XHAMI DHE CELULARI

Herët në agim, kur një pjesë e mirë e njerëzve bëjnë gjumë, ne, dy veta, ecim me tempo të ngadalshëm rrugës rreth lumit që të shpie te atraksioni më turistik i Sarajit. Sporti është tepër i dobishëm, ndërsa psikologjia e zgjimit herët dhe aktivizmit para të tjerëve na mbush me energji me bashkëfshatarin, me të cilin dhjetë kilometrat s’janë problem.

Dikur të njëjtën sasi energjie e harxhonim nëpër arat tona, ndërsa tani, na ka kapluar filozofia e jetesës që kohën e lirë, rekreacionin dhe xhogingun e ka pjesë ta pandashme. Njeriu modern ka probleme me kilogramët, me menaxhimin e stresit të të krijuar nga moria e obligimeve të punës. Zbrazje është kjo. I shikojmë shtëpitë e vilat bëra me merak, gardhet, hamë nga ndonjë pemë stinore publike, që është rritur në tokë të askujt. Dhe përnjëherë na del para vetura e parkuar buzë rrugës dhe një qytetar që mundohet të na e shpjegojë sikletin me xhamin e majtë të thyer dhe baterinë (akumulatorin) e vjedhur të makinës. Është maqedonas. E mendojmë vagabondin. Ç’turp është kur dikush të bën të turprohesh për përkatësinë tënde. O sa mirë me qenë shqiptar! Po në këtë rast? E ngushëllojmë veten. Rrugaçëria prodhon gjëra të këtilla. S’është vallë yni, ama demografia na demanton.

Kuptohet se veprimet e tilla shtohen kur s’funksionon shteti. Kur mund të humbasësh edhe kryet e s’përgjigjet kush. Në mbrëmje kthehet djali nga stërvitja e futbollit ku disa herë kemi denenocuar te prindërit një grup të rinjsh violentë që s’i lënë rehat sportdashësit e rinj që mndohemi t’i mbrojmë nga devijimet e kohës. Dhe sërish, për të satën herë radhazi më thotë se i ka lëshuar/shpuar goma e biçikletës. U mbytëm duke blerë këtë verë, nga më të lirat deri te më të shtrenjtat. E qortoj duke i thënë se “nga i gjen ato rrugë me therra”, e atakoj neglizhencën e tij. Dhe ndërmarr masa. Lëre i them te xhaxhai, që jeton afër parkut dhe ec pak në këmbë.

Dhe nisma apo prova doli e suksesshme. Qe dy muaj shkon e vjen me të njëjtën gomë. Konstatojmë se një grup paradoleshentësh qenkan marrë me këtë profesion të ri: “gomëshpim për qejf”. Edhe atë jo vetëm djalit tonë, po edhe disa të tjerë futbollistëve të rinj. Nejse që shpëtuam nga problemi i transportit deri te mjeshtri që fiton për të mbetur gjallë. Paratë s’ishin gjë. Problemi ishte diku tjetër. Lëre gomën, po edhe ngacmimet me fjalë, deri te kërcënimet dhe ndjekjet me thika. Fëmijë të njomë që s’janë gdhendur familjarisht, të papërpunuar, prefabrikat njerëzor. Mjerët ne për gjeneratat që vijnë. The xhama, shpo goma, trego hanxharët, rrihu andej, probleme në shkollë, në rrugë. Ç’dreq kanë këta të rinj (e më të vjetër) me xhamat e gomat? Faji duhet të jetë te prindërit, konteksti mjedisor dhe kohor…

Rasti i dytë: një ditë vjeshte, kur një mik na thirri në telefon duke vozitur drejt qytetit. Dhe biseda paksa u zgjat, deri te rotondoja (rrethrrotullimi), pas të cilit na prisnin rojtarët apo mbrojtësit e rendit, policia, që na ndaloi. Na kapi në flagrancë, në kundërvajtje: bisedë telefonike duke i grahur veturës. Gabimi është gabim. Iu treguam se qemë thirrur prej një miku. “Nuk do paguani. Është radha që të dëgjoni një ligjëratë policore” – tha njëri.

