Prokuroria ka hapur parahetim kundër VMRO-DPMNE-së, nuk i ka paguar borxhet e fushatës zgjedhore presidenciale

Me urdhër të prokurorit të Shkupit, Sasho Rajçev, MPB sot në mëngjes kërkoi prova në tre ndërmarrje të dëmtuara të cilave VMRO-DPMNE nuk u ka paguar për material propagandues dhe për shërbimet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale në prill dhe maj të vitit 2019-të. Njëra ndër ndërmarrjet është e motrës së biznesmenit Orce Kamçev, i cili është i dyshuar në lëndën e PSP-së “Perandoria” dhe dëshmitar kyç në rastin “Reket” kundër ish kryeprokurores speciale Katica Janeva dhe Bojan Jovanovskit, njofton Portalb.mk.

Jo-zyrtarisht, SDK mëson se Prokuroria është në procedurë parahetimore kundër borxhliut VMRO-DPMNE dhe nuk kryen kontrolle te ndërmarrjet, por kërkon dokumente si prova kundër personit të dyshuar. Deri më tani nuk dihet nëse procedura parahetimore është e drejtuar edhe ndaj personave fizik nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së.

Nga MPB e kanë konfirmuar informatën, por prej atje i mohojnë zërat se është kryer kontroll në ndërmarrje.

Procedura parahetimore është hapur pas raportit të revizorit, i cili ka konstatuar se partia e ka mbyllur llogarinë e fushatës zgjedhore me borxh të papaguar ndaj ndërmarrjeve me lartësi mbi 400.000 euro.

Nuk është hera e parë që VMRO-DPMNE të mos i paguajë borxhet për fushatë zgjedhore. Derisa ishte në pushtet, që në kohën e Nikolla Gruevskit, në mënyrë të paligjshme i ka mbyllur llogaritë me borxhe prej 3.5 milionë euro dhe asnjëherë asnjë Prokurori nuk ka ngritur procedurë.

mesin e muajit shtator, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, në konferencë për shtyp publikisht kërkoi përgjigje nga lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për disa pyetje në mesin e të cilave ishte nëse Orce Kamçev është financues i partisë më të madhe opozitare.

“Çfarë është ajo që Mickoski nuk dëshiron të dijë opinioni për rastin “Reket”? – Në vend që të shpërndajë lajme të rrejshme, ai është i obliguar që të dalë përpara opinionit dhe të përgjigjet: Nëse Orce Kamçev, manjat i dalë nga regjimi i VMRO-DPMNE-së dhe i akuzuar në lëndët e PSP-së, është financues i fushatës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së? – A bëhet fjalë për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të fundit presidenciale? A di të përgjigjet Mickoski sa i ka kushtuar ajo Kamçevit, gjegjësisht ndërmarrjeve të tij? Përgjigje mund të japë edhe sekretari i përgjithshëm i partisë, Igor Janushev i cili është nënshkrues i llogarisë”, deklaroi Kostadinov.

Sipas të dhënave të Entit për Revizion, VMRO-DPMNE në shtator e ka mbyllur llogarinë me borxh prej 442.000 euro.

“Borxhi i VMRO-DPMNE-së prej 400.000 euro ka mbetur, ndërsa llogaria për këtë fushatë është veçmë e mbyllur. Si duket, VMRO-DPMNE dhe nënshkruesi i llogarisë për këto zgjedhje, sekretari i përgjithshëm Igor Janushev nuk e kanë respektuar Kodin zgjedhor”, ka thënë Kostadinov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button