KUR NDAN DREJTËSI ARUSHA

Pas raportit të Komisionit të Venedikut, Ligji për përdorimin e gjuhëve u bë sërish temë qendrore në Maqedoninë e Veriut. Pala maqedonase, që e ka halë në sy Gjuhën shqipe, e priti me ngazëllim sihariqin dhe po i trumbeton në opinion pikat që pandeh se mund ta rrënojnë pa ndonjë problem ligjin e miratuar para shumë muajsh në Kuvendin republikan, që, në raport me Ligjin paraprak të vitit 2008, e ka avancuar përdorimin e Shqipes. Prandaj në mediet skajshmërisht të politizuara rrotullohet me zhurmë konstatimi i Komisionit, sipas të cilit Ligji në fuqi rrezikuaka keq funksionimin e sistemit gjyqësor të vendit, që i bie sikur, gjer më tani, drejtësia paska funksionuar në mënyrë perfekte, po ne s’e paskemi ditur!? Natyrisht, nuk lihet pa u stërpërsëritur edhe pjesa e raportit që kritikon Ligjin aktual, i cili paska shkuar aq larg dhe paska kapërcyer standardet evropiane lidhur me përdorimin e gjuhëve të pakicave, për ta mbyllur të tërën me lavdërimin që Komisioni ia bëri vendit të çudirave për përmirësimin e gjendjes së gjuhëve të bashkësive joshumicë.

Një kategori qibarësh e kosmopolitësh të vetëquajtur maqedonas e lidhin brengën e tyre me pamundësinë financiare që kërkon zbatimi praktik i Ligjit për përdorimin e gjuhës sonë të lashtë, e cila (kjo duhet t’u thuhet hapur mohuesve të saj) nuk është krande a gjeth i hajthëm dege, si ndonjë gjuhë tjetër, po degë e trungut të familjes së gjuhëve indoevropiane, në të cilat flet e shkruan 45% e popullatës së botës. Kjo kabile albanofobësh “demokratë” nuk mund të pajtohet me shpenzimet që do të kërkojë në veçanti zbatimi i Ligjit në proceset gjyqësore, ku shqiptarët e gjorë dënohen ditëpërditshëm dhe si askush tjetër. Ndryshe, përse do të flitej aq dendur për rastet e montuara, që shkërmoqin  jetë shqiptarësh hapsaneve për faje të cilat prej vitesh nuk i dëshmon kush.

Siklet kanë dhe “ekspertët” e drejtësisë së arushës, që, në raportin e Komisionit të Venedikut, kanë gjetur porosinë për verifikimin e menjëhershëm të Ligjit për përdorimin e gjuhës përqindje në proceset gjyqësore, për kufizimin e vëllimit të përdorimit të saj në komunikimet zyrtare me shkrim, për pezullimin e dënimeve me para për shkelësit e Ligjit aktual të gjuhëve gjer në rishqyrtimin e tij të domosdoshëm sipas udhëzimeve të Komisionit të Venedikut.

Ngjashëm si këta, edhe VMRO-ja opozitare kërkon tërheqjen e menjëhershme të Ligjit, për t’u bërë një ligj i ri, ku do të marrin pjesë dhe bashkësitë/pakicat tjera etnike në Maqedoni, të cilat kjo parti nuk i quan akoma “të Veriut”, sepse Kushtetutës ia njeh vetëm nenet diskriminuese për shqiptarët. VMRO-ja prihet (agjetekoftë!, do të thoshte gjyshi im i urtë…) nga idetë “demokratike”, ndaj kërkon t’na barazojë brenda thesit hegjemonist ku i ka kllumur pakicat e vërteta të vendit…

Për habinë e pushtetarëve shqiptarë, që u besojnë verbërisht danajve sa herë që luajnë përpara tyre rolin e dashamirëve, në krah të “ekspertëve” të drejtësisë së arrushës, po dhe VMRO-së, është dhe kryeministri i vendit, që me komentet e tij lidhur me raportin jozyrtar të Komisionit të Venedikut, është me kilometra larg shqiptarëve, të cilët nuk e paskan kuptuar se qeveria ka vendosur t’i zbatojë të gjithë vërejtjet për Ligjin e përdorimit të gjuhëve që do të dalin nga ky Komision i Këshillit të Evropës. Të vetmin problem, z. Zaev e sheh në mospajtimin e partnerëve shqiptarë në qeveri, të cilët paskan menduar se Komisionit i është dërguar gjithë ligji, jo vetëm nenet që lidhen me përdorimin e gjuhëve në uniforma ushtarakësh, policësh, zjarrfikësish, mjekësh…, në monedha e letra me vlerë, në pulla postale, fletëpagesa, raporte fiskale…