Dhe mori të dhënat. “Në mbrëmje, ora 19:00, në “X stacionin” do të jepet një leksion lidhur me gabimin e bërë, nuk zgjat shumë, 30 minuta.” Dhe në mbrëmje te pikëtakimi, njerëz të të gjitha moshave, entiteteve, të gjithë e arsyetojnë “vërejtjen” me ligjëratë. Një polic i moshës së mesme, nis të flasë, ëmbël, me kulturë dhe më pas na lëshon tre mini-filma apo klipe disaminutëshe real story, që tregonin se si ia kanë pësuar njerëzit që kanë shfrytëzuar telefonët e tyre gjatë vozitjes. Statistikat e vitit 2015 flasin se 1.6 milionë aksidente (27 % të të të gjitha aksidenteve) dhe rreth 390000 lëndime kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara në vit si pasojë e shkrimit mobitelit. Gjatë ditës rreth 660000 vozitës përdorin veglat e tyre elektronike përderisa i grahin veturës, gjë që për tre herë sesa fatalitetet rrit mundësinë e aksidentimit. (Hellbock, 2019)

Mes viteve 2001-2007, 16 mijë njerëz kanë humbur jetn si pasojë e shfrytëzimit të celularit nëpër rrugë. (Reuters) Në Kroaci, 91 % të shoferëve në vitin kanë përdorur celularin gjatë vozitjes, dhe gjysma e këmbësorëve  duke kaluar vizat e bardha; 40 % s’do ta kishin ndryshuar këtë shprehi pa marrë parasysh dënimet. (Splitski Dnevnik, 2019) Njëri prej filmave kishte porosinë “Lerëni vetë celularin”, ngase nëse e përdorni në makinë, rrezikoni të tjerët dhe përballeni me rrezik të barabartë me atë të të qenët i dehur. Rrëfimi i Liz Marks, trishtues. Me fytyrë të deformuar, që pohon se s’mund të dëgjojë mirë, të shijojë. “Nuk kam lot, sepse jam dëmtuar, nuk më zë gjumi në mënyrë normale, duhet të pi hapa. Jam e vetmuar, s’mund të shkoj në universitet.

Edhe prindërit janë lodhur me problemet e mia.” Filmi përfundon me fjalinë: “Mos ju shkruani të dashurve tuaj nëse e dini se vozisin, mund t’ua ndryshoni jetën përgjithmonë. Mos i shikoni porositë. Nuk ia vlen. #Just drive”. Filmi tjetër ishte i BBC dhe PSA (Public Service Announcement), gjegjësisht tre shoqeve nga Walesi me një Ford Ka, të Cassie Cowan, që lexonin dhe shkruanin mesazhe duke vozitur, rrugëtim që përfundoi me vdekjen e katër personave, dy bashkëshoqërueseve dhe një çifti. Pasojat i përjetoi edhe nëna e shoferes së re, Cassie, që mbeti gjallë: nuk shërbehej më as në market, në murin e shtëpisë së saj u shkruajt grafitti: “Murdering Cow.” Pra, një tragjedi që preku për vajzën, shoqet, prindërit dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Pas filmave pasoi debati, ku mes tjerash u kritikuan edhe policët vetë nga një qytetar mbi të gjashtëdhjetat, që tha se gabimit duhet t’i shmangen edhe policët vetë që janë përdorues të celularëve në makinë si të tjerët; një kundërvajtës tjetër pohoi se “nëse i mblidhni të gjithë ata që abuzojnë celularin, do duhet që herën tjetër të rezervoni  stadiumin ‘Proeski’”.

Ne thamë se “fajtore” është edhe teknologjia që na ka hyrë në palcë dhe jeta super e shpejtë që nuk lejon vonime. Sidoqoftë, përvoja ishte ekselente, mësuam dhe u vetëdijësuam për gabimet e bëra çdo ditë duke përdorur teknologjinë që mund të jetë fatale. “Pa telefon s’ka jetë”, do kishte thënë dikush. Po është i pashmangshëm, ama duhet që së paku episode të jetës t’i kalojmë pa të, ose pranë, pa përdorim aktiv të tij. Gabimet ndodhin, nuk duhet përsëritur! MPB meriton lëvdatë për këtë ndërmarrje shumë fisnike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button