Hartat e Al Idrisit dhe viset shqiptare

Hartat i paraqesin konceptet hapësinore në formë grafike, janë mjete për shpërndarjen e informacioneve gjeografike dhe përcjellëse të njohurive deri te brezat e ardhshëm, thotë D.F. Merriam. Për Jerry Brototn-in hartat janë dritare drejt historisë, që japin ndjesi sigurie edhe kur janë të pasakta.

Me hartat merret hartografia, e cila deri vonë ishte pjesë e gjeografisë. Për zhvillimin e hartografisë janë meritorë: lundërtarët, matematikanët, gjeografët dhe aventurierët, të cilët, me zbulimet e tyre, e ndryshuan mendimin për botën.

Njeriu në fillim krijoi harta për qiellin, ndoshta sepse më shumë e ëndërronte pushtimin e qiellit të largët dhe të mistershëm, për sa kohë zbulimi i viseve të reja i dukej më i arritshëm.

Hartat më të vjetra tokësore, si vizatime në gurë ose nëpër pllaka, i gjejmë në mijëvjeçarin e shtatë para erës sonë. Në Greqinë antike hartografia u zhvillua me Ptolomeun, kurse vepra e tij ishte referenciale deri në periudhën e renesancës.

Te hartat e vjetra zbulojmë shenja kulturash, qytetërimesh dhe religjionesh. Sipas Brototn-it të krishterët dhe myslimanët i krijonin hartat “në ujdi me besimet e tyre fetare, në vend se ta kërkonin saktësinë hartografike”.

Njëri prej hartografëve më të njohur është Muhamed Al Idrisi (1099 – 1166), për të cilin qendër simbolike e botës ishte Meka, ndërkaq në hartat europiane të mesjetës qendër e botës ishte Jerusalemi.

Hartat e arabit Al Idrisi, që janë me interes edhe për shqiptarët, i kanë mahnitur hartografët. Ai kishte njohuri paraprake për krijimin e hartave. Zbulimet e mëdha gjeografike, tregtia e zhvilluar dhe pelegrinazhi drejt Mekës, ndikuan që arabët të krijonin harta të ndryshme. Ata bënin tregti me europianët, persët apo kinezët, prandaj, përveç hartave, përdorën edhe mjetet e navigimit: alidadin (alhidada), astrolabin, kompasin apo kamalin. Arabët i kushtuan rëndësi gjeografisë, sepse jetonin edhe në shkretëtirë, të cilën Jorge Borges-i e krahason me labirintin më të komplikuar. Borges-i ka një tregim mbi shkretëtirën, gjegjësisht “Dy mbretërit”. Që të lëvizësh nëpër shkretëtirë duhet të kesh shënime të mjaftueshme dhe të sakta mbi yjet, trupat qiellorë dhe vendet, që udhëtarëve u shërbenin si pika orientimi drejt burimeve të ujit apo oazave, ngase kështu mund të mbijetonin gjatë udhëtimit.

Al Idrisi i quajtur edhe Siciliani (Al – Sakali), sipas ishullit ku e pa dritën vepra e tij, por edhe si Kordovani (Al – Kortubi), sipas qytetit ku i kishte marrë dijet, e kishte shfrytëzuar këtë përvojë.

“Sipas të gjitha gjasave, vetë kishte lindur pranë Gjibraltarit, në Ceuta, së cilës arabët i thonë Sebta. Nën kujdesin e mbretit Norman Rozheri II, në Palermo, në shekullin XII, ai përpunonte harta si “zbavitje për këdo që dëshiron të udhëtojë nëpër botë” […] Ai u përkiste kulturave të ndryshme, njihte burimet gjeografike dhe historike, latine dhe greke, si dhe ato të Lindjes së Afërme e të Mesme”, shkruan Predrag Matvejeviqi në “Libër dore për Mesdheun”.

Pasioni i Al Idrisit, që e mbante titullin fisnik “el-Sherif” (“Njeriu fisnik”), ishte eksplorimi i vendeve të panjohura. Ai që në adoleshencë udhëtoi nëpër shumë vende, kurse më vonë u ftua nga mbreti Norman, Rozheri II (1105 – 1154) që ta krijonte hartën e botës. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në oborrin e këtij mbreti, i cili njihet si njeri i dijes dhe si përkrahës i përkthimeve të veprave shkencore e filozofike arabe dhe greke në gjuhën latine.

