Bogdanoviq i tha Dimitrovit “idiot” pse ka urdhëruar bojkot të ceremonisë për ndarjen e Çmimit Nobel

Kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq nga LSDM, në rrjetin social Facebook e ka uruar ndarjen e Çmimit Nobel për shkrimtarin Peter Handke, i cili u bojkotua nga disa shtete, në mesin e të cilave edhe nga Maqedonia e Veriut, pasi që fituesi i çmimit gjatë kohës së luftërave në ish Jugosllavi hapur kishte përkrahur kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë, njofton Portalb.mk.

“Urime!!!”, shkurt shkruajti Bogdanoviq, për të hapur më tej debat në komente.

Në pyetjen nga një komentues se pse Maqedonia e ka bojkotuar ceremoninë, Bogdanoviq është përgjigjur: Sepse Dimitrov është idiot, të cilin më pas e ka fshirë.

Foto nga komenti, i cili më pas është fshirë
Foto nga komenti, i cili më pas është fshirë

Portalb.mk e ka kontaktuar Bogdanoviqin, i cili theksoi se ka shpejtuar me fjalorin e përdorur ndaj Dimitrovit, ndërkaq mohoi se ai përkrahë persona të cilët kanë kryer krime lufte.

“Ndoshta kam shpejtuar pak. Të gjithë jemi njerëz dhe mund të shpejtojmë dhe të themi diçka. Unë ministrit desha t’i them se ai përfaqëson politikë të shtetit dhe jo të ndarjes së çmimeve, që megjithatë bëhet fjalë për letërsi. Me fjalët që jam shprehur, vlerësoj se ministri nuk duhet të përzihet në punët që nuk janë në kompetencë të tij. Qëndroj në atë se nuk duhet të marrim anë, në disa punë që nuk janë në kompetencat tona. Çfarë lidhje ka Maqedonia me ndarjen e Çmimit Nobel për letërsi. Shihni ka reagime nga një shtet, apo tjetër, mendoj se është e panevojshme. Normalisht që nuk jam përkrahës i dikujt që ka bërë krime pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Çdokush që ka bërë ndonjë akt të keq duhet që të përgjigjet në mënyrë përkatëse, ka gjykata dhe atë le ta vlerësojnë ato”, tha Bogdanoviq për Portalb.mk.

Dimitrov, nëpërmjet llogarisë së Tuiterit, paralajmëroi bojkotin e ceremonisë së ndarjes së Çmimit Nobel për shkak se sipas tij, duhet të kundërshtohet.

“Mohimi i gjenocidit duhet të kundërshtohet. Ne e udhëzuam ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Suedi të mos marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel për Handke”, ka shkruar Dimitrov.

Ndryshe, Maqedonia ka shprehur solidaritet me Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Shqipërinë, Turqinë dhe Kroacinë, të cilët e kanë bojkotuar ceremoninë e ndarjes së Çmimit Nobel në Suedi. Handke është shpallur person i padëshiruar në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button