Shpërbërja e një perandorie dhe fatkeqësia e një populli

Një ndër perandoritë më të mëdha të të gjitha perandorive ishte Perandoria Osmane – perandori kozmopolite, bipolare dhe policentriste. Nga të gjithë popujt që përbënin këtë perandori, ishin dy popuj që në hierarkinë osmane kanë pasur më së shumti figura personalitetesh të larta dhe kanë bërë histori: në Evropën Juglindore dhe Ballkan ishin shqiptarët, kurse në Lindjen e Afërme ishin kurdët. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane këta dy popuj ishin humbësit më të mëdhenj. Populli shqiptar doli mbi gërmadhat e Perandorisë i coptuar, i holluar, më shumë se i përgjysmuar me një shtet të pavarur ku më shumë se gjysma e kombit mbeti jashtë kufijve të tij.

Populli kurd mbeti i coptuar në katër shtete – një popull mbi 30 milion mbeti i robëruar, pa shtet, pa atdhe, pa gjuhë, pa kulturë dhe pa identitet.

Gjatë një vikendi isha në një restorant turk duke pirë kafe me një mikun tim turk që ishte më i ri se unë. Unë i drejtohesha me fjalët “Murat Bej|, kurse ai më thërriste me nofkën “Merxhan Abi”. Gjatë bisedës folëm dhe për temën aktuale – për ofensivën e forcave turke në pjesën veriore të Sirisë.

Unë iu drejtova mikut tim me fjalët: “Murat Bej, a nuk meriton populli kurd të paktën një autonomi kulturore ose administrative?”

Miku turk më tha: “Merxhan Abi, kjo është një histori komplekse dhe e ngatërruar.  Edhe unë kam empati dhe më vjen keq për kurdët. Në fisin tim kemi martesa të përziera me kurdët. Në familjen time, gjyshja ime nga nëna është kurde. Turqia ka një histori të ngjashme me Amerikën. Në shekujt 11-12, me ardhjen e selçukëve filloi hapja dhe zgjerimi i Perandorisë Osmane. Perandoria Osmane ishte multi-polare, multi-etnike, e përbërë prej shumë popujsh e kombesh. Kam lexuar një vepër nga një historiograf e osmanolog perëndimor. Ky historian shkruan se aktorët e shpërbërjes së Perandorisë Osmane janë shtetet europjane imperialiste e kolonialiste. Sigurisht se në fillim të shekullit XX Perandoria Osmane do të shpërbëhej, por në mënyrë paqësore. Shkaku që Porta e Lartë hyri në luftë ishte Europa.

Tri fuqitë e mëdha europjane, ANTANTA TRESHE – Rusi-Angli-Francë, donin ta coptonin edhe atë pjesë të shtetit të frakturuar që kishte mbetur nën gërmadhat Perandorisë Osmane. Kalifi i fundit Abdul-Hamidi II ishte reformator pro-perëndimor, i lidhur ngusht me Gjermaninë. Ai donte të krijonte një monarki model siç ishte Mbretëria e Bashkuar (Britania e Madhe). Popujt autoktonë kurdë, armenë e grekë do të kishin vilajetet e tyre.

Europa është shkaktare që sot bota islame nuk ka një lider shpirteror, një të ashtuquajtur ‘kalif tradicional’, ashtu siç ishte deri në kohën e Sulltan Abdul-Hamidit, apo sikurse është Papati i Vatikanit.

Nacionalistët turq, duke parë se fuqitë e mëdha europjane do ta coptonin Turqinë, shtetin e mbetur Osman, u mobilizuan nën udhëheqjen e Mustafa Qemal Ataturkut dhe formuan shtetin e ri – Republikën e Turqisë, moderne e sekulariste, duke e larguar kalifin Sovran përgjithmonë nga pushteti.

Pas formimit të Republikës Turke, sipas kontratës dhe marrëveshjes me kancelaritë dhe lordët europjanë, u nënshkrua Traktati famëkeq i shkëmbimit të popullatave mbi baza fetare. Sipas këtij Traktati, të gjithë muslimanët e Greqisë dhe vendeve të tjera ballkanike do të shpërnguleshin në Turqi, të gjithë të krishterët orthodoksë në Greqi dhe të gjithë armenët në Armeni. Ky ishte një spastrim etnik që në fakt merrte për bazë fenë dhe jo kombësinë. Kështu, më se 3 milionë të krishterë u shpërngulën në Greqi (midis tyre edhe shumë shqiptarë të krishterë); kurse afër 2 milionë muslimanë nga Greqia, Serbia, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania u shpërngulën në Turqi.

Sipas arkitektit Qemal Ataturk, Turqia u bë shtet unitar, centralist dhe etatist me një komb, një gjuhë dhe një fe. Pas vdekjes së Ataturkut, nacionalistët dhe sektaristët primitivë, hibridë, e shndërruan Ataturkun në kult individi, në idhull.

Miku im turk më tha: “Abi Merxhan, habitem me ju shqiptarët! Shpesh kam dëgjuar disa shqiptarë duke u mburrur se Qemal Ataturku është me origjinë shqiptare. Unë e kam lexuar biografinë e Ataturkut. Nuk e mohoj dhe nuk e kundërshtoj, por nga shumë autorë turq e perëndimorë që kam lexuar, Mustafa Qemal Ataturkun e quajnë tartar, nacionalist pan-turk. Në veprat që kam lexuar, askund nuk kam hasur që ai të thotë se është me origjinë shqiptare. Por le t’i kthehemi çështjes së popullit kurd në Turqi. Unë nuk jam kundër që kurdët të kenë një autonomi. Por paradoksi është se pas kurdëve do të ngriheshin edhe etnitete tjera dhe do të kërkonin autonomi. Turqia është shtet heterogjen. Po t’u jepej kurdëve autonomi, pastaj do të ngriheshin e të kërkonin autonomi edhe armenët, lazët, yrikët, shqiptarët, boshnjakët, arabët, etj. Në fund do të ndodhte skenari i ish-Jugosllavisë: Turqia do të shpërbëhej.”

Të kontribosh për kauzën e një populli pa shtet

Para shumë vitesh kam pasur një biznes ku kam takuar shumë palestinezë, kurdë e libanezë. Nga ata bleja makina dhe i importoja në Maqedoni. Vëreja se ata ishin shmë të politizuar, të polarizuar dhe të hegjemonizuar, si ne shqiptarët.

Ishte mesi i tetorit 1998. Kishin filluar luftimet sporadike në Kosovë. Banoja në qytezën Bürglen, Kantoni Thurgao. Atje ishte një hotel-restorant “Hotel Bahnhof” ku pronar ishte një shqiptar nga Prizreni. Aty bëheshin shpesh tubime dhe aksione për ndihma “Vendlindja na thërret!”. NJë miku im kurd duke pirë kafe nxori 300 franga zvicerane dhe m’i dha duke më thënë: “Merri këto se edhe unë dua të jem pjesë e aksionit tuaj për ndihma. Ne kurdët e dimë si ju shqiptarët se çfarë do të thotë të kontribosh për kauzën e një populli që nuk ka shtet”.

XXXX

Kam parë para ekraneve televizive luftimet dhe popullin e pambrojtur kurd në Siri, të përbuzur, pa aleatë, duke bredhur nëpër male dhe bjeshkë të larta, Ky popull i robëruar  dhe i vuajtur nuk kishte kujt t’i drejtohej për ndihmë veç Zotit dhe qiellit.

Ndër kartë-vizitat që kisha pasur gjeta kartë-vizitën e ish-mikut tim kurd “Autohȁndler Mustafa Genxh”. Nganjëherë unë shkoja në një restorant turk ku shumica janë klientë turq dhe kurdë. Me turqit e kurdët unë zakonisht komunikoja në gjuhën turke. Ekziston një fenomen që në Perëndim kur integrohesh është vështirë të identifikohesh se i cilës kombësi je. Përveç martesave të përziera, nëpër klube, xhamia e dasma shkojnë së bashku njerëz me kombësi të ndryshme. Më kujtohet që gjatë viteve 1990-të punoja në një firmë ku shumica ishin serbë, boshnjakë e kroatë. Shpesh kur punonim në turnin e dytë, pas mbarimit të turnit, ndalonim në ndonjë klub dhe pinim së bashku nga një birrë të ftohtë. Kur mungonte ndonjë punëtor për arësye shëndetsore ose ishte me pushim, ata thonin me shaka se ‘ai ka shkuar në front’. Një herë, duke dëgjuar këngë sllave nga një këngëtar që nuk dihej se nga ishte, një koleg i punës tha: “Ne këtu jemi shokë dhe miq, kurse atje poshtë jemi armiq”. “Po të ishim atje”, tha një boshnjak, “do të luftonim kundër njeri-tjetrit.”

“Jemi një popull i përbuzur dhe pa aleatë”

Një ditë, duke pirë kafe me mikun tim Mustafa Genxh, në një nga kanalet televizive turke po dëgjonim duke kënduar një këngëtar popullor kurd. E pyeta për situatën dhe për familjen. Mustafai më tha se banonte në një qytezë afër kufirit sirian. Pastaj vazhdoi: “Jemi popull fatkeq. Ka më se njëqind vite që jemi të shpërndarë në pesë shtete. Jemi të përçarë në ideologji, në parti e fraksione të ndryshme. Na akuzojnë se jemi të indoktrinuar nga ideologjia komuniste të ushqyer nga ish-Bashkimi Sovjetik. Pastaj na thanë se duhet të jemi aleatë me Perëndimin. U bëmë me amerikanët. Më se 1500 ushtarë kurdë mbetën të vrarë në luftime duke e mbrojtur Perëndimin nga ISIS-i. Më në fund edhe europjanët, edhe amerikanët na braktisën, na tradhtuan. Nuk kemi më asnjë aleat përveç djallit. Tani ne si popull kemi harruar çdo kauzë e aspiratë për shtet të pavarur ose autonom. Luftojmë për të mbijetuar.”

Mustafai rrëfente se disa euro-deputetë me origjinë nga Ballkani kanë ngritur zërin dhe kërkojnë status të minoriteteve. Boshnjakët e shqiptarët kanë filluar të kenë stacionet radio-televizive në gjuhën e tyre. “Më bëhet qejfi për ata,” tha Mustafai dhe vazhdoi: “Populli kurd është autokton në pjesën jugore të Turqisë, në Mesopotaminë e lashtë. Turqit erdhën në shekujt XI-XII.”

Pas kësaj bisede, duke u ndarë i thashë Mustafait:”Unë, si të gjithë shqiptarët, shprehim empati e solidaritet për ju; jemi të revoltuar e të shokuar kur shohim skenat makabre dhe katastrofën humanitare. Më kujtohet kur populli i Kosovës  pësonte të njëjtin kalvar që po kalon sot populli kurd në momentet më tragjike të historisë së tij. Ti më ngushëllove, u solidarizove dhe më the se doje të ishe pjesë e aksionit ‘Vendlindja thërret!’. U kam treguar shumë shqiptarëve, miqve të mi, për gjestin tënd human.”

Në fund, duke u ndarë me mikun tim Mustafa Genxh, i thashë: ”Kam dëshirë që të jem edhe unë pjesë e aksionit humanitar për popullin tuaj – për fëmijët, gratë e pleqtë që vuajnë nga uria nëpër kampet e llogoret. Zoti e bekoftë popullin kurd”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button