Tejsing: Deponia “Rusino” është një e keqe e madhe për ambientin jetësor, urgjentisht të ndërmerren masa për përmirësimin e kushteve

Përfaqësues nga nëntë komunat e rajonit të Pollogut morën pjesë sot në seancën e parë në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve me menaxhimin e mbeturinave të ngurta. Projekti implementohet nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit të Planifikimit të Pollogut dhe pritet të zgjasë 10 vjet. Faza e parë e tij parasheh përmirësimin e kushteve në deponinë “Rusino”, transmeton Portalb.mk.

Projekti afatgjatë për zgjidhjen e problemit me mbeturinat e ngurta si dhe përmirësimin e kushteve në deponinë “Rusino” u prezantua sot në Komunën e Tetovës. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësues nga komunat e Pollogut të rajonit si dhe ekspert të cilët pritet të punojnë në implementimin e masave të cilat i parasheh ky projekt.

Sipas inxhinierit holandez i cili ka punuar në këtë projekt, Jan Tejsing, në qoftë se deri sot është arritur të bëhet menaxhimi 80% i mbeturinave në këtë rajon, qëllimi i këtij projekti është ky numër të arrijë deri në 100%. Sipas tij, deponia “Rusino” është një e keqe e madhe për ambientin jetësor dhe se urgjentisht duhet të ndërmerren masa për përmirësimin e kushteve të kësaj deponie.

“Projekti ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit me mbeturinat e ngurta në të gjitha 9 komunat e Rajonit të Pollogut, mbi të gjitha pastrimin e mbeturinave. Qëllimi jonë është të arrijmë në 100% të pastrimit të mbeturinave. Të gjithë në rajonin e Pollogut janë të njoftuar me deponinë “Rusino” e cila është një e keqe e madhe për natyrën, një nga qëllimet e këtij projekti gjithashtu është edhe ndërmarrja e hapave me anë të së cilave do të përmirësonim kushtet në atë deponi” theksoi inxhinieri i ambientit jetësor, Jan Tejsing.

Pas fazës së parë për parandalimin e derdhjes së ujit të ndotur nga deponia në mjedisin jetësor, do të punohet edhe në fazën e dytë, që është avancimi i deponisë “Rusino.”

“Hapi i dytë është përgatitja e vetë deponisë në deponi të kontrolluar, në të cilën rregullisht do të mbulohet bërlloku, do të parandalohet rrjedhja dhe nuk do të ketë zjarre. Ky është menaxhim i organizuar i një deponie, e cila do t’i plotësojë kushtet në përputhje me direktivat evropiane”, tha Tejsing.

Paralelisht me planin për trajtim të bërllokut, në planin rajonal të Pollogut, punohet edhe për Strategjinë për mjedis jetësor, si detyrë në pajtim me Ligjin për mjedis jetësor.

“Vetë procedura është abstrakte, për shkak se analizon 30-të dokumente. Vlerësimi kryesor është se në vetë dokumentet nuk ka konflikte me ato dokumente strategjike relevante, të lidhura me trajtimin e bërllokut, trajtimit me ajrin e ndotur, me ujin, zhvillimin e kështu me radhë. Vetë dokumenti po përgatitet në kohë kur po kryhet azhurnim i legjislacionit për trajtim me bërllokun. Për këtë edhe vetë dokumenti në kuadër të qëllimeve i përfshinë edhe ato qëllime të cilat janë lëndë e azhurnimit të vetë legjislacionit”, deklaroi Marjana Mihajllov, përgjegjëse për mjedisin jetësor në kuadër të projektit.

Ky projekt i cili përfshin tre faza, edhe atë në periudhën 2019-2029 parasheh edhe krijimin e një Ndërmarrje të përbashkët publike e cila do të menaxhojë me mbeturinat në rajonin e Pollogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button