fbpx

OSBE kërkon përmirësim të mëtejmë të “Paketës antishpifje” në Shqipëri

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir, i rekomandoi sot autoriteteve shqiptare të bëjnë ndryshime të tjera në projektligjin për Mediat audiovizive dhe atë për Komunikimet elektronike, të cilat janë në fazën e shqyrtimit në parlament. Sipas zotit Desir duhet që të qartësohen masat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të shmanget çdo rrezik për kufizime apo sanksione të padrejta për ofruesit e mediave elektronike. Të dy projektligjet janë kundërshtuar me forcë nga komuniteti i mediave shqiptare, shkruan VOA.

Sot dhe 6 organizata ndërkombëtare të gazetarëve ju drejtuan me një thirrje parlamentit që të mos i miratojë këto projektligje.

Të njohura ndryshe si Paketa antishpifje, ndërhyrjet e parashikuara nga Qeveria, kanë një kohë shumë të gjatë që diskutohen. Varianti fillestar ka pësuar ndryshime pas shqetësimeve të shprehura jo vetëm nga OSBE-ja por dhe përfaqësuesë të tjerë ndërkombëtarë. Pasi projektligjet e ndryshuara, u paraqitën pak javë më parë në Komisionin e Ligjeve të parlamentit, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir, i ka dorëzuar sot autoriteteve një rishikim ligjor të tyre. Ndërsa vlerëson disa ndryshime që janë bërë, ai rekomandon nevojën dhe për ndërhyrje të tjera.

“Eshtë parësore të parashikohet një dispozitë që garanton se të gjitha vendimet e AMA-s mund të ankimohen në gjykatë menjëherë pas miratimit të tyre,” tha Désir, duke trajtuar në këtë mënyrë një nga shqetësimet kryesore dhe të komunitetit të gazetarëve. Sipas këtyre të fundit, ato i japin Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) dhe Agjencisë së Komunikimeve Elektronike e Postare, AKEP, “kompetenca gati gjyqësore”.

Edhe përfaqësuesi i OSBE-së vëren se mbeten ende shqetësimet lidhur me kompetencat e AKEP-it në rastet e ndërhyrjeve për të mbrojtur interesat e vendit, sigurinë publike apo të drejtat themelore “Këto nocione – thekon ai – mbeten shumë të gjera dhe nuk përfshijnë rregulla specifike se si të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes. Kjo është arsyeja pse rekomandohet ndryshimi i nenit përkatës të projektligjit”.

Po ashtu Desir, ka ngritur dhe një tjetër shqetësim, të vënë në dukje dhe nga përfaqësuesit e medias shqiptare, që lidhet me gjobat. Edhe ekspertët e OSBE-së i kanë konsideruar “shumë të larta dhe të tepërta në rastet e shkeljeve. Gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt. Ky nen duhet ndryshuar”, thekson zoti Desir.

Përfaqësuesi i OSBE-së, shpreson që “projektligjet do të vazhdojnë të përmirësohen gjatë shqyrtimit të tyre në parlament, duke përfshirë e duke marrë parasysh konsultimet publike me shoqërinë civile, shoqatat e gazetarëve dhe aktorët e mediave. Shumë do të varet nga zbatimi i legjislacionit të ri. Eshtë e rëndësishme të sigurohet që agjensia rregullatore, AMA, të mund të kryejë kompetencat dhe detyrat e saj në një mënyrë plotësisht të pavarur, pa asnjë lloj ndërhyrje politike”, nënvizon ai duke bërë të ditur se zyra e tij dhe ai personalisht do ta monitorojnë “me një vëmendje të veçantë”.

Gjashtë organizata të njohura ndërkombëtare të gazetarëve “European Centre for Press and Media Freedom” (ECPMF), ARTICLE 19, “European Federation of Journalists” (EFJ), “South East Europe Media Organisation” (SEEMO), “International Press Institute” (IPI) dhe “Reporters Without Borders” (RSF) ju drejtuan sot parlamentit shqiptar me thirrjen që të mos i miratojë dy projektligjet e diskutueshme mbi median.

” Nëse këto projektligje hyjnë në fuqi, ato do të imponojnë kërkesë për regjistrim me detyrim të medias online dhe të krijojnë një organ administrativ me fuqi për të gjobitur dhe mbyllur mediat online si dhe për të bllokuar mediat e huaja – pa një urdhër gjykate. Projektligjet po ashtu do të vendosin rregullim shtetëror për mediat online, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe parimet e vetë-rregullimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët, ku theksohet se “ne vërejmë se propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe mund të kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri”

Pas një seance konsultimi publik të zhvilluar më 25 Nëntor ku pati kundërshti të forta nga përfaqësuesë të bashkësisë kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, ditët e ardhshme janë parashikuar dhe dy konsultime të tjera, përpara se projektligjet të kalojnë në seancën plenare për miratim më 19 dhjetor. “Ka shqetësim të gjithëpërhapur mbi këmbënguljen e qeverisë dhe parlamentit për të vijuar me këto projektligje ndërsa ato sinjalizojnë një kthesë për të keq në klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Shqipëria ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Europiane për të Drejtat e

Njeriut dhe OSBE-në, Presidencën e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020. Nëse këto projektligje do të miratohen, do të jetë shumë shqetësuese që Shqipëria të marrë këtë rol”, vë në dukje deklarata e përbashkët e organizatave të gazetarëve, të cilat kujtojnë se shqetësimet e tyre ia kanë bërë të ditura dhe kryeministrit Edi Rama gjatë një misioni të tyre në Tiranë, në muajin qershor “duke e nxitur atë që amendamentet të harmonizohen me standardet ndërkombëtare. Në korrik, ne i bëmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të tërheqë këto projektligje dhe i kërkuam parlamentit të mos i miratonte ato. Ne jemi të zhgënjyer që parlamenti i Shqipërisë ka vijuar me këto projektligje pa trajtuar në tërësi sugjerimet e dhëna nga aktorët vendës dhe institucionet ndërkombëtare”, nënvizon deklarata.

LEXO: Deklaratë e përbashkët e organizatave për Paketën “Antishpifje” në Shqipëri

Mes deklaratës ripërsëritet thirrja që “parlamenti i Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më tëmira të lirisë së medias”, përfundon deklarata e organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close