Këto janë në vija të trasha reagimet e palës maqedonase lidhur me raportin e Komisionit të Venedikut, që në këso rastesh, ashiqare i përafrojnë platformat (parimet, pikëpamjet, programet politike e ideologjike…). Politikanët shqiptarë, ndërkaq, sikur mezi i presin këto raste për të thelluar hendeqet ndarëse/ përçarëse, gjë që shihet në distancat e deklaratave të tyre lidhur me çështjen në fjalë. Kështu, gjersa për zëvendëskryeministrin Bujar Osmani: Komisioni i Venecias përshëndet përdorimin e zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e inkurajon e përgëzon qeverinë për këtë guxim për të zgjeruar përdorimin e shqipes në aspektin zyrtar…; gjersa për deputetin Artan Grubi: Raporti i Komisionit të Venedikut për Ligjin e gjuhëve: ka mbështetur tërësisht politikat e Bashkimit Demokratik për Integrim për barazi gjuhësore…, për partnerin tjetër shqiptar në qeveri – Alternativën: Gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar por vetëm është përparuar, ndaj është Kushtetuta ajo që mund ta zgjidhë përfundimisht përdorimin e saj zyrtar në tërë vendin.

E afërt me qëndrimin e Alternativës është dhe qëndrimi i partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët, sipas së cilës: Ne shqiptarët nuk jemi pakicë këtu, por jemi një bashkësi përbërëse, mbi 25%. Ndaj: insistojmë të bëjmë ndryshime kushtetuese dhe ta bëjmë shqipen gjuhë zyrtare, jo gjuhë të 20 përqindëshit… Subjekti tjetër opozitar – Lëvizja Besa kërkon: bashkimin e partive shqiptare lidhur me këtë pikë, për ta zgjidhur një herë e mirë problemin e Guhës shqipe.

Tani, mbase për shkak të injorancës dhe njohurive idiote që kam për ligjet e vendit që nuk ka respekt për Gjuhën time, përkundër faktit se e kam të qartë se atyre (ligjeve) nuk u bien dot në fije as profesionistët e fushës së dretjësisë (ndryshe përse kryeministri do ta shprehte para disa ditësh publikisht pakënaqësinë me organet e drejtësisë së vendit të cilin e qeveris?), po e mbyll shkrimin me të dhënën se, anëtare aktuale e Komisionit të Venedikut nga Maqedonia e Veriut është profesoresha e mirënjohur për qëndrimet restriktive ndaj të drejtave legjitime të shqiptarëve Tanja Karakamisheva. Ajo, me vendim të qeverisë, në vitin 2016 e ka zëvendësuar kolegen e saj me të njëjtin disponim ndaj nesh – profesoreshën Gordana Siljanovska.

Sa i takon profesoreshës T. Karakamisheva, ajo hyri e para në luftë me zëvendëskryeministrin Bujar Osmani lidhur me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, që janë joobligative për qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Në profilin e saj në facebook, ajo shkruan: Bujar Osmani deshi t’i manipulojë ekspertët e Komisionit të Venedikut, duke thënë se: qeveria kërkon vetëm zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetutës dhe ligjit… Ajo lanson dhe apele ultimative, nëpërmjet të cilëve i fton bashkëkombasit ta mbrojnë atdheun nga Gjuha shqipe: Të mos lejojmë të manipulohemi për shkak të injorancës! Mendoni mirë çfarë do të humbim nëse këto 4 amandamente shkojnë në dreq të mallkuar? Do të shpëtojmë nga Republika e Maqedonisë së Veriut? Do të çlirohemi nga retushimi idiot i historisë maqedonase? PO!  Për dy amandmantet tjera (fjalën e ka për mbrojtjen e të dreajtave të pakicave, ku, sipas saj, bëjmë pjesë dhe ne…) nuk ka nevojë ta them sa PATETIKË janë!

Si thoni, lexues të respektuar? A ka mundur të jetë ndryshe raporti i Komisionit të Venedikut lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, kur anëtarë të tij janë ekspertet e të drejtës ndërkombëtare si zonjat e sipërpërmendura?

Sigurisht: JO! Po nuk e di a kanë pasur mundësi reale partitë shqiptare në pushtet të mos e lejojnë dërgimin e Ligjit (edhe ashtu jashtëkushtetues) në një Komision, që mund të merrej me mend se do të sjellë vendime në bazë të instruksioneve të “dashamirëve” tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button