Faik Ispahiu: Politikanët e korruptuar, të maskuar si gazetarë, janë burimi i lajmeve të rreme në Kosovë

Faik Ispahiu ka diplomuar për Regji në Televizion, Film, Radio dhe Teatër dhe ka 21 vite përvojë (që nga 1997), në pozita menaxhuese, mbikëqyrëse, trajnimi, mbështetje të gazetarisë profesionale dhe zhvillimin e medias së lirë dhe të pavarur në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, njofton “Vërtetëmatësi“.

Faik Ispahiu është regjisori dhe producenti ekzekutiv i debateve më të shikuara për ngjarjet aktuale “Jeta në Kosovë”, “Drejtësia në Kosovë” të BIRN-it dhe “Internews Kosova”, si dhe debateve “TEMA” – serialit të parë të debatit televiziv që fokusohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të transmetuar në Kosovë, Serbi dhe stacione të tjera televizive në rajonin e Ballkanit.

Ai është gjithashtu themeluesi i Krypometër, mekanizmi i kontrollit të fakteve të BIRN që është dhe anëtar i Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve – IFCN, krijues i platformës së vetme të medias sociale në Kosovë www.kallxo.com, që iu mundëson qytetarëve të raportojnë rastet e korrupsionit, konfliktit të interesit të zyrtarëve publikë si dhe ka qenë anëtari i ekipit që zhvilloi portalin online www.gazetajnk.com i njohur si lider në raportimin hulumtues në Kosovë.

A di publiku t’i dallojë lajmet e rreme dhe sa shpesh shfaqen ata në mediat në Kosovë?

Sistemi arsimor në Kosovë nuk garanton ndërtimin e mendimit kritik tek lexuesit, përfshi këtu edhe lexuesit e lajmeve dhe informacioneve.

Në nisje të demokracisë, në fillim të viteve ’90, komunitetet kryesore që jetojnë në Kosovë vazhdimisht janë bombarduar me lajme të rreme të njërës palë pa pasur mundësi të merren informacione për palën tjetër.

Kjo ka krijuar një situatë kur i gjithë informacioni rreth ngjarjeve ka pasur dy të vërteta: një të prodhuar nga mediat shqipe që në atë kohë operonin gati në gjysëmilegalitet, e shpesh në bashkëpunim me mediat kredibile perëndimore (BBC, DW, RFE, CNN, etj.) dhe ”e vërteta” tjetër nga mediat shtetërore të kontrolluara nga pushteti i Millosheviqit.

Kultura e të pavërtetave ka vazhduar edhe pas luftës së fundit në Kosovë, kur fokusi u bart tek gazetat dhe mediat politike të cilat raportonin njëanshëm për partitë të cilat i financonin.

Duke mos i zbatuar standardet gazetareske, mediat e lidhura me politikën arritën nivel të shitjeve rekorde dhe financim milionësh nga bizneset e lidhura me politikën, me grupe radikale dhe agjenda shtetërore të vendeve jashtë Kosovës që tentojnë të shtrembërojnë historinë dhe të kaluarën.

Në mungesë të sistemi arsimor, i cili do të edukojë opinioni, si dhe në mungesë të mjeteve për mbështetje të gazetarisë profesionale, lajmet e rrejshme dhe skema e tyre është transmetuar nga gazetat, televizionet, radiot, deri te portalet dhe online tabloidët, të cilët prodhojnë informacione të rrejshme dhe të paarsyetueshme, krijuan miliona ndjekës të cilët i konsumojnë dhe ju besojnë këtyre informacioneve.

Gjatë viteve 2018 dhe 2019 KALLXO.com ka realizuar me dhjetëra trajnime për studentë të gazetarisë dhe fakulteteve tjera në Kosovë dhe gjithashtu edhe për gazetarë që tashmë ushtrojnë këtë profesion.

Duke u bazuar në komunikimin me studentët dhe gazetarët gjatë këtyre trajnimeve, mund të them se mungon aftësia e duhur për të identifikuar dhe dalluar lajmet e rreme, mungojnë njohuritë e duhura për të verifikuar dhe testuar vërtetësinë e informacionit dhe në veçanti nuk ka njohuri për mekanizmat që mund të përdoren për të luftuar lajmet e rreme, duke filluar nga mekanizmat vetërregullues si KMSHK (Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës), rregullues si KPM (Komisioni i Pavarur i Mediave), apo njohuri ligjore për të iniciuar padi për shpifjes në gjykatat e vendit.

Gjatë vitit është vërejtur tendencë që lajmet e rreme dhe narrativët për to të përdoren për t’i luftuar mediat dhe raportimet kredibile duke ngritur fushata që lajmet e vërteta i cilësojnë si të rreme. Rastet më të shpeshta janë identifikuar nga Presidenti Hashim Thaçi i cili lajmet rreth agjendave të tij politike edhe haptas i ka quajtur të rreme.

