të mbeshtesnin akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump.

Kjo është e pamundur, thotë analsti Larry Sabato.

“Unë nuk shoh asnjë rrugë përmes të cilës mund të merret mbështetja e 20 senatorëve republikanë për të votuar në favor të shkarkimit të Presidentit Donald Trump. Ata mund të votojnë për shkarkimin dhe pastaj të shpallin dorëheqjet e tyre sepse ata nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë në postet e tyre për shumë kohë pas një votimit të tillë.”

Pavarësisht nga rezultati, një gjyq në Senat mbi shkarkimin e Presidentit do të jetë një provë e madhe për demokracinë amerikane, thotë senatori demokrat Mark Warner.

“Unë do të shpresoja dhe lutesha që të gjithë kolegët e mi të Senatit do të reflektojnë dhe ta kuptojmë se kjo është ndoshta përgjegjësia më e rëndësishme kushtetuese që kemi.”

Edhe nëse Presidenti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat, veprimet e tij mbi Ukrainën ka të ngjarë të jenë një çështje kryesore në fushatën presidenciale të vitit 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button