OSBE publikoi faqe të re në internet për të luftuar dhunën ndaj grave në Evropën Jug-Lindore dhe Lindore

Sekretariati i OSBE-së publikoi sot një faqe të re në internet që përmban faqet për ndihmë dhe informacione si përkrahje e përpjekjeve për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave. E disponueshme në gjashtë gjuhë, www.stopvawnow.org/ është krijuar si një mjet praktik për zyrtarët, organet e zbatimit të ligjit, OJQ-të dhe publikun e gjerë në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si dhe në Moldavi dhe Ukrainë.

Web faqja është krijuar që përdoruesit në mënyrë të thjeshtë të gjejnë informacionin që u nevojitet sa më shpejt, me të dhëna, udhëzime dhe kontaktet kryesore që janë të rëndësishme për secilin vend.

Nën seksionin “Kam nevojë për ndihmë”, gratë që përjetojnë dhunë mund të gjejnë informacione me kë mund të kontaktojnë nëse kërkojnë mbështetje, siç janë numrat e telefonit të OJQ-ve lokale, si dhe linjat telefonike për ndihmë.

Nën seksionin “Dua të ndihmoj”, OSBE ka përpiluar hapat që qytetarët e shqetësuar mund të ndërmarrin për të qetësuar situata kritike, për të mbështetur gratë dhe për të rritur ndërgjegjësimin.

Seksioni “Dua informacion” jep detaje të mëtejshme mbi rezultatet dhe rekomandimet e Sondazhit të OSBE-së për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave, të botuar në fillim të këtij viti. Anketa zbuloi se 70% e grave në Evropën Jug-Lindore dhe Lindore kanë përjetuar një formë të dhunës: seksuale, fizike, psikologjike, ngacmim seksual ose përndjekje, por raportimi i incidenteve mbetet i ulët. Vetëm 15% e grave raportuan në polici incidentin më të rëndë të dhunës nga partneri aktual.

“Ky burim online bazohet në rezultatet e Sondazhit të OSBE-së për Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave, e cila tregoi se  gratë që kanë përjetuar një incident të dhunshëm duan më shumë mbështetje morale dhe dikë për të biseduar”, tha Serani Siegel, menaxhere e projektit të anketës. “Sondazhi gjithashtu theksoi rëndësinë e të folurit dhe ofrimit të burimeve për gratë për raportimin e incidenteve të dhunës. Web faqja do të ndihmojë në këtë drejtim dhe do t’iu mundësojë grave të gjejnë një sërë opsionesh për raportimin e dhunës dhe marrjen e mbështetjes së nevojshme. ”

Faqja e internetit është dizajnuar që të shërbejë si resurs për zyrtarët qeveritarë, organet e zbatimit të ligjit, OJQ-të, akademikët dhe mediat për të kuptuar më mirë rëndësinë e këtij problemi, si dhe jep udhëzime për  implementimin e politikave dhe praktikave. Duke ofruar të dhëna për këto çështje, kjo web-faqe ka për qëllim të luftojë qëndrimet e fajësimit të viktimave, të cilat kontribuojnë në heshtjen e viktimave.

Lançimi i faqes në internet përkon me fundin e fushatës “Thyej heshtjen” të OSBE-së më 10 dhjetor, e cila u mbajt gjatë fushatës ndërkombëtare të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore. Fushata “Thyej heshtjen” u përqendrua në ndryshimin e mentalitetit dhe qëndrimeve në publik që kontribuojnë në pabarazinë gjinore dhe si pasojë, edhe në dhunën ndaj grave.

Gjatë kësaj fushate, u shtypën afishe, të cilat u shpërndanë nëpër stacionet policore të vendeve ku u zhvillua anketa,  në të cilat u nënvizua roli i rëndësishëm i nëpunësve policor dhe punonjësve tjerë të rajoneve policore për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës.

Përdoruesit e mediave sociale dhe personat me ndikim (influencuesit) në mbarë rajonin mbështetën fushatën dhe shkëmbyen informacione mbi dhunën ndaj grave dhe mbi Sondazhin e kryer nga OSBE. Fushata angazhoi një numër të madh të njerëzve në rajon nëpërmjet kanaleve të mediave sociale të OSBE-së me më tepër se 39,000 njerëz të arritur në Facebook si dhe mbi 57,000 postime në Twitter dhe 16,000 të tjera në Instagram. Filtri në Instagram, i zhvilluar posaçërisht për këtë fushatë, rezultoi në mbi 83,000 përshtypje gjatë 16 ditëve. Fushata u mbështet gjithashtu gjerësisht nga media dhe influencuesit, me një shtrirje të kombinuar prej mbi 20 milion njerëzve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button