I shqetësuar për moshën e dy anëtareve, Ilija Dimovski për të 11-tën herë ka kërkuar të prolongohet “Talir”

Procesi gjyqësor për “Talir” nga janari i vitit 2019 është në zero dhe assesi nuk mund të fillojë, njofton Portalb.mk.

Deputeti Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE sot pa sukses kërkoi të prolongohet për herë të 11-të seanca gjyqësore për akuzën e PSP-së për pastrim të 5 milionë eurove nga Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski si dhe tre persona fizikë dhe thjeshtë, partia.

Në fillim u ngrit Dimovski dhe i tha gjykatësit Osman Shabani që dy nga tre anëtaret e porotës së shpejti do të mbushin moshën 60 vjeçe, që sipas ligjit për Këshilli gjyqësor, është limiti i moshës për pjesëtarë porote në gjyq. Tha se për këtë do ta njoftojë edhe kryetarin e Gjykatës penale, Ivan Xholev dhe Këshillin gjyqësor që të mos rezultojë se ka filluar gjykimi, ndërsa për shkak të ndërrimit të pjesëtareve të porotës, pastaj të kthehet nga e para.

Ky proces gjyqësor nga janari i vitit 2019 është gjithsesi në zero dhe assesi nuk mund të fillojë. Ende nuk është dhënë pretencat nga prokurorja Lençe Ristoska.

Dimovski kërkoi që gjykimi i sotëm të mos mbahet, të vazhdohet në terminin e ardhshëm 23 dhjetor, për të pasur kohë, siç ka thënë, Këshilli gjyqësor të ndërmerr masa rreth anëtareve të porotës në “Talir”.

I befasuar që i akuzuari Dimovski ka mësuar moshën e pjesëtarëve të porotës, Shabani e ka falënderuar për sugjerimin dhe tha:

“Unë nuk e di çfarë moshe janë anëtarët e porotës, nuk është punë imja, por është punë e Këshillit gjyqësor. Dhe kjo nuk është temë e seancës së sotme gjyqësore”.

Pastaj Ristoska foli rreth listës së propozuar të provave të të pandehurve, si dhe për dëshmitarët e propozuar nga ata, që ende konsiderohet vetëm si fazë përgatitore për gjykimin që assesi nuk po mund të nisë.

PSP ka gjetur fletëpagesa, dokumente dhe prova tjera materiale, si dhe deklarata prej dëshmitarëve për afro 5 milionë euro që janë pastruar.

Akuza për financim të paligjshëm të VMRO-DPMNE-së i ngarkon: Nikolla Gruevskin për Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe për Pastrim të parave dhe të ardhurave tjera nga vepra penale. Gruevski është arratisur në Hungari dhe në të gjitha proceset i gjykohet në mungesë.

Për të dy veprat e njëjta penale (që sanksionohen me burg) të akuzuar janë edhe Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, i cili është në paraburgim shtëpiak.

Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski janë të akuzuar për Pastrim të parave dhe të ardhurave tjera. E akuzuar ka qenë edhe Elizabeta Çingarovska, e cila e ka pranuar fajin. Edhe partia VMRO-DPMNE si person juridik është e akuzuar për Pastrim të parave dhe të të ardhurave tjera.

Gruevski ngarkohet se në periudhën prej 2009 deri 2015, duke e keqpërdorë pozitën zyrtare, në kundërshtim me Ligjin për financim të partive politike dhe Ligjin për parandalim të korrupsionit, ka siguruar financa nga burime anonime dhe të paligjshme për financim të VMRO-DPMNE-së. Atij i kanë ndihmuar Bozhinovski dhe Janakievski të cilët, në drejtim të sigurimit të mjeteve për kryerje të veprës penale, kanë ushtruar presion mbi përfaqësues të firmave të cilët kanë pasur marrëveshje të nënshkruara për prokurime publike me organe shtetërore, ndërmarrje publike ose njësi të vetëqeverisjes lokale, me çdo kusht të sigurojnë kesh para për nevojat e financimit të VMRO-DPMNE–së si kundër-shpërblim për tenderët e fituar.

Mjetet financiare të gatshme, kështu të siguruara, Nikolla Gruevski nuk i ka kthyer në buxhet, prej nga kanë ardhur, që është obligim në pajtim me Ligjin për financim të partive politike. Me atë ka siguruar mjete të paligjshme për financim të VMRO-DPMNE–së në shumë prej së paku 4.608.661 euro.

Për të mbuluar që mjetet e këtilla burojnë nga vepra penale, të akuzuarit Gruevski dhe Bozhinovski, e në periudhën nga 2011 deri 2015 edhe të akuzuarit Janakieski dhe Elizabeta Çingaroska, kanë organizuar që mjetet të paguhen në gjiro llogarinë e VMRO-DPMNE–së nëpërmjet pagesave me para kesh në PP10 fletëpagesa në të cilat janë shënuar të dhëna të pasakta se pagesën e bëjnë personat e shënuar në ato fletëpagesa, megjithëse kjo nuk ka qenë rasti.

Pasi mjetet financiare të cilat kanë ardhur nga vepra penale janë futur në gjiro llogarinë partiake, të akuzuarit Ilija Dimovski, Elizabeta Çingaroska, Leko Ristoski dhe Mile Janakieski, si nënshkrues të autorizuar në llogarinë e partisë politike, edhe pse e kanë ditur që paratë burojnë prej veprës penale, i kanë lëshuar në qarkullim me nënshkrim të urdhërpagesave për obligimet dhe blerje të pronës së patundshme për partinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button