Kritika të ashpra ndaj Konferencës Botërore të Klimës

Shoqëria civile paralajmëron për dështimin e Konferencës Botërore të Klimës në Madrid për shkak të formulimeve të deklaratës përfundimtare. Negociimi i saj u shty deri të shtunën.

Përfaqësues nga shoqëria civile janë shprehur të tronditur për rrjedhën e bisedimeve në Konferencën Botërore të Klimës në Madrid. Drejtuesja e Greenpeace International, Jennifer Morgan, i cilësoi përfundimet aktuale të deklaratës si „mashtrim ndaj njerëzve në të gjithë botën” dhe „të papranueshme”. Morgan kritikoi, që Kili, vendi që mban presidencën e radhës në këtë konferencë ka dëgjuar më shumë ndotësit e klimës dhe jo njerëzit.

Drejtori i Iniciativës, Power Shift Africa, Mohamed Ado, tha se formulimet janë „katastrofike” dhe se e hedhin botën me vite pas, në vend që të reagojnë për ndryshimet e klimës. „Nëse do thoja ndonjëherë, se qeveritë e menderosën, këtë do ta thoja sot në Madrid”, tha Ado, transmeton Top Channel.

„Gjendja aktuale e bisedimeve është një katastrofë, dhe nuk mund të jetë varianti përfundimtar”, tha Sabine Minninger nga organizata humanitare „Bukë për Botën (Brot für die Ëelt). Edhe drejtuesja e delegacionit të WWF, Vanessa Perez-Cirera, deklaroi, se „jemi të shokuar për tekstin përfundimtar shumë të dobët.” Sipas saj janë hequr referimet për emergjencën absolute të kontributeve që duhen për mbrojtjen e klimës në vitin 2020. Para një forcimi të krizës së klimës, kjo është e papranueshme.

Në Konferencën Botërore për Klimën frontet janë ashpërsuar. BE, Gjermania dhe disa vende nuk janë dakord me tekstin përfundimtar të deklaratës, u tha të shtunën.

Mungon një thirrje e qartë për premtime më të mëdha në mbrojtjen e klimës vitin e ardhshëm, si ka qenë e parashikuar në planin ndërkombëtar. Shtetet me ndotjen më të lartë, si SHBA dhe Australia kërkojnë zbutjen e teksteve, që duhet të miratohen në fund, me konsesus.

Grindje ka pasur edhe për rregullimin e tregtisë së emetimeve të gazrave ndotës dhe mbështetjen financiare për vendet e varfra në luftë kundër ngrohjes globale. Sipas Marrëveshjes për Klimën në Paris, 2015, shtetet duhet të forcojnë në vitin e ardhshëm strategjitë e tyre për kufizimin e ngrohjes globale në një masë të pranueshme. Konferenca tjetër Botërore e Klimës zhvillohet në Glasgou, Britaninë e Madhe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button