Cilët janë burimet kryesor të lajmeve të rreme?

Politikanët, ata me interesa biznesi, grupe të cilat provokojnë dhe nxisin kriza ndëretnike dhe urrejtje ndaj grupeve të caktuara, ata të cilët nxisin kriza në lidhje me identitetin historik; fushata dhe lajme të financuara nga grupet, në veçanti nga islami radikal.

Duke i ikur ballafaqimit me pyetje kritike të gazetarëve dhe mediave kredibile, politikanët janë fshehur prapa postimeve nëpër rrjete sociale, kryesisht Facebook, duke krijuar hapësirë për lajthitje dhe shmangie nga e vërteta dhe llogaridhënia karshi publikut.

Duke i ikur ballafaqimit me gazetarë kredibil, është krijuar një formë e re e komunikimit të pasfiduar dhe të njëanshëm, që më vonë ka hapur rrugë për profile të individëve të rremë apo edhe profile të rreme të individëve të njohur, të cilët ngjashëm sikur politikanët prapa Facebookut, publikojnë lajme të rreme dhe gjysëm të vërteta dhe përmes gazetarëve të shitur përhapin lajme të rreme nëpër online tablloide dhe televizione të cilat i shërbejnë një grupi të caktuar të interesit, qoftë politik, ekonomik apo financiar.

Një numër i madh i online tablloideve dhe instant televizioneve të tilla shërbëtore janë financuar përmes organizatave qeveritare dhe ndërmarrjeve publike, qoftë në emër të marketingut apo të promovimit, kinse, të interesave publike, e nën kontroll të plotë të qarqeve të caktuara politike.

Në fillim, këta zhurmues të shitur për interesa të ngushta, risin audiencë përmes shumë publikimeve të përmbajtjeve erotike, të fotove e videove të vjedhura online, që më pastaj të fillojnë të luajnë rolin e “raportuesit kredibil” të cilit do të duhej t’i besojë publiku, ngase ndërkohë është krijuar një inercion i konsumimit të tyre.

Politikanët i kanë ndihmuar në masë të madhe këtij lloji të gazetarëve dhe mediave të dëgjueshme duke u paraqitur në to, duke iu dhënë intervista komode e të pasfiduara (për të mos thënë edhe shpesh promovuese), për ta simuluar kredibilitetin dhe besueshmërinë.

Cila është tema kryesore me të cilën ndërlidhet lajmet e rreme?

Temat janë të ndryshme. Në politikë, lajmet e rreme u dedikohen kundërkandidatëve të cilët shpallen bashkëpuntorë të shërbimeve të huaja sekrete dhe persona që punojnë kundër interesave kombëtare, në biznes, tema kryesore e lajmeve të rreme është dëmtimi i kredibilitetit të markave tregtare, veçanërisht cilësisë së ushqimeve dhe lajmeve të rreme për rrezik helmimi apo dëmtimi nga produktet e blera. Në krizat ndëretnike, lajmet e rreme vazhdimisht janë përdorur për të tërhequr vëmendjen e publikut nga skandalet e mëdha qeveritare.

Lajmet e rreme, si p.sh. ato për krizën në Mitrovicën veriore gjatë tërë vitit janë përdorur për të heshtur debate të mëdha për korrupsion dhe për krimin të inicuara në vazhdimësi nga mediat dhe gazetarët e paktë kredibil në vend.

Kosova vazhdon të përballet edhe me lajme të rreme rreth identititetit historik dhe të së kaluarës, sidomos me lajmet të cilat e lidhin të kaluarën e vendit me perandorinë Osmane. Janë identifikuara një numër i madh i lajmeve të rrejshme lidhur me religjionin dhe promovimin e radikalizmit religjioz, në veçanta atij islamik.

Pra, nuk mund të veçohet një temë e vetme e cila do të ndërlidhej me lajme të rreme. Në parim, i tërë diskursi i “lajmit të rremë” është ndërtuar si paralele e gjendjes reale, si shtrembërim i së vërtetës dhe si lajthitje e qëllimshme- sa për t’i ikur sfidës së sotme, sa për ta kaluar cilëndo krizë të shkaktuar kur publiku kërkon llogaridhënie dhe informata të sakta për gjendjen, proceset dhe zhvillimet dhe sa herë që mëtohet t’i iket dhe shmanget përgjegjësive, qoftë disiplinore qoftë penale.

Cilat ishin lajmet e rreme gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë dhe a ndikuan ato në përcaktimin e votuesve?

Lajmet më të shpeshta të identifikuara gjatë parafushatës zgjedhore janë të ndërlidhura me linçimin e politikanëve si bashkëpuntorë të Serbisë, duke tentuar t’i shpallin njerëz me lidhje me shërbimet e huaja sekrete.

Lajme të tjera të rreme janë vërejtur në prodhimin kreativ të infografikave të rreme të cilat synonin të tregonin kontot e politikanëve në vendet si Qipro apo Panama.

