MPB nuk e di se cilët prej “Komitëve” kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve

Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk i ka identifikuar se cilët nga tifozët “Komitë” dje gjatë ditës dhe pas mbarimit të ndeshjes Vardar – Shkëndija kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes kundër shqiptarëve, njofton Portalb.mk.

“Po punojnë në rastin, pas identifikimit të personave do të dorëzojnë padi përkatëse”, thonë për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, MPB konfirmojnë se në Stacionin Policor Kisella Vodë janë arrestuar S.L. (21) dhe D.M. (21), të dy nga Shkupi për  shkak se dyshohet se në orën 15:10 në Parkun e Qytetit te liqeni, fizikisht i kanë sulmuar E.K. (24), L.K. (19) dhe M.B. (18), të gjithë nga Republika e Kosovës. Është njoftuar prokurori publik. Pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet padi përkatëse.

Komitët mbrëmë pasi ka mbaruar ndeshja futbollistike mes Varadarit dhe Shkëndisë kanë vërshuar rrugëve të Shkupit të pajisur me thika e shkopinj bejsbolli. Edhe më herët gjatë ditës tifozët Komitët dhe Vojvodët nëpër rrugët e Shkupit ndezën mjete të ndryshme piroteknike dhe drejtuar fyerje të shumta kundër shqiptarëve.

Ndryshe, gjuha e urrejtjes apo nxitja e gjuhës së urrejtjes, edhe pse është vepër penale në Maqedoni, ndër vite nuk është dënuar. Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes.  Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Sipas Kodit Penal, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button