Përfundoi edicioni i parë i festivalit teatror AKTFEST, ja kush janë fituesit

Mbrëmë në Teatrin e Komedisë në Shkup me shfaqen “Medea” nga Teatri Kombëtar “Kujtim Spahivogli” Tiranë, përfundoi edicioni i parë i festivalit më të ri teatror në vend AKTFEST 2019.

Për pesë netë më radhë u prezantuan 6 shfaqe teatrore nga skenat shqiptare prej Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duke sjell rolet më të spikatura në gjuhën shqipe.

Në kuadër të festivalit u vlerësua puna e aktorit që njëherësh ishte edhe vet koncepti i këtij festivali.

Mbi 60 aktorë ishin në konkurrencë për të fituar 5 çmimet kryesore të cilat i ndau juria profesionale e festivalit.

Juria e përbërë nga Ndriçim Xhepa, Vebi Qerimi dhe Shkumbin Istrefi përzgjodhi edhe fituesit e parë të këtij festivali.

Fituesit e edicionit të parë të festivalit teatror “AKTFEST 2019”
1. Aktori më i mirë në rol kryesor- Refet Abazi
2. Aktorja më e mirë në rol kryesor- Luiza Xhuvani
3. Aktori më i mirë në rol joprotagonist- Luran Ahmeti
4. Aktorja më e mirë në rol joprotagonist- Kristi Lleshi
5. Aktori i ri më i mirë/Aktorja e re më e mire- Bujar Ahmeti

Organizatorët u shprehën të kënaqur me mbarvajtjen e festivali si dhe me interesimin e publikut për të ndjekur të gjitha shfaqet pjesëmarrëse.

Kujtojmë që festivali pësoi vetëm një ndryshim në program edhe kjo për shkak të fatkeqësisë natyrore që kaploi qytetin e Durrësit, trupa teatrore e këtij qyteti me shfaqen “Revizori” anuloi pjesëmarrjen dhe në vend të saj mori pjesë Teatri I Tetovës me shfaqen “Jashtë bie borë”.

Ndryshe, festivali filloi më 30 nëntor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, u mbajt në dy lokacione në Teatrin Popullor të Maqedonisë dhe në Teatrin e Komedisë, ndërsa në shenjë solidariteti për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri u mblodhën edhe donacione nga ana e publikut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button