Si formë e re e lajmeve të rreme, gjatë kësaj fushate është adoptuar angazhimi i “analistëve” të paguar për të lansuar fjalë miradije për politikanët e caktuar apo edhe deklarata të shkurta të analistëve të cilat në video-montazhe janë nxjerrë nga konteksti duke krijuar video të shkurtra me tituj si “Analistët kërkojnë të votohet ky apo ai politikan”. Këto lajme kanë ndikuar tek votuesit, veçanërisht tek shtresat e paadukuara shoqërore.

Shumica e partive politike kanë pasur një numër të madh të profileve të rreme të cilat iu kanë shërbyer me lajme të rreme, të cilat jo rrallë edhe kanë përfunduar nëpër instant mediat e krijuara rishtazi. Ky është një zinxhir i menduar dhe organizuar mirë për të krijuar huti dhe për t’i shkaktuar dëme oponencës politike.Në mungesë të statistikave të sakta, duket sikur Vjosa Osmani nga LDK ka qenë cak i numrit më të madh të lajmeve të rreme nëpër rrjetet sociale. Jo sepse VV dhe PDK paraqiten si prania më e organizuar online, por edhe për shkak se znj.Osmani si grua konsiderohet më lehtë e sulmueshme dhe më e “pambrojtur”.

A është e rregulluar kjo me ligj në Kosovë, a ka ndonjë ligje të veçantë që ka të bëjë lidhet me gjuhën e urrejtjes, lajmet e rreme?

Në Kosovë janë disa mekanizma që janë përgjegjës për luftimin e lajmeve të rreme dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve kur ato cenohen nga publikimet me përmbajtje të rreme të mediave apo individëve.

Fillimisht, Kosova ka Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes që mbrojnë të gjithë qytetarët nga përmbajtjet shpifëse, fyese dhe nga gjuha e urrejtjes. Për të realizuar të drejtat që parashihen me këtë ligj, qytetarët duhet të iniciojnë padi për shpifje dhe fyerje pranë gjykatave kompetente dhe të kërkojnë mbrojtje nga gjykata. Ky Ligj është mjaft i avancuar dhe gjithashtu mundëson edhe tërheqjen e përkohshme dhe emergjente të përmbajtjeve shpifëse dhe fyese deri në vendosjen meritore të çështjes me qëllim të minimizimit të efektit të lajmit shpifës dhe fyes.

Përpos mundësisë gjyqësore, Kosova ka edhe Komisionin e Pavarur për Media  (KPM) si organ përgjegjës për licencimin dhe mbikëqyrjen e mediave nëse sjellja e tyre bie ndesh me Kodin e Mirësjelljes për Ofruesit e Shërbimeve Audio Vizuele.

KPM është përgjegjëse që të monitorojë përmbajtjen e transmetimeve në televizionet dhe radiot e vendit.Në rastet kur KPM sipas detyrës zyrtare apo ankesave të palëve gjejnë se një përmbajtje ka shkelje të Kodit, atëherë mund të shqiptojë sanksione nga 1,000 deri në 100,000 euro për televizionet dhe radiot dhe gjithashtu mund të tërheqë edhe licencën.

Për dallim nga KPM që është një organ ligjor dhe vendimet e së cilës janë të obligueshme dhe të ekzekutueshme, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) është një trup vetërregullues (i vetë themeluar), Bordi i së cilës përbëhet nga vetë përfaqësuesit e mediave të cilët mblidhen një herë në muaj dhe trajtojnë ankesat që kanë të bëjnë me publikime në mediat e shkruara, pra të mediave të printuara dhe online.

Vendimet e KPM nuk janë të detyrueshme për të gjitha palët, por mund të shërbejnë si fakt në rast gjyqësor kur parashtrohet padi për fyerje dhe shpifje.

Në lidhje me lajmet e rreme që kanë përmbajtje apo elemente të gjuhës së urrejtjes, përpos kodeve të mirësjelljes, veprat e tilla mund të përbëjnë edhe vepra penale që sanksionohen me Kodin Penale të Republikës së Kosovës për vepra të cilat sipas detyrës zyrtare ndiqen nga Prokuroria. Nxitja e urrejtjes është vepër penale dhe në raste të tilla, si ai i rastit të gruas rome, janë nisur hetime dhe janë arrestuar persona të dyshimtë për shpërndarjen e këtyre materialeve. Edhe pse baza ligjore në vend garanton mbrojtje ligjore nga Lajmet e rreme, Shpifjet dhe Fyerjet, janë identifikuar probleme të shumta në sistemin Gjyqësor të Kosovës. Dhjetëra padi për shpifje e fyerje presin me vite për tu zgjidhur nga gjykatat, ndërsa nuk është ndërtuar precedent i trajtimit të lëndëve me kohë dhe në mënyrën e duhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button