Për krijimin e hartës së botës Idrisi e krijoi një ekip prej 12 vetash. Në ekipin e tij kishte njohës të lundrimit, matematikanë dhe gjeografë. Pas studimeve dhe lundrimeve të shumta e filloi projektin për krijimin e hartës së botës. Vepra e madhe e El-Idrisit është “Al-Kitāb ar-Ruxhari” (“Libri i Rogerit” apo “Tabula Rogeriana”).

Në hartat dhe shënimet e Al Idrisit gjejmë të dhëna për viset shqiptare, gjegjësisht aty ku flitet për vendin e romejve (bizantinëve). Aty ka shënime për rrugët kryesore, për pasuritë e qyteteve, për tregtinë, si dhe përmenden vendet: Lesa – Lezha, Tamura – Tomori, Istrim – Drin, Dabuli – Devolli, Biusa – Vjosa, Antibara – Tivari, Dulcino – Ulqini, Batarla – Petrela, Bulug/Bulghu – Pollogu, Ahrida – Ohri, Asqufia/Uskufia – Shkupi, Fardari – Vardari, Adrianupul – Dropulli, Duras – Durrësi, Kuritus – Kratova, Ustrunisa – Strumica, Zaguri – Melnik, Butili – Bitola (Manastiri), Abluna – Vlora, Jania – Janina, Ahristubulis – Kavala apo Orfan etj.

Idrisi jep informacione  të shumta për rrugët, që mundësonin jo vetëm shkëmbime tregtare, por edhe shkëmbime idesh e përvojash me sistemet tjera kulturore.

Në vazhdim japim disa shënime të Al Idrisi, ku flitet për qytetet e lartpërmendura.

***

NGA SHËNIMET E AL IDRISIT

Udha nga Durasi (Durrësi) deri në Ahrisubuli (Orfan)

Del nga Durasi (Durrësi), i cili është pranë detit Venecian (detit Adriatik) dhe nëpërmjet një rruge tokësore, në drejtim të Konstandinopojës, kalon nëpër Batarla (Petrelë). Mes tyre ka dy ditë udhëtim. Qyteti Batarla është vendbanim i vendosur në një lartësi.

Mes saj (Petrelës) dhe Ahridas (Ohrit) ka katër ditë udhëtim.

Ahrida është qytet i madh dhe i bukur, me shumë ndërtesa dhe me tregti të zhvilluar. Ai është i vendosur në lartësi dhe është shumë i bukur. Pranë tij gjendet një liqen i madh, ku peshku gjuhet edhe me tabaka. Ky liqen është në pjesën jugore të qytetit. Që t’i biesh përqark liqenit të duhen tri ditë udhëtim. Pranë liqenit gjenden edhe disa vendbanime.

Ndërmjet Ahridës së lartpërmendur dhe qytetit Bulugu (ose Bulghu, sikurse deshifrohet nga disa studiues Pollogu – shënim yni) ka dy ditë udhëtim. Qyteti Bulugu është i bukur dhe gjendet te një mal shumë i madh. Ndërmjet tij dhe Uskufias (Shkupit), në verilindje, ka një ditë udhëtim. Uskufia është qytet i madh me fusha të mëdha, të pandërprera, që punohen vazhdimisht. Ka edhe vreshta dhe është e zhvilluar kultura e drithërave.

Prej këtu deri në qytetin Kuritus (me gjasë Kratova), në verilindje, ka një ditë udhëtim. Ndërmjet tyre (Uskufisë dhe Kuritusit) rrjedh lumi Fardari (Vardari). Ky është një lum i madh.

Kuritusi është qytet, me rajon shumë të populluar, me shumë ndërtesa, me shumë vreshta dhe plantacione.

Nga këtu deri në qytetin Ustrunisa (Strumica), në lindje, ka një ditë udhëtim.

Ustrunisa është e vendosur në lartësi. Është e pasur me fusha të mbjella, me shumë vreshta dhe kopshte.

Në verilindje nga Ustrunisa deri në Zaguri ka një ditë udhëtim.

Zaguria është qytet i madh dhe i njohur, është njëri nga qytetet kryesore të Bizantit dhe konsiderohet ndër më të vjetrit. Ai ka shumë fusha të mbjella, katunde dhe ara, me një shtrirje të pandërprerë. Në pjesën e tij veriore ka katër lumenj, të cilët rrjedhin nga veriu dhe derdhen në lumin Fardari.

