Akuzat ndaj presidentit Trump mund të jenë gati për t’u votuar nga fundi i javës

Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve organizon një tjetër dëgjesë sot në kuadrin e hetimeve me qëllim shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Hetimet janë zhvilluar rreth akuzave se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të njoftonte çeljen e hetimeve për rivalin e tij politik Joe Biden, kandidatin kryesor demokrat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, tensionet partiake në Uashington pritet të intensifikohen më tej.

Ajo që filloi si një mision faktmbledhës u përshkallëzua me njoftimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me hidhërim, por me besim dhe përulësi, me besnikëri ndaj etërve tanë, dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot do kërkoj fillimin hartimit të akuzave për shkarkimin”, deklaroi Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Dëgjesat më të fundit janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve.

“Secili nga ne është betuar të mbrojë Kushtetutën dhe faktet përpara nesh janë të qarta. Presidenti Trump nuk kërkoi thjesht të përfitonte nga ndërhyrja e huaj në zgjedhjet tona, por ai e ftoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur këtë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona”, tha Jerry Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump i ka kritikuar ashpër këto procese dhe aleatët e tij republikanë thonë se hetimi është i motivuar politikisht.

“Kryetari citoi shumë nga themeluesit dhe se prandaj po e zhvillojmë këtë dëgjesë, pasi themeluesit ishin të shqetësuar për influencën e huaj. Por, ai nuk citoi se themeluesit ishin gjithashtu vërtet të shqetësuar për procesin politik të shkarkimit vetëm pse nuk na pëlqen personi”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar anëtarët e kabinetit qeveritar, me njohuri të drejtpërdrejtë të telefonatës gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkonte favore Presidentit të Ukrainës, të injorojnë fletëthirrjet e Kongresit.

“Presidenti i ka ndalur me të padrejtë këta dëshmitarë. Ideja se ekziston imuniteti absolut është absurde. Kjo nuk bazohet askund në ligje apo në Kushtetutë. Është një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare dhe është abuzim me pushtetin”, tha Ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren.

Republikanët thonë se nëse detyrohen të dëshmojnë anëtarët e kabinetit qeveritar, kjo do të vendoste një precedent të rrezikshëm.

“Nëse në të ardhmen të gjithë do të ngurrojnë t’i japin mendim presidentit për sfidën e radhës, pasi fjalët e tyre do të merren dhe t’i lexohen Kongresit dhe publikut fjalë për fjalë, atëherë kjo mund të dëmtojë kreativitetin dhe mendimin novator që dëshirojmë të shohim tek dega ekzekutive”, tha Ligjvënësi republikan Matt Gaetz.

Dëgjesa e sotshme e Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve do të rishqyrtojë evidencën kundër Presidentit Trump. Kryetari Nadler është shprehur se akuzat e përgatitura ndaj Presidentit Trump mund të bëhen gati për t’u votuar që nga fundi i kësaj jave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button