Disa gjëra të rëndësishme që duhet t’i dini për financimin e fushatave zgjedhore mediatike të partive politike

Burimi: KriThink

Financimi i partive politike është aktivitet publik dhe transparent. Të paktën kështu e parashikon ligji. Qytetarët dhe organet kompetente duhet të kenë qasje të plotë deri te raportet financiare të partive. Në këtë shkrim edukues për mënyrën se si funksionon trekëndëshi buxhet-parti-media, do të merremi vetëm me aspektin ligjor të financimit të partive dhe fushatës zgjedhore, pa u futur në forma të tjera jolegale nëpërmjet të cilave, eventualisht, është mbushur buxheti i ndonjë partie.

Partitë kanë të drejtë të posedojnë hapësira pune dhe pajisje për punë që lidhen me veprimtarinë e tyre. Me ndryshimet që u bënë një vit më parë në Ligjin për financimin e partive politike, tani këto subjekte kanë të drejtë edhe për prona tokësore. Burimet e tyre financiare janë publike dhe private.

Financimi i partive politike nga shteti

Financues publik është shteti, që do të thotë se ndahen mjete të posaçme nga buxheti vjetor i shtetit për financimin e partive politike. Me ndryshimet e fundit, partitë rritën përqindjen e financimit nga shteti dhe ulën normën e lejuar për të ardhurat nga donacionet.

 “Mjetet e përgjithshme për financim vjetor të partive politike janë 0.15% nga mjetet e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë.” – parashikon Ligji për financimin e partive politike, neni 9.

Në numra konkret, nga buxheti shtetit ndahen 4.5 milion deri më 5 milion për subjetet politike, varësisht buxhetit vjetor.

30% të këtyre mjeteve që sigurohen nga buxheti i shtetit ndahen njëtrajtësisht mes të gjitha partive politike që kanë fituar të paktën 1% të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare ose në ato lokale. 70%-shi tjetër ndahet mes partive të cilat në zgjedhjet e fundit kanë fituar deputetë ose këshilltarë, proporcionalisht numrit të deputetëve ose këshilltarëve të komunave që kanë fituar.

Në mënyrë plotësuese, në buxhetin e shtetit parashikohen edhe 280 mijë euro për financim vjetor të qendrave hulumtuese–analitike të partive politike të cilat funksionojnë si pjesë e organizimit të brendshëm të partive.

Subjektet nuk mund të financohet nga qeveria dhe asnjë institucion i pushtetit qendror, institucione ndërkombëtare, organe dhe organizata të huaja, organe publike, ndërmarrje publike, ndërmarrje private të cilat në atë moment kryejnë shërbime për institucione ose organe publike dhe as nga burime anonime ose të paidentifikuara.

Burimet private të financimit të partive politike

Forma private të financimit mund të jenë pagesa e anëtarësimit, donacionet, trashëgimitë, shitja e materialeve propaganduese dhe të ngjashme. Ata duhet të mbajnë regjistër për donacionet.

“Shuma e përgjithshme e donacionit individual nuk mund të kalojë shumën prej 60 pagave mesatare nga persona juridik dhe 30 rroga mesatare neto nga persona fizik të Republikës, të paguara në muajin paraprak dhe të publikuara në Entin shtetëror të statistikës. Kjo shumë nuk mund të mblidhet më shumë se një herë në vit.” – shkruan në Ligjin për financimin e partive politike, Neni 16.

Partitë nuk mund të ketë mjete financiare në bankat jashtë vendit.

Për kontroll të brendshëm të implikimeve financiare partitë duhet të kenë organ të posaçëm kurse kontrollin e jashtëm e bën Enti Shtetëror i Revizionit pasi çdo fillimvit pranon nga partitë raportet e tyre financiare. Të njëjtat raporte i merr edhe Drejtoria për të Ardhura Publike dhe detyrimisht, sipas ligjit, duhet të publikohen edhe në faqen elektronike të subjektit.

Gjobat për shkeljen e këtyre dispozitave variojnë nga 1 deri më 10 mijë euro për personat fizik dhe juridik.

Financimi i fushatave zgjedhore

Fushatë llogaritet çdo aktivitet, tubim, takim me qytetarët, promovim dhe prezantim i programit zgjedhor të një partie politike ose koalicioni që garon në zgjedhje. Për fushatën zgjedhore e cila fillon 20 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, partitë duhet të hapin llogari të posaçme bankare me mbishkrimin “për fushatë zgjedhore”. Në këtë llogari bankare do të deponohen të gjitha mjetet e pranuara nga personat juridik ose fizik për financimin e fushatës zgjedhore. Kjo llogari mund të mbushet edhe me mjete nga llogaria bazë e partisë. Të gjitha harxhimet e fushatës duhet të kryhen kryekëput nga kjo llogari bankare. Llogaria mbyllet në afat prej tre muajsh nga dita e publikimit të rezultatit zyrtar të zgjedhjeve parlamentare ose presidenciale dhe në afat prej nëntë muajsh nga publikimi i rezultatit zyrtar të zgjedhjeve për kryetar komunash dhe këshilltarë.

