Dragi Gjorgiev: Raportet Shkup-Sofje janë sjellë në situatë absurde

Pasi BAN mori qëndrim që gjuha maqedonase është “normë e shkruar rajonale e gjuhës bullgare”, po shfaqet një sprovë e re e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, shkruan DW.

Stuhi e re është ndezur në relacionin Shkup-Sofje, pasi dje Akademia bullgare e shkencave (BAN) mori qëndrim që gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se ajo është “normë e shkruar rajonale e gjuhës bullgare”. Veprimi i BAN-it është përgjigje e hapit të Asamblesë së ASHAM-it, e cila më 3 dhjetor miratoi Kartë për gjuhën maqedonase, në të cilën i ka shënuar faktet e pranuara shkencërisht për gjuhën maqedonase.

Historiani Dragi Gjorgiev, kryetar i ekipit të ekspertëve të Maqedonisë në Komisionin e përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore, thotë se nuk është i befasuar nga qëndrimi i këtillë i BAN-it.

“Nuk shoh asgjë të re. Ky është qëndrimi i përgjithshëm i të gjithë gjuhëtarëve në Bullgari. Mirëpo, kjo i shpie marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në situatë absurde edhe, e me këtë  edhe punën e Komisionit të përbashkët”, thotë Gjorgiev.

Sipas tij, atmosfera e këtillë ka mbizotëruar edhe në takimet e Komisionit.

Kolegët bullgar gjatë bisedave kanë shmangur t’i përdorin nocionet “gjuhë maqedonase”, “kombi maqedonas”, “kulturë maqedonase” në kuptim historik. Deri para pak kohe, në procesverbalet për punën e Komisionit janë përdorur nocionet “pala maqedonase” dhe “pala bullgare”, por edhe nga dy takimet e fundit në përdorim ka qenë shprehje tjetër: “historianët nga Republika e Maqedonisë së Veriut”. Shmangien e mbiemrit “maqedonas-e” e kanë sqaruar me dispozita nga Marrëveshja e Prespës, ku ajo nuk përdoret për institucione dhe trupa të formuar nga shteti, ndërsa në atë korpus po bëka pjesë edhe Komisioni si trup i formuar nga Qeveria.

“Nuk mund të flitet për ndërtim të marrëdhënieve të mira fqinjësore nëse e mohojnë historinë tonë nga gjysma e dytë e shekullit 19 deri në vitin 1944 dhe nëse mbizotëron qëndrimi se në vitin 1944 me dekret jemi bërë maqedonas në Jugosllavinë federative”, thotë Gjorgiev.

Sipas tij, nëse jemi dy vende me histori të ndërthurur dhe nëse Bullgaria pret të rritemi në lidhje me disa çështje nga e kaluara, atëherë edhe Bullgarët duhet të rriten në lidhje me çështjet nga koha e tanishme.

“Vetëm ashtu mund të bëhet hap përpara”, thotë Gjorgiev, i cili në veprimin e BAN-it nuk sheh shembull që çon drejt asaj.

“Gjuha nuk ka rënë nga qielli”

Deklaratat e para nga akademikët në BAN nuk paralajmërojnë që stuhia do të qetësohet shpejtë. Deklaratat e tyre, të cilat transmetohen nga mediat bullgare, janë tregues që problemet sapo do të fillojnë të rriten.

“Në 6-7 vitet e fundit dy akademitë e Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë punojnë mirë dhe kanë 30 projekte, mirëpo nuk kemi supozuar se gjërat do të ndryshojnë në mënyrë aq dramatike”, deklaroi për televizionin bullgar arkeologu Vasill Nikollov, zëvendës-kryetar i BAN-it.

Akademia bullgare e shkencave miratoi qëndrim që gjuha maqedonase nuk ekziston dhe se e njëjta është “normë e shkruar rajonale e gjuhës bullgare”

Sipas Nikollovit, Maqedonia e Veriut ka të drejtë për gjuhë, por nuk mund të konsiderohet se ajo është e pavarur dhe që “ka rënë nga qielli”. Ai thotë që qëndrimi i BAN-it nga viti 1979 deri më tani është që kjo është “normë rajonale”, njëjtë sikur në Austri që flitet gjuhë gjermane austriake dhe e vërteta historike duhet të pranohet.

“Ne nuk e kemi të qartë cilat janë shkaqet e tyre politike, për shkak se deri tani mirë kemi punuar me shkencëtarët maqedonas dhe Akademinë e tyre” ka deklaruar Nikollov.

Sipas docentit Dr. Ana Koçeva nga Instituti për gjuhë bullgare në BAN, “e ashtuquajtura gjuhë maqedonase është normë e gjuhës bullgare dhe shkencëtarët bullgar e konstatojnë si produkt politik”.

“Në vitet e fundit i kemi lexuar stenogramet për krijimin e gjuhës maqedonase dhe për mënyrat e konstruktimit të saj, të cilat bazohen në zbërthimin e gjuhës letrare bullgare”, ka deklaruar Koçeva.

Ajo ka theksuar që ka pasur dëshmi pas vitit 1944, që njëri nga krijuesit e gjuhës maqedonase ka sqaruar se nuk kanë kohë të presin ajo të bëhet gjuhë. Koçeva ka shtuar që pas Marrëveshjes së Prespës, pasi në Maqedoninë e Veriut është dashur t’i braktisin referencat antike, tani po shpikin diçka tjetër.

“Ata mund të pohojnë që flasin për çka të duan (në kuptim të gjuhës –v.j), por jo para vitit 1944. Duhet të pranohet e vërteta reale (…) Ata flasin për alfabetin cirilik dhe glagolik, që shkakton vetëm përbuzje, ndërsa e njëjta vlen edhe për autorët e rilindjes bullgare”, ka deklaruar Koçeva.

Gjashtë muaj pauzë

Mediat bullgare përkujtojnë se komisioni i përbashkët (i formuar si rezultat i Marrëveshjes për miqësisë dhe bashkëpunim), që duhet të pastrojë çështje historike dhe arsimore midis dy vendeve, e ka pezulluar punën për gjashtë muaj për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.

Ndërprerja e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje u njoftua edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit më 29 nëntor, kur presidenti i ekipit bullgar, Angell Dimitrov, raportoi se  kishin arritur shumë pak.

“Ajo që kemi rënë dakord është aq e vogël dhe e parëndësishme sa që a kam shumë vështirë për ta kujtuar … Ne e bëmë atë që mundëm, e tani gjërat po shkojnë drejt nivelit politik”, tha Dimitrov në atë kohë.

Rezultate nuk pat as në takimin e mëparshëm më 13 shtator, i cili nga pala bullgare u përshkrua si “më jo i frytshmi” e pas kësaj Presidenti bullgar Rumen Radev konvokoi një takim urgjent për të vendosur “linjat e kuqe” për Maqedoninë e Veriut. Në tetor, Parlamenti Bullgar miratoi një deklaratë me të cilën e mbështeti fillimin e negociatave aderuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE, por që kjo mbështetje “nuk guxon të jetë në  dëm të ngjarjeve historike, dokumentet dhe artefaktet, si dhe për rolin dhe qëndrimet e personaliteteve nga historia bullgare”.

Në atë kontekst, një nga çështjet në të cilat ka ngecur puna e Komisionit të përbashkët është se i kujt është Goce Dellçevi?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button