Pesë persona janë plagosur pas sulmit afër bazës ushtarake të SHBA-së në Afganistan

Një sulm vetëvrasës me makinë bombë afër bazës më të madhe ushtarake amerikane në Afganistan, ka plagosur të paktën pesë persona dhe ka dëmtuar një spital që ka qenë duke u ndërtuar afër bazës ajrore, Bagram, kanë thënë zyrtarët afganë.

Sulmi, për të cilin ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar bisedimet me talibanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare, tre muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump pati pezulluar ato, transmeton REL.

Misioni mbështetës i NATO-s në këtë vend ka thënë se si pasojë e sulmit nuk ka viktima dhe se zona është duke u ruajtur pas incidentit.

“Forcat armike kanë kryer sulmin në zonën ajrore Bagram këtë mëngjes, duke shënjestruar një ndërtesë mjekësore, e cila po ndërtohej për t’iu ndihmuar afganëve që jetojnë afër bazës”, është thënë në deklaratën e NATO-s.
Baza ushtarake në Bagram gjendet rreth 50 kilometra në veri të Kabulit.

Sulmi i së mërkurës vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë marrëveshje me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit.

Ndërhyrja e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s ka rrëzuar talibanët nga pushteti në Afganistan, në vitin 2001.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button