Bora e parë arriti, teleferiku me gjashtë ulëse në “Kodrën e Diellit” ende nuk është gati

Teleferiku me gjashtë ulëse në “Kodrën e Diellit” premtohet plot pesë vite. Edhe pse bora e parë ka rënë dhe ditët e hapjes së sezonit dimëror po afrohen, ky teleferik ende nuk është lëshuar zyrtarisht në përdorim. Ministri Bekteshi u shpreh optimist se i njëjti së shpejti do të vendoset në funksion, kurse nga “Elem Turs”-i mbeten me arsyetimin e njëjtë tash 6 muaj, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse premtimi për vendosjen në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse në “Kodrën e Diellit” i mbush plotë pesë vite, personat kompetent nuk hezitojnë që të njëjtin premtim ta përsërisin në secilin prononcim të tyre për këtë temë.

Në një prononcim për Portalb.mk, Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u shpreh optimist se skiatorët e “Kodrës së Diellit” do ta kenë në funksion teleferikun me gjashtë ulëse për sezonin 2019/2020.

Por, edhe pse u kërkua nga redaksia jonë, ministri Bekteshi nuk premtoi që në afat prej 15 ditësh ta bëje publike dokumentacionin për lëshimin në funksion të teleferikut.

“Teleferiku me gjashtë ulëse është e sigurt që do të vendoset në funksion, me fillimin e sezonit dimëror ai do të jetë aty. Sezoni ende nuk ka filluar, “Elem Turs”-i është duke i bërë përgatitjet e fundit dhe ai teleferik do të jetë shumë shpejt gati për skiatorët të cilët skijojnë në “Kodrën e Diellit”” tha Kreshnik Bekteshi.

Ka 6 muaj që arsyetimi për mos lëshimin në funksion të këtij teleferiku nga ana e “Elem Turs”-it është identik. Sipas tyre, procedura për lëshimin e tij “ka ngecur në çështje administrative”.

Kontrata për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar në vitin 2014, ndërtimet e teleferikut kanë filluar në qershor 2016 por Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor shkaku i disa parregullsive, solli vendim për ndërprerjen e punimeve në korrik 2016. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2018.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet “Kodra e Diellit”.  Dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë. Në të ishte investuar në infrastrukturë, ka pasur gara skijimi me garues nga e tërë bota dhe ishte destinacion i preferuar për shumë aplinistë dhe skijator. Sot, ka ngelur vetëm dëshira e madhe e turistëve skijator për ta parë këtë qendër të zhvilluar si dikur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button