Osmani në Venedik do ta mbrojë pozitën e Qeverisë se Ligji i Gjuhëve është “reflektim autentik i MO-së”

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani prej Londrës shkon në Venedik, ashtu siç ka shkruar, për t’i mbrojtur pozitat e Qeverisë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, njofton Portalb.mk.

“Në rrugë për në Venedik, në sesionin e Komisionit të Venedikut ku do të vlerësohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Në emër të Qeverisë do ta paraqes qëndrimin se ligji është reflektim autentik i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, por edhe i nevojës për krijimin e shtetit evropian multietnik funksional”, ka shkruar Osmani.

Komisioni i Venedikut doli me vërejtje për Ligjin e Gjuhëve. Në mendim thuhet se shumë nga dispozitat e Ligjit i tejkalojnë standardet evropiane të definuara veçmas me Konventën për Mbrojtjen e Pakicave dhe Kartën Evropiane për Gjuhë Rajonale dhe të Pakicave, por se e njëjta është për t’u lavdëruar.

Sipas tyre, ligji shkon shumë lartë, duke u dhënë obligime joreale institucioneve, veçmas në përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, të cilat janë formuluar në mënyrë aq të gjerë që sigurisht do të kërkonte përgatitje shumëvjeçare që tërësisht të zbatohet.

“Obligimet e mëdha dhe të shtrenjta që ligji i sjellë, veçmas në organet gjyqësore janë të shoqëruara me sanksione në para në rastin e mosrespektimit. Përveç kësaj, paraqet bazë për kthimin e vendimit gjyqësor. Në rrethana të tanishme, nëse zbatohet tërësisht ligji, ai ndjeshëm do ta ngadalësojë funksionimin e tërë sistemit gjyqësor, me çka do të sjellë në rrezik që seriozisht ta shkelë të drejtën për gjykim korret të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në konkluzion.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ka thënë se mendimi i Komisionit të Venedikut për Ligjin e Gjuhëve është se me të njëjtin po jepen shumë të drejta të cilët shkojnë edhe mbi standardet e demokracisë.

“Komisioni i Venedikut nuk beson nëse ky ligj është në përputhje me Kushtetutën e RMV-së, por me praktikat evropiane. Prej atje thonë se madje është edhe mbi standardet evropiane, që është për lëvdatë. Pyetja është nëse ne kemi resurse që ta zbatojmë atë në të gjitha nivelet. Nuk do të ketë gjykim në afat të arsyeshëm nëse kërkohet përkthim çdokund. Ajo do të krijojë problem praktik. Prej atje thonë “Shumë të drejta, shkurtoni”, tha Pendarovski.

Shefi i shtetit gjithashtu tha se ligjin do ta nënshkruajë nëse është sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut.

Me kërkesë të kryeministrit Zoran Zaev, Komisioni i Venedikut ka përgatitur mendim për ndryshimet e fundit të Ligjit për Gjuhët dhe konkluzionet përfundimtare po përpunohen.

Vërejtja kryesore është e lidhur me institucionet, të cilët nuk kanë pasqyrë të qartë se në cilat raste duhet ta praktikojnë këtë ligj, por si problem më i madh shihet zbatimi në procedurat gjyqësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button