Me llogarinë e shtëpisë nuk dilet në treg

Tani më kur u bënë afër dy muaj nga shuarja e euforisë për (mos)marrjen e datës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, është e domosdoshme që të bëhet leximi i duhur dhe interpretimi sa më i saktë i “JO-së së Francës respektivisht Bashkimit Evropian, për të parë se ku qëndron “PYKA” e bashkimit dhe e ndarjes në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, me qëllimin më të mirë të mundshëm e që ka të bëjë me marrjen e masave dhe kryerjen e detyrave të shtëpisë, që Samiti i ardhshëm në vitin 2020 të na gjejë sa më të pjekur institucionalisht dhe sa më objektiv në raport me interesat subjektive që shumë aktorë mund ti kenë, qofshin ato të pushtetin apo ato të opozitës. Të fillojmë me “PYKAT” e përbashkëta në mes të Maqedonisë se Veriut dhe Bashkimit Evropian për të arritur deri te ”PYKAT” e ndasive, ndasi që janë elemente të huaja dhe të pa pranuara për vlerat evropiane, e që vendi ynë i ka me bollëk.

E përbashkëta vitale në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian janë qytetarët e këtij vendi të cilët për hirë të identitetit evropian kanë bërë luftëra të pakompromis me të gjitha forcat destruktive vendase dhe jo vetëm. Ishin pikërisht qytetarët e këtij vendi që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, dolën përtej interesave etnike, duke minimizuar edhe numrin e deputetëve të etnisë së tyre me të vetmin qëllim, shpëtimin e perspektivës evropiane të vendit.

E përbashkëta tjetër, jo më pak e rëndësishme se e para, e që padiskutim është një aset jo vetëm i shtetit por edhe i vetë Bashkimit Evropian dhe atij Amerikan, që tani më në zhargonin popullor njihet me emrin “Marrëveshja e Prespës”.

Për fat të keq si duket është pikërisht momenti pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës, ajo “PYKA” kryesore që pjesës dërmuese të politikanëve në vend ju dha kurajon dhe shpresë të rrejshme se tani më mund të bëjnë çka të duan dhe sit ë duan, sepse faktori ndërkombëtar do ta mbyll njërin sy dhe do të shoh mes gishtave për një kohë të gjatë. Pra, në fillim në emër të Marrëveshjes së Prespës filluan të rehabilitojnë ish-pushtetarët abuzues të djeshëm me të vetmin qëllim të amortizohet zëri kritik, pra u bë një lloje paqeje në heshtje, me maksimëm “Nuk do ju gërvishtim edhe më tutje për të kaluarën kriminogjene por Ju do ndaloni së kontestuari Marrëveshjen e Prespës dhe do të bëni sikur nuk na shihni se si po keqpërdorim edhe Ne pozitat zyrtare”.

Por, ata që nuk nxjerrin mësim nga historia çdo herë janë të destinuar të ju përsëritet po e njëjta histori.
Kështu që, disa muaj para Samitit të tetorit ku të gjithë po prisnim se o tani o kurrë do marrim datën për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, opinion i gjerë u trondit nga afera e ashtuquajtur “REKET”, aferë e cila nxori të palarat e njerëzve që opinioni i gjerë i quante dhe realisht i shihte si “SHPRESË”. Nga momenti i aferës “REKET” e deri në Samitin e tetorit, koha për të reflektuar institucionet shtetërore ligjzbatuese ishte e mjaftueshme por si duket edhe kësaj here për fat të keq nuk kishte vullnet politik.

Edhe përkundër shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshme vetëm disa muaj para Samitit të tetorit, pushteti ekzekutiv dhe ligjvënës jo vetëm që nuk bënë detyrën por u hodhën në sulm për të kundërtën, në fillim duke dhënë garanca për marrjen e datës së negociatave, javën e fundit duke kërkuar fajtorin tek rangimi i vendit në të njëjtin grup me Shqipërinë dhe në fund fare duke akuzuar Bashkimin Evropian se Ne i kemi kryer detyrat por Juve nuk dini të vlerësoni.

Prandaj, është koha e fundit për të reflektuar dhe për ta kuptuar se me “Me llogarinë e shtëpisë nuk dilet ne treg”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button