Nga qyteti Zaguria deri në qytetin Saras (Seres) ka një ditë udhëtim. Sarasi është qytet i bukur dhe i vendosur në një kodrinë të vogël. Ai ka një mjedis shumë të bukur, fushë pjellore, e cila mirëmbahet dhe ka shumë pasuri natyrore.

Prej këtu dhe deri te qyteti Zihna në lindje, ka një ditë udhëtim. Është qytet i bukur dhe përfshin një rajon të gjerë e me shumë ndërtesa. Ka vreshta, dru frutorë, fusha të mbjella dhe kultura të tjera bujqësore.

Nga Zihna deri në Ahrisubuli (Orfan) ka një ditë udhëtim. Ahrisubuli është qytet i madh i vendosur në një grykë deti, në fillim të kanalit të Konstandinopojës (Dardaneleve).

Udha nga Durasi deri në Salunik (Selanik) në bregdet

Nga qyteti i Durasit deri në Batarla (Petrela) ka dy ditë udhëtim. Nga Batarla deri te qyteti Ahrida ka katër ditë udhëtim. Nga Ahrida deri në Butil (Manastir), në lindje, ka dy ditë udhëtim. Butili është i bukur, madhështor dhe qytet i këndshëm.

Nga Butili deri në Aherlin (Lerin) ka gjysmë dite udhëtim. Aherlini gjendet në një kodrinë shumë të bukur. Kuartet janë të banuara dendur. Përreth ka një fushë të punuar dhe shumë vreshta.

Ndërmjet Aherlinit dhe Ustrubus (Ostrovës) ka një ditë e gjysmë udhëtim. Ky vendbanim është i rrethuar me një liqen të madh, të cilit, për t’i rënë përreth të duhen një ditë e gjysmë udhëtim. Aty peshkohen shumë peshq.

Ndërmjet Ustrubus së përmendur dhe Budianës, në rrugën e njohur (Via Egnatia), ka një ditë udhëtim. Budiana është qytet që gjendet në një mal. Ndërmjet tij dhe Salunikut, pranë kanalit të Konstandinopojës, ka dy ditë udhëtim.

Udha nga Abluna (Vlora) deri në Armirun (Armiros) përgjatë bregdetit të Konstandinopojës (detit Egje)

Dhe kështu nisesh nga qyteti Abluna (Vlora) dhe nëpërmjet qytetit Adrinubuli (Drinopoli) arrin në Jania (Janinë)…

Prej këtu deri në Kasturia (Kostur) ka dy ditë udhëtim, kurse nga Adrinubuli deri në Kasturia ka dy ditë e gjysmë udhëtim, që është udhë shumë e drejtë. Qyteti në fjalë është shumë i bukur dhe me popullsi shumë të dendur. Ai ka shumë pasuri, shumë katunde dhe fusha të mbjella. Është i vendosur në një lartësi, i rrethuar me një liqen të madh, ku peshkohet me tabaka.

Prej këtu deri në Tarufinika (Trikala) ka tri ditë udhëtim…


Udha nga Durasi deri në Konstandinopojë nëpërmjet bregdetit

Nga qyteti Duras deri në qytetin Ablun… […] shpie deri në qytetin Salunik… Këtu deti formon një ishull të vogël, në njërën anë të të cilit është i vendosur qyteti i Salunikut. Ai është një qytet i bukur, madhështor, me shumë ndërtesa në brendi dhe pranë detit.

Prej këtu deri në Ahrisubuli ka 25 milje…

Nga Ahrisubuli deri në Ahrisubulis (Kavallë) ka 25 milje.

Në anën e kundërt të Ahrisubulisit gjendet një mal (Pangaj), kurse në rrafshinë gjendet qyteti që quhet Filibus (Filipi). Ai është vendosur pranë Ahristubulisit. Në këtë qytet janë të zhvilluar zanatet dhe tregtia. Ka import dhe eksport të zhvilluar. Ka shumë vreshta dhe fusha. Gjendet rrëzë një mali prej ku ka 8 milje deri në det. Pranë gjendet një lum i vogël, që rrjedh ndërmjet Filibusit dhe Ahristubulisit. Në qytetin Filibus ka lindur Iskenderi (Leka i Madh, por sipas të dhënave historike ai ka lindur në Pela dhe jo në Filipi). Lumi quhet Mefrubutami. Mes tij dhe Ahristubulisit ka 12 milje…

Përktheu: Salajdin Salihu. Referencat janë hequr.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button