Milani nënshtron kampionin (VIDEO)

Ka mjaftuar një gol që Milani ta shënojë fitoren e madhe kundër Juventusit, e cila mund t’ia kthejë vetëbesimin për t’u rikthyer në sezonin e filluar keq.

Vendasit e filluan në mënyrë mjaft ofensive ndeshjen, ndërsa rasti i parë erdhi në minutën e pestë kur De Sciglio goditi jashtë porte.

Bianconerët u përpoqën ta qetësonin lojën dhe ta merrnin kontrollin e lojës, por Rossonerët vazhdonin të ishin të rrezikshëm.

Një harkim i Montolivos preku kokën e Nocerinos dhe më pas dorën e Mauricio Islas, ashtu që arbitri akordoi penalti. Buffon dështoi ta ndalte goditjen e Robinhos që shënoi për epërsinë e kuqezinjve (30’).

Në minutat e mbetura të pjesës së parë, bardhezinjtë u përpoqën të ndërtonin ndonjë aksion, megjithatë ishin jo efektivë përpara zonës. Nga ana tjetër, El Shaarawy ka mundur ta dyfishojë rezultatin.

Lojtarët me fanellat e bardha e morën në dorë lojën në pjesën e dytë. Ata ndërtonin aksion pas aksioni, por mbrojtja rossonere nuk thyhej.

Përmendim disa raste të pashfrytëzuara nga Mirko Vucinic dhe bashkëlojtarët e tij, ndërkaq kundërsulmet e Milanit ishin shumë të rrezikshme.

Presioni i Bianconerëve vazhdoi deri në fund të ndeshjes, mirëpo sulmi i tyre joefektiv nuk arriti ta shënojë atë golin e dëshiruar.

Kjo ishte humbja e dytë e Juventusit këtë sezon, ndërsa në të dyja rastet u mposht nga skuadrat milaneze. Zonja e Vjetër do të vazhdojë kryesimin në Serie A, por në rast se Interi mposht Parmën, mund t’i afrohet në një pikë diferencë.

Milani, nga ana tjetër, ngritet në pozitën e tetë në tabelë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button