Tre oferta në tenderin për autostradën Shkup-Bllacë, ndërtimi do të fillojë në pranverë

“Granit” dhe “Beton” nga Shkupi dhe kompania bullgare “ISA 2000” janë të interesuar për të ndërtojnë fazën e parë të autostradës Shkup-Bllacë. Ndërmarrja publike për rrugët shtetërore, në një prononcim për “Meta.mk” konfirmon se në tenderin e dytë kishte tre oferta, të cilat u hap më 29 nëntor – që ishte afati i fundit për dorëzim, transmeton Portalb.mk.

– Aktualisht, në përputhje me procedurat ligjore, po bëhet vlerësimi i ofertave të pranuara. Ne këtë moment ende nuk është e qartë se kur saktësisht do të fillojnë punimet e ndërtimit në terren, por mund të pritet që kjo të jetë në pranverë të vitit 2020 – thonë nga ndërmarrja publike për rrugët shtetërorë.

Pritet që kësaj radhe tenderi të përfundojë me sukses, të përzgjedhet ofertuesi më i favorshëm dhe kontraktuesi dhe të fillojë me ndërtimin e dy kilometrave të parë të autostradës Shkup – Bllacë. Traseja e përgjithshme i këtij segmenti është 12.5 kilometra. Plani është që, për fazën e dytë të realizimit të autostradës, tenderi për zgjedhjen e kontraktuesit të të shpallet në periudhën prill-qershor 2020.

Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në tetor të këtij viti e anuloi tenderin e parë për ndërtim të fazës parë të autostradës Shkup-Bllacë. Arsyetimi i kësaj kompanie ishte që në tender ishte paraqitur vetëm një ofertë, ndërsa çmimi i ofruar për dy kilometrat e ka tejkaluar buxhetin për realizimin e projektit.

Rëndësia e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, është sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë, megjithatë ai u hap në korrik. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button