RMV, që politika të mos ndërhyjë në punësimet publik nevojitet – vullnet politik

Ndikimi i fortë politik në sektorin publik, mosndëshkimi për sjelljes korruptive, mangësi në ligje, prirja për korrupsion e punonjësve në sektorin publik, përkatësisht “probleme me integritetin e faktorit njeri” dhe mbikëqyrja e kontrolli i dobët janë shkaqet kryesore të korrupsionit në punësimin publik, është konkluzioni i analizës së Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit (KShPK), e përgatitur për nevojat e strategjisë së ardhshme për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, transmeton Portalb.mk.

Për të “adresuar” këto rreziqe, sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të shtetit që luftojnë kundër korrupsionit, nevojiten ndëshkimi i korrupsionit, ligje më të mira, mbikëqyrje dhe kontroll më të fortë, por vendimtar është vullneti politik.

“Punësimet në sektorin publik janë relevante për sektorin publik dhe qytetarët. Ato janë të rëndësishme edhe në nivel të pushtetit qendror edhe atë lokal, ndërsa po realizohen në të gjithë resorët e listuar. Si pasojë, ndikimi i kësaj zone (procesi) horizontale në shoqëri është shumë i lartë”, thotë KShPK në analizë.

Në vlerësimin e këtij komisioni për rreziqet nga korrupsioni, në pesë procese shoqërore, ku është përfshirë punësimi i administratës publike, KShPK ka identifikoi 33 pika kritike, ose rreziqe kryesore për korrupsion. I ka grupuar në grupe rreziqesh që rrjedhin nga korniza ligjore, për shkak të faktorit njeri dhe procesit të punësimit dhe ndikimet e jashtme në punësimet në sektorin publik, ku përfshihen edhe proceset e emërimit të anëtarëve të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës në sektorin publik.

Në fund të vlerësimit, “me një analizë të gjerë të pikave kritike të korrupsionit që janë identifikuar në secilin vlerësim individual të rrezikut të korrupsionit”, KShPK veçon pesë emërues të përbashkët, ose shkaqe kryesore të korrupsionit, që vlejnë për punësimet në sektorin publik: “Ndikim i fortë politik në sektorin publik”, “Probleme në sundimin e ligjit që rezultojnë në nivele të ulëta të sanksionimit të sjelljes korruptive në nivel të shoqërisë”, “Mangësi në saktësinë e legjislacionit që lënë vend për abuzime dhe nxitje të sjelljes korruptive”, “Problemet me integritetin e faktorit njerëzor në nivel të shoqërisë” dhe “Transparencë, sistem për mbikëqyrje dhe mekanizma të kontrollit në sektorin publik “.

Por zyrtarët e antikorrupsionit shkojnë edhe një hap më tej dhe propozojnë masa me të cilat “rreziku do të mund të adresohej”.

“Mjetet juridike” kryesore, sipas KShPK-së, për dy arsyet e para janë – “Ekzistimi i vullnetit politik nga të gjitha partitë politike”. Mangësitë në ligj duhet të “të bllokohen” me vlerësim të hollësishëm të mundësive për korrupsion në ligje dhe miratim të ligjeve më të mira. Prirja për korrupsion në sektorin publik, sipas KShPK-së, mund të ndryshohet duke forcuar vetëdijen e përgjithshme, me fushata dhe trajnime të punonjësve në sektorin publik, por thelbësore janë numri gjithnjë e më i madh i dënimeve për korrupsion, për ndryshim real të perceptimit se sjellja korruptive është e ndëshkueshme.

Për mbikëqyrje dhe kontroll më të mirë, KShPK kërkon angazhim nga të gjitha institucionet për të përmirësuar këto procese në fushën e tyre të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button