Mbulimi mediatik

Mediat të cilat vendosin ta mbulojnë fushatën zgjedhore, obligohen që këtë ta bëjnë në mënyrë të balancuar dhe të paanshme. Pavarësisht se në cilën gjuhë e bëjnë transmetimin e tyre, mediat duhet t’u mundësojnë qasje të barabartë të gjithë pjesëmarrëse në fushatë në të gjitha llojet e programit të tyre, intervista, debate, përballje, programe informative, dokumentare, etj. Mediat dhe personat e lidhur me to nuk mund të jenë donator të partive politike. Redaktorët, gazetarët, moderatorët dhe prezantuesit e angazhuar në programet e mediave nuk mund të marrin pjesë në aktivitetet e fushatës së partive pilitike.

“Në periudhën e fushatës zgjedhore, edhe në rrethin e parë edhe në rrethin e dytë të votimit, radiodifuzerët që mbulojnë zgjedhjet mund të emitojnë gjithsej 9 minuta shtesë reklamë në një orë reale të posaçme për program të paguar politik, prej të cilave, për partitë politike në pushtet mund të ndahen e shumta katër minuta, për partitë politike në opozitë mund të ndahen e shumta katër minuta kurse për partitë politike të përfaqësuara në Kuvend por pa grup parlamentar dhe për partitë politike të papërfaqësuara në Kuvend, mund të ndajnë një minutë.” – shkruan në Kodin zgjedhor, Neni 75-gj.

Në afat prej pesë ditësh nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, mediat duhet të definojnë çmimoren për hapësirën mediatike të parashikuar për reklamim publik. Ekziston një standard brenda të cilit variojnë ofertat e mediave për këtë hapësirë. Mediat elektronike që kanë reklama të paguara politike duhet të regjistrohen në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Ata që nuk regjistrohen, nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë mjete nga buxheti i shtetit për reklamimin e paguar politik. Çmimet nuk guxojnë të ndryshojnë gjatë fushatës.

Pjesëmarrësit në zgjedhje duhet të dorëzojnë plan mediatik për reklamimin e tyre në fushatë. Programi i paguar në media duhet qartë të theksohet si “Program i paguar politik” dhe të jetë i ndarë nga pjesa tjetër e programit.

Servisi publik nuk guxon të publikojë program të paguar politik. Përfaqësimi mediatik i pjesëmarrësve në fushatë në servisin publik është pa pagesë kurse ndarja e hapësirës rregullohet me Kodin Zgjedhor.

Por kush e paguan hapësirën mediatike reklamuese të partive në media? Deri para vitit 2018 kur u bënë edhe ndryshimet e fundit, hapësirën mediatike për reklamim e paguanin vetë partitë. Këtë “borxh” ndaj mediave ata e lanin nga buxheti i tyre. Por me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, hapësirën mediatike për reklama tani e paguan KSHZ-ja.

“Për plotësimin e detyrimit ligjor ndaj radiodifuzerëve, mediave të shkruara dhe elektronike në pjesën e publikimit të paguar politik, mjetet financiare sigurohen nga buxheti i Republikës së Maqedonisë.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i paguan shpenzimet për programine  paguar politik në bazë të faturës së dorëzuar nga ana e radiodifuzerëvem mediave të shkruara dhe elektronike.

Komisioni shtetëror i Zgjedhjeve i paguan shpenzimet për programin e paguar politik të radiodifuzerëve, mediave të shkruara dhe mediave elektronike, në ditën e 12-të të fushatës dhe 10 ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore.” – shkruan në Kodin zgjedhor, Neni 76-d

Disa herë në publik është hapur debati për mënyrën e financimin e partive politike duke qenë se mos-definimi i disa dispozitave ligjore për këtë pjesë si dhe aktivitetet eventuale të paevidentuara nga partitë, kanë lënë hapësirë për dilema dhe dyshme për veprimtari të errët.

Konkluzion

Partitë politike kanë shpenzime për secilin organizim dhe aktivitet që bëjnë. Qytetarët duhet ta dinë se një pjesë të këtyre mjeteve i marrin nga taksapaguesit nëpërmjet të ardhurave që grumbullohen në buxhetin e shtetit. Një pjesë tjetër vjen nga anëtarët, bizneset dhe aktivitetet promovuese. Mënyra e financimit të partive politike në vend por edhe mënyra e fushatës shpesh kanë qenë objekt kritike për ekspertët dhe organizatat e huaja të cilat vlerësojnë se nuk sigurohet mjaftueshëm transparencë mbi këto fonde dhe nuk hetohen mjaftueshëm indikacionet për keqpërdorimin e tyre.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button