Buxheti i 2013-ës, karrem për të fituar zgjedhjet

Debati maratonik dhe numri rekord i amendamenteve do ta shënojnë debatin kuvendor për Buxhetin e vitit 2013. Madje edhe vet ministri i Financave Zoran Stavrevski pranoi se deputetët i pret një dhjetor “i gjatë”.

Partitë opozitare janë “armatosur” me më shumë se 1020 amandamente, prej tyre rreth 530 janë të LSDM-së ndërsa rreth 420 të partisë së Rufi Osmanit, RDK-së. Theksojnë se ky do të jetë “buxheti më i vështirë për miratim”, veçmas që është në vigjilje të zgjedhjeve lokale, për kur do të duhet të “gjuhën” edhe pika politike.

Në projektimet dhe planet e dyshes qeveritare Gruevski – Ahmeti që të harxhojnë 2.7 miliardë euro, partitë opozitare shohin pafuqi dhe pranim nga qeveria se nuk ka vizion se si t’i zgjidh problemet ekonomike të qytetarëve. Ndarja e drejtë e parave do të jetë pjesë e debatit kuvendor të RDK-së.

“Debatin e amandamenteve e fillojmë me bllok-dotacionet për decentralizimin. Ne do ta kontestojmë metodologjinë e tanishme për ndarjen e parave buxhetore sepse mendojmë se nuk ndahen në mënyrë të barabartë veçmas nëse bëhet analizë e parave që transferohen për arsim fillor dhe të mesëm dh për kulturë. Me amandamentet tona propozojmë që paratë të ndahen sipas, për shembull numrit të nxënësve apo për kokë banori, me çka do të siguroheshin më shumë para për qytetet e pjesës perëndimore të Maqedonisë”, thekson deputeti Izet Zeqiri.

Edhe opozitarët e LSDM-së do të haprin deri tani numër rekord të amandamenteve, më shumë se 560. Infrastruktura, energjetika, rrjetet ujësjellëse dhe huamarrjet e shtetit do të jenë në fokus të partisë më të madhe opozitare.

“Amandamentet kryesore kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve energjetike, autostradave, termo dhe hidrocentraleve. Me amandamentet do të kërkojmë edhe zgjidhjen e problemit të punonjësve falimentues, branitellave dhe ndihmën që duhet marrë bujqit, përmes formimit të fondeve”, thekson për Portalb, deputeti Mirijanço Nikollov nga LSDM-ja. Nuk presin që Qeveria të pranojë disa nga këto zgjidhje që i ofron opozita.

“Praktika e deritanishme ka treguar se pushteti nuk i pranon amandamentet e opozitarëve, ashtu që nuk presim të ndodh tani. Por një është e qartë se ky do të jetë buxheti më i vështirë për miratim”, thekson Nikollov. Si projekte konkrete infrastrukturore për të cilat opozita do të kërkojë para janë: ndërtimi i rrugës Veles-Prilep dhe Milladinovci – Shtip.

Sipas Partisë Demokratike Shqiptare, buxheti është i papranueshëm dhe nuk do të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të shtetit. Konsideroj se ashtu si është projektuar do të ketë pasoja negative mbi ekonominë dhe mbi jetën e qytetarëve. Akuzuan se nuk ndahen mjete të mjaftueshme për mjediset ku jeton popullata shqiptare.

Në fillim të debatit të parë në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet, si pararendës i debatit të amendamenteve, ministri Stavrevski i hodhi poshtë akuzat se  buxheti i ri nuk është i drejtë. Duke ua kthyer PDSH-së, zëvendëskryeministri numëroi disa shembuj që konfirmonin se po investohen mjete në mjediset ku jeton popullata shqiptare. Mes tjerash i theksoi qendrën diagnostifikuese në Tetovë, mjetet që ndahen për Universitetin Shtetëror në Tetovë, si dhe projekti për efikasitetin energjetik në shkolla në komunën e Çairit.

Me Buxhetin e vitit 2013 Qeveria tenton ta fsheh fytyrën e shëmtuar të pjesës më të madhe të shtetit, komentojnë nga Partia për Integrim Evropian.

“Buxheti i propozuar thjeshtë është vënë në funksion të zgjedhjeve të radhës. Duhet të ndodh mrekulli që Qeveria të pranojë të paktën vetëm një prej 50 amandamenteve që i parashtruam si grup parlamentar”, thekson për Portalb deputeti Safet Bishevac dhe shton se “Krahas amendamenteve me të cilat kërkojmë që Qeveria të ndajë para për kahjet strategjike apo para për masa me të cilat do të rritej dhe avancuar bujqësia, pjesa më e madhe e amendamenteve janë kërkesa për zgjidhjen e kushteve themelore ekzistenciale për një jetë të dinjitetshme, siç janë, rrugët, shkollat, kanalizimi”.

Sipas Bishevac, Buxheti është shprehje e propagandës qeveritare e cila tenton të fsheh se ende ka vende dhe rajone në të cilat nuk ka kushte elementare për jetë, ujë, rrugë, shkolla.

Buxhet: Pozitat kyçe

Qeveria deri vitin e ardhshëm planifikon të mbledh 2.4 miliardë euro, ndërsa të shpenzojë 2.7 miliaradë euro. Minusin buxhetor në shtet e projektoi në 3.5 për qind të Bruto Podhimit Vendor. Mungesën e parave për shpenzim kryesisht do ta financojë përmes huamarrjeve nga jashtë. Tashmë në vet fillimin e vitit 2013 Qeveria do të merr kredi prej 250 milionë eurove, prapa të cilës si garantues qëndron Banka Botërore.

Deri vitin e ardhshëm rritja është regjistruar në pikën për transferime sociale, e cila do të mbërrijë 1.2 miliardë euro dhe në krahasim me buxhetin e sivjemë është më i madh për 100 milionë euro.

Viti 2012                          Viti  2013
Rroga                              374 mil euro                375 mil euro               
Mallra dhe shërbime         258 mil euro                280 mil euro               
Trime soc.                       1,1 miliardë euro      1,2 miliardë euro

Në mbrojtje të Buxhetit për vitin 2013, si adut kyç Qeveria e ofron projektimin për rritje të shpënzimeve kapitale për 10 për qind. Është paraparë rritje e konsiderueshme e programeve shëndetësore, si dhe rritje prej pesë për qind e pensioneve dhe ndihmës sociale. 

Aneta Dodevska, bashkëpunëtore e jashtme e Portalb. 

Lajme të ngjashme